1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dita ndërkombëtare e OKB-së kundër punës së fëmijëve

Gottfried Stein12 Qershor 2007

Rreth 250 milionë fëmijë punojnë në kushte shumë të vështira në mbarë botën, 44 milionë vetëm në Indi

https://p.dw.com/p/Axcm
Fëmijët rropaten në Indi
Fëmijët rropaten në IndiFotografi: AP

Një udhëkryq në Jardins, një prej lagjeve nobël të Sao Paolos. Sapo semafori bëhet i kuq, 13 vjeçari Davi kërcen në rrugë duke xhongluar me topat e tenisit. Qysh prej një viti ai e bën këtë veprim gjashtë deri në tetë orë çdo ditë. "Ky vend është mjaft i përshtatshëm për të fituar para. Atje ku unë banoj mund të fitoj 15 deri në 20 Reais, ndërsa këtu fitoj deri në 50 Reais në ditë. Këtu banojnë të pasurit, ndërsa atje ku banoj unë nuk ka të pasur. Disa njerëz këtu janë të mirë, por disa të tjerë as që ma varin fare. Madje ka edhe nga ata që as nuk e hapin dritaren e makinës dhe nuk duan të flasin me mua."

Fëmijët si Davi mund t´i gjesh në të gjithë qytetin. Ata pastrojnë dritaret, llustrojnë këpucët, shesin bombone, punojnë si pastrues nëpër shtëpi, të gjitha këto punë për një pagë urie. Askush nuk fiton kaq sa Davi, rreth 50 Reaist që ai fiton kanë vlerën e afro 20 eurove. Këta fëmijë vijnë kryesisht nga lagjet e varfra dhe me paratë që fitojnë ata mund të ndihmojnë familjen për të mbijetuar, thotë Antonio Karlos, punonjës social që kujdeset për fëmijët e rrugës:

"Për shumë familje dhe shumicën e njerëzve që jetojnë në rrugë, puna e fëmijëve është shpesh i vetmi burim të ardhurash. Pra është e domosdoshme për disa që të qëndrojnë nëpër semaforë. Punohet gjatë gjithë ditës për të siguruar një kafshatë bukë për në mbrëmje, e kjo ndodh shumë shpesh."

Mendohet që në Brazil punojnë rreth 3-5 milionë fëmijë nëpër fusha, apo edhe në fabrikat e qymyrit që kanë kushte mesjetare pune. Nëpër qytetet e mëdha të Brazilit fëmijët shesin lodra nëpër udhëkryqe, llustrojnë këpucë apo rropaten nëpër fabrika. Në metropolin ekonomik Sao Paolo administra e qytetit është duke u përpjekur që t´u ndihmojë punëtorëve të vegjël të rrugës, por shpesh herë këto përpjekje janë të pashpresa.

Qyteti ka nisur një program për familjet me probleme, atyre u jepen 40 euro në muaj si mbështetje, në mënyrë që t´i dërgojnë fëmijët në shkollë. Por kjo mbështetje financiare është e lidhur me shumë kushte dhe nga ana tjetër nëpër shkollat publike niveli i arsimit është katastrofal. Sidoqoftë problemi më i madh ka të bëjë me mentalitetin e prindërve që i dërgojnë fëmijët e tyre të punojnë dhe e shohin këtë si një gjë normale, thotë Denise Maria Çezario, drejtoreshë shkolle: "Këto familje duhet të sensibilizohen, që jeta e fëmijve të tyre është në rrezik. Ky është një realitet që nuk mund ta ndryshosh kollaj."