Situata në burgjet gjermane
22 Gusht 2012Një në katër të burgosur ka përjetuar dhunë në katër javët para marrjes në pyetje. Tek të rinjtë madje një në dy vetë. 7 për qind e të pyeturve thonë se kanë qenë viktima të dhunës seksuale, një numër shumë i madh, mendon profesor Christian Pfeiffer. Ai është drejtor i institutit kërkimor të kriminologjisë në Saksoninë e Poshtme, që ka kryer studimin.
Rreth 6400 të burgosur kanë marrë pjesë në anketim. Për këtë në 33 burgje u vendosën kuti të mbyllura, në të cilat të burgosurit mund të hidhnin në mënyrë anonime formularët e plotësuar të anketimit. Vetëm instituti kishte çelësin e kutive. Kështu të burgosuri mund të shpreheshin fare hapur, pa frikën e reprezaljeve.
"Koncept i gabuar pedagogjik"
"Përmasat e dhunës na kanë trembur shumë", thotë Christian Pfeiffer. Por para së gjithash atë e ka tronditur fakti se sa shpesh ndodhin aktet e dhunës në oborret e burgjeve, të cilat mund të shihen nga të gjitha anët. Veç kësaj aktet e dhunës shpesh kryhen në dushe apo në punishtet që u përkasin vetë burgjeve, në të cilat punojnë të burgosurit. Sulme ndodhin shpesh edhe në qelitë e përbashkëta, të gjitha këto ambjente, që nuk mund të shihen plotësisht.
Një rezultat i studimit ka të bëjë veçanërisht me strehimin e të rinjve. "Që pikërisht në ambjentet e përbashkëta të banimit të instituteve të riedukimit të të rinjve, ka kaq shumë dhunë brutale, tregon qartë se koncepti ynë pedagogjik është tërësisht i gabuar", thotë Christian Pfeiffer. Sapo mbyllet dera e ambjenteve të përbashkëta të banimit dhe asnjë kujdestar nuk ka mundësi të mbikqyrë më, vlen e drejta e më të fortit. Në kurriz të më të dobtëve kryhen akte që u shërbejnë "të fortëve" për të forcuar vetëbesimin.
Dhuna duhet reduktuar, po në ç'mënyrë?
Instituti kërkimor i kriminologjisë përkon që të ripunohet nga e para koncepti i ambjenteve të përbashkëta të banimit. Qelitë duhet të lejohet të hapen vetëm kur është i pranishëm personeli i burgut. Së dyti, duhet të pajisen me kamera veçanërisht burgjet e vjetra, për të penguar kryerjen e akteve të dhunës nga të burgosurit, pa u zbuluar. Së treti, të burgosurve në fillim u duhet dhënë shumë hapësirë e lirë, e cila t'iu merret përsëri në rast se ushtrojnë dhunë. Në një nga burgjet e përfshira në studim kjo praktikohet me shumë sukses. Së katërti, personeli i burgjeve nuk duhet të reduktohet më shumë.
Kundër pakësimit të personelit në burgje paralajmëron edhe Anton Bachl, kryetar i federatës së punonjësve të burgjeve në Gjermani. "Pikërisht tani që numrat e të burgosurve janë në rënie, duhet shfrytëzuar kapacitetet e lira", thotë Bachl.
Kritikë ndaj studimit
Nga Ministritë e Drejtësisë të landeve Renani Veriore - Vestfali dhe Baden-Vyrtemberg studimi është kritikuar. Dhuna në burgje nuk është një problem në masë, u tha. Kështu vitin e kaluar në burgjet e landit të Rinit Verior - Vestfalisë, ndodheshin më shumë se 48.000 të burgosur, por ka pasur vetëm 587 raste përdorimi dhune, jo të fortë. Ndërsa Ministria e Drejtësisë e Baden-Vyrtembergut numëron vetëm 30 raste dyshimi për keqtrajtim të qëllimshëm. Në vitin 2005 ky numër ka qenë më shumë se dy herë më i madh.
Christian Pfeiffer i quan këto shifra joreale. "Unë jam i habitur që ministrat kanë guximin të dalin në publik dhe të thonë: tek ne gjithçka është në rregull, megjithëse nuk e dinë situatën reale dhe nuk kanë asnjë bazë për këtë", thotë Pfeiffer. Edhe Bachl mendon se këto lande mbyllin sytë para realitetit.