1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gewalt Frauen

25 Nëntor 2009

Deri në vitet 80-të dhuna kundër grave nuk ka qenë temë e Kombeve të Bashkuara. Kurse sot ekziston një i ngarkuar i posaçëm dhe të drejtat e grave janë përfshirë ndërkohë në disa deklarata.

https://p.dw.com/p/KgBT
Dhuna kundër grave dënohet në shumë shtete të botës.Fotografi simbol me flamurin e BE dhe nje grua qe mbrohet nga rrahjet
Dhuna kundër grave dënohet në shumë shtete të botësFotografi: picture-alliance / dpa / DW-Montage

Të drejtat e njeriut nuk marrin parasysh sa duhet realitetin e përditshëm të grave

Dhuna kundër grave kërcënon zhvillimin, ky është mesazhi i Kombeve të Bashkuara, që Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Moon jep me rastin e ditës ndërkombëtare për mënjanimin e dhunës kundër grave. Aktet e dhunshme të grave dhe vajzave në të gjitha vendet e botës, nuk krijojnë vetëm vuajtje por shkaktojnë mungesë stabiliteti dhe rëndojnë përpjekjet për paqe, thotë Ban Ki Moon më tej.

Nuk ka qenë gjithnjë kështu, sepse tema e dhunës kundër grave, sidomos në lidhjet bashkëshortore nuk ka qenë temë e sistemit të Kombeve të Bashkuara deri në vitet tetëdhjetë. Së pari organizatat e grave kanë bërë të qartë, se të drejtat e njeriut nuk marrin pasasysh sa duhet realitetin e jetës së përditshme të grave. Ato përfshijnë marrëdhëniet midis shtetit dhe qytetarëve, dhe jo jetën private. Kështu, burrat mbrohen nga shteti para torturave me motive politike, kurse gratë që keqtrajtohen nga burrat e dhunshëm nuk mbrohen.

Komisioni i Kombeve të Bashkuara për zbutjen e diskriminimit të grave (CEDAW) e pranoi kritikën dhe e përcaktoi dhunën e kësaj natyre si diskriminim gjinor. Por lëvizja ndërkombëtare e grave arriti për herë të parë sukses në Konferencën e të drejtave të njeriut në Vjenë në vitin 1993.

Nën moton "të drejtat e grave dhe të drejtat e njeriut" ato përfaqësuan atje problemet e tyre dhe Asambleja e Kombeve të Bashkuara nxori në dhjetor të 1993-it një deklaratë të rëndësishme: Për herë të parë dhuna e ushtruar kundër grave në familje, në shoqëri apo edhe nga shteti u përkufizua në mënyrë të përgjithshme, duke përshirë në të edhe përdhunimin në martesë, si dhe gjymtimin e organeve gjenitale të grave. Përveç kësaj deklarata përmbante se dhuna kundër grave është formë e shprehjes së shpërndarjes së padrejtë historike të forcave midis grave dhe burrave, që ka çuar në sundimin dhe diskriminimin e grave nga burrat duke u hequr grave shanset e barazisë.

Dhuna në familje, fenomen i dendur. Fotografi simbol - nje grua duke u mbrojtur nga rrahjet
Dhuna në familje, fenomen i dendurFotografi: picture-alliance / Lehtikuva

Shumë shtete të OKB-së e shpallin të papranueshme dhunën kundër grave

Në vijim, Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut krijoi postin e së ngarkuarës së posaçme për çështjen e dhunës kundër grave. Nëpërmjet analizimit të saktë të dhunës në martesë dhe familje bëhet e qartë se edhe përparimi i grave në politikë, arsim dhe profesion nuk e mënjanon domosdoshmërisht pabarazinë gjinore.

Shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, që luftojnë për arritjen e barazisë gjinore, ndihen të konfirmuara në përpjekjet e tyre se është e papranueshme dhuna kundër grave. Kështu vitin e kaluar filloi fushata e Kombeve të Bashkuara „UniTE to End Violence Against Women“ , e cila vazhdon deri në vitin 2015.

Përmes kësaj fushate kërkohet që shtetet të nxjerrin ligje efektive, të zbatojnë plane aksionesh dhe të marrin masa preventive kundër: dhunës në familje, përdhunimit dhe martesës së detyruar, kundër marrëdhënieve seksuale të padëshiruara dhe të pambrojtura që bartin rrezikun e sëmundjes së Sidës, kundër gjymtimit gjenital të femrave, kundër vrasjeve për shkaqe nderi, kundër prostituimit të detyruar dhe skllavërisë, si dhe kundër dhunës seksuale në konfliktet e armatosura.

Autor: Ulrike Mast Kirshning/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi