Ditë historike në Irak - ndonëse me atentate, zgjedhjet parlamentare përfundojnë me një pjesëmarrje të gjerë
30 Janar 2005Zgjedhjet parlamentare në Irak të vlerësuara nga një shumicë dominuese si historike, përfunduan të djelën pasdite me mbylljen e qendrave të votimit në orën 17, sipas orës lokale. Për herë të parë në jetën e tyre zgjedhësit irakianët mundën të japin votën, pa qenë nevoja që rezultati me 99% apo 100% të ishte i përcaktuara paraprakisht, si në kohën e "fyrerit Sadam Husein". Por sidoqoftë shumë politikanë irakianë, të cilët gjatë ditëve të fundit u kanë bërë thirrje të vazhdueshme zgjedhësve të marrin pjesë në votime, e kanë të qartë, se edhe pas këtyre votimeve kaq të rëndësishme nuk do të ketë një qeveri tranzicioni që të konsiderohet vërtetë si përfaqësuese. Një pjesë e popullsisë nuk do të jetë e përfaqësuar, për shkak të pjesëmarrjes jashtëzakonisht e ulët në rajonet e sunitëve. Në këto rajone zgjedhësit nuk votuan duke i bojkotuar zgjedhjet nën pushtimin e huaj, por edhe nga frika e aksioneve hakmarrëse të mëvonshme prej kundërshtarëve të këtyre zgjedhjeve.
Ndonëse nën hijen e terrorit me disa sulme e atentate kamikace, që vetëm në Bagdat i kushtuan jetën rreth 20 vetëve, ecuria e zgjedhjeve ishte sipas planit dhe me një pjesëmarrje të gjerë. Sulme ka pasur edhe periferitë e Bagdatit si edhe në qytetet Kirkur e Basra. Numri i viktimave gjithsej llogaritte në rreth 30 të vdekur. Një nga anëtarët e komisionit irakian të zgjedhjeve, Safut Sadqi deklaroi, se rezultati zyrtar i votimeve mund të shpallet pas dy ditësh: "Nuk ka asnjë shans që të mund të shpallen rezultatet në mbrëmjen pas votimeve apo edhe një ditë më pas. Ndoshta ne do të mund të japim në përqindje rezultatet e provincave, por jo më shumë se kaq. Pas dy ditësh do të mund t´i shpallim rezultatet zyrtarisht", nënvizoi Sadqi.
Këshilltari kryesor i OKB-së për zgjedhjet, Karlos Valenzuela, i cilësoi si inkurajuese njoftimet lidhur me ecurinë e votimeve. Në një intervistë për televizionin amerikan CNN, shprehimisht zoti Valenzuela tha: "Mendoj se komisioni i zgjedhjeve është mjaft optimist lidhur me rrjedhën e votimeve. Gjatë ditës ne kemi pasur njoftime inkurajuese, se në zona të ndryshme situata ka qenë mjaft e mirë. Ndonëse me vonesë një pjesë e mirë e zgjedhësve pasi mësuan se votimet po shkojnë mirë vendosën të dalin për të dhënë edhe ata votën e tyre", nënvizoi Këshilltari kryesor i OKB-së për zgjedhjet në Irak.
Ministrja e jashtme amerikane, Kondoliza Rajs, i quajti zgjedhjet në Irak si "një hap i madh përpara" drejt rrugës së demokracisë. Irakianët me pjesëmarrjen e gjerë në votime iu kundërvunë fushatës frikësuese të kryengritësve që synonin të pengonin votimet. Sipas Rajs, rrjedha e këtyre zgjedhjeve ishte shumë më e mirë nga ç´pritej: "Ajo që po dëgjojmë prej irakianëve është, se shumë prej tyre janë të kënaqur që zgjedhjet patën një ecuri më të mirë se ç´pritej", thakesoi Rajs.
Ministri i jashtëm i qeverisë irakiane të tranzicionit, Hoshiar Sebari, në një intervistë me televizionin Al-Arabija, i vlerësoi pozitivisht votimet e së djelës. Megjithatë ai u bëri thirrje bashkëatdhetarëve, që "sipas tij tashmë kanë kaluar një provë të fatit", që këtej e tutje të shohin përpara. Politikani kurd Sebari tërhoqi vëmendjen, se "tani nuk duhet të harrojmë që gjatë muajve të ardhshëm duhet të hartojmë kushtetutën dhe se dhjetorin e ardhshëm sërish do të kemi zgjedhje".
Madje edhe politikani sunit Adnan al-Padshashi, i cili përpara ardhjes së Sadam Huseinit në pushtet ka qenë ministër i punëve të jashtme, dhe që së fundi dështoi me përpjekjet e tij intensive për shtyrjen e votimeve të para pas ndëryhrjes së amerikanëve, u zgjati dorën e pajtimit të gjithë kundërshtarëve të këtyre zgjedhjeve. Ai deklaroi, "se u bëjmë thirrje të gjitha partive që i bojkotuan këto zgjedhje, që të marrin pjesë në asamblenë kombëtare dhe të involvohen në hartimin e kushtetutës".
Irakianët votuan të djelën për një parlament tranzicioni. Në këto zgjedhje kandiduan gjithsej 111 parti, aleanca zgjedhore dhe individë. Në 18 krahina u votua gjithashtu për ndarjen e mandateve parlamentare në asambletë rajonale, ndërsa kurdët në Veri votuan edhe për parlamentin e tyre.