Dinamizohet dialogu Kosovë-Serbi- vizita të disa emisarëve
19 Janar 2023I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar, këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Gjermanisë Jens Plettner, dhe ai i Francës Emmanuel Bonne, të premten(20.01.) qëndrojnë në Kosovë. Tema e vetme është dialogu Kosovë-Serbi dhe mundësia që të ketë një marrëveshje të shpejtë për përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.
Vizitën e një delegacioni të përmasave të tilla e konfirmoi zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano. "Vizitat e përfaqësuesve tanë njoftohen nga institucionet e BE-së. Vërtetë emisari Lajçak do të udhëtojë këtë javë në rajon, që është në kuadër të tentimeve për ta avancuar dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Lajçaku do ta vizitojë Kosovën e Serbinë këtë të premte. Në Prishtinë do të takohet me kryeministrin Albin Kurti e në Beograd me presidentin Aleksandar Vuçiq, ku do të diskutohen hapat e ardhshëm në normalizimin të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Në këtë vizitë emisari Lajçak do të përcillet nga këshilltarët për politikë të jashtme të presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë dhe kryeministrit të Italisë, si dhe nga zv. sekretari amerikan Gabriel Escobar”, tha Stano. Lajçak të merkurën takoi ndaras në Davos të Zvicrës ku po zhvillohet Forumi Ekonomik Botëror, kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq ku pati siç tha "një diskutim të thelluar për hapat e ardhshëm në dialog”, pa dhënë detaje tjera.
Prishtina nën presion
Autoritetet e Prishtinës janë nën presion që të nisin punën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që sipas SHBA-së dhe BE-së, është obligim i Prishtinës i dalë nga një marrëveshje e vitit 2013.
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, refuzon formimin e Asociacionit duke argumentuar që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se qeveria nuk mund të krijojë Asociacion njëetnik. Serbia, në anën tjetër e kushtëzon normalizimin e mëtejshëm të raporteve me Kosovën pikërisht me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Kryeministri Kurti, megjithatë së fundmi nuk e ka përjashtuar mundësinë që Asociacioni të diskutohet në kuadër të një marrëveshjeje finale për normalizimin e raporteve, por përjashton mundësinë që Asociacioni të jetë njëetnik.
Chollet pret propozime
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet, i cili javën e shkuar ishte në Prishtinë dhe Beograd, u kërkoi autoriteteve të Prishtinës që të hedhin në tavolinë propozimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, Asociacioni duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ai është një detyrim ligjor. "Dua të jem i qartë se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republike Srpska. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aranzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Parlamenti i Kosovës i ka ratifikuar marrëveshjet e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se është e domosdoshme të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjë që ne besojmë se e bënë këtë një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës”, tha Derek Chollet.
Këto deklarT i mbështeti edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, i cili bëri thirrje edhe një herë që të gjitha marrëveshjet e Brukselit të zbatohen, përfshirë edhe Asociacionin. "Plotësisht dakord me Cholletin se është koha e fundit që të gjitha marrëveshjet e Brukselit të zbatohen me shpejtësi, duke përfshirë krijimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Propozimi nga Kosova ende nuk është aty”, shkroi ambasadori Rohde në Twitter.
Cilat janë detyrat e Asociacionit
Asociacioni i Komunave me shumicë serbe parasheh që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë. Përmes Asociacionit këto komuna do të përfaqësojë interesat kolektive të tyre, sidomos në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë. Gjatë muajit dhjetor në veri të Kosovës pati tensione të mëdha ku për tre javë grupe serbësh mbajtën të bllokuara rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish polici serb, nën dyshimet për sulm ndaj KQZ-së. Tensione ndërmjet Kosovës dhe Serisë kishte edhe për çështjen e targave të veturave serbe të lëshuara në Serbi që Kosova nuk i pranonte.
Në dhjetor u arrit një marrëveshje ku Kosova lejoi qarkullimin e tyre edhe për një kohë, ndërsa, Serbia u pajtua që të mos prodhojë më targa. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës Xhelal Sveçla, tha të mërkurën në mbrëmje që "Serbia shkeli këtë marrëveshje dhe po prodhon dhe po ri-regjistron targa për veturat e serbëve në Kosovë”.
"Serbia ka shkelur dakordimin për targat. Policia e Kosovës, saktësisht Drejtoria e Kufirit, ka evidentuar në disa pika kufitare vetura me targa ilegale "KM”, të ri-regjistruara në muajin dhjetor 2022, shkroi ministri Sveçla duke njoftuar njëkohësisht Policia e Kosovës nuk do të lejojë hyrjen e këtyre veturave në territorin e Kosovës.