Elda Sorra - Portret
15 Korrik 2010Kafenë e mëngjesit Elda Sorra e pi në 'Luzia', një bar në Oranienastrasse në zemër të lagjes më të larmishme të Berlinit, Kreuzberg. 31-vjeçarja me sytë e gjelbër dhe flokët e drejta ka lindur në Tiranë, por atdheu i saj i parë është Gjermania.
Atë fillim korriku të vitit 1990 ajo ishte duke luajtur futboll, kur e thirri i ati të shkonte në shtëpi. “Toni i tij ishte paksa më i rreptë se zakonisht”, kujton ajo sot. "Në shtëpi kishte filluar debati. Babi po i mbushte mendjen mamit të shkonim në Gjermani. Unë mbaj mend që i thashë tim vëllai: Do ikim në Gjermani ne? Epo mire, ikim pra!” Elda qesh. “Unë për vete i kisha veshur sandalet dhe po prisja që ata të mbaronin diskutimet.”
"Si Peqini”
Ndryshe e kishte përfytyruar asokohe 11-vjeçarja botën e jashtme. “Prisja të dilte ndonjë Micky Mouse me Coca Cola në dorë”, ironizon ajo naivitetin fëmijëror. “E tërë rruga me tren nga Bari për në Bielefeld nuk kishte as drita, as pallate, por vetëm pyje dhe fusha ku kullosnin lopët”, përshkruan Elda. “Si ajo Tiranë-Peqin”.
Zhgënjimit iu shtua edhe shqetësimi për të ëmën dhe motrën e saj më të vogël. Ato ishin nisur me një tren më të hershëm e kishin përfunduar në një Land tjetër. “Mbas dy-tre muajsh kemi marrë vesh që mami dhe motra janë gjallë. Por derisa u bashkuam kaluan edhe gjashtë javë të tjera”, rrëfen ajo. “Atëherë nuk e njihnim ende burokracinë gjermane.”
Takim me prejardhjen
Tek flet shqip, Eldës i shpëton ndonjë fjalë gjermanisht. Pastaj ndalet, kap mjekrën dhe shikon e përqendruar murin përbri, thua se aty janë varur fjalët që kërkon. Prejardhjen shqiptare e kishte ndrydhur derisa filloi shkollën e aktrimit në Këln. “Aty më thoshin se në lojën time kishte diçka më ndryshe. Më impulsive, më emocionale. Më shkoi mendja, se kjo do të kishte lidhje me Shqipërinë”, rrëfen Elda.
Bëhet kureshtare dhe në vitin 2003 u bën një vizitë studentëve të aktrimit në Akademinë e Arteve në Tiranë. Me vete merr edhe klasën e saj nga Këlni, e cila së bashku me një klasë shqiptare luajnë në një pjesë të improvizuar. “Një përvojë shumë e bukur, por edhe e lodhshme,” përmbledh aktorja. “Ata nuk e linin artistin ta zhvillonte rolin, ndërhynin menjëherë dhe thoshin “Jo, jo, kështu!” - imiton Elda mimikën e pakënaqësisë dhe refuzimit të kolegëve të saj në Shqipëri. “Arti kërkon durim!” shton gjermanja me origjinë shqiptare dhe ngre vetullat.
Kloun tragjik
Natyra e saj është gazmore. Vështirësitë përpiqet t'i kalojë me humor. Kështu e ka kaluar edhe adoleshencën dhe rininë në Lemgo, një qytet i vogël në perëndim të Gjermanisë. “Nuk e kisha ambicien të merrja nota të mira, por t'i bëja shoqet për të qeshur,” - rrëfen Elda. Në shkollë e mbanin për kloun. “Por situata në shtëpi ishte mjaft e trishtuar. Aty nuk kishte asgjë për të qeshur”, shton ajo.
Elda bën një pauzë të vogël dhe pi një gllënjkë latte macchiato. Është mësuar që në fëmijëri që t'i mbulojë mirë ndjenjat e saj të vërteta. “Vetëm në shkollën e aktrimit shpërtheva. Sa më tragjik roli, aq më i përshtatshëm për mua”, - thotë interpretuesja e nënës tek “Shtëpia e Bernarda Albës” (Federico Garcia Lorca) dhe shton: “Ndërsa në rolet humoristike, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse mbulojnë tragjiken, aty luaj vetveten.” Ajo nënqesh.
Alternativë berlineze
Mobiliet në kafenenë 'Luzia' janë të viteve 50-të: Abazhurë prej stofi, mure të veshur me tapete me lule, kolltukë me këmbë konike. Stili retro ka kohë që dominon në baret e Berlinit. Disa metra më tutje është banesa e Eldës, në një ndërtesë të shekullit të 19-të. Këtu ajo jeton tashmë që prej katër vjetësh, mes imigrantëve turq e arabë dhe muzikantëve e artistëve nga kombe të ndryshme.
Atë fillim korriku të vitit 1990 ajo e dinte fare mirë që vendlindja e saj nuk do t'ia realizonte dot ëndrrën për t'u bërë aktore. “Askush nuk do ta merrte seriozisht,” - thotë Elda sot. Prandaj edhe nuk ngurroi ta braktiste atë vend një orë e më parë, ashtu siç ishte: e pluhurosur nga futbolli, me pantallona të shkurtra e sandale. „Ka ardh' koha me bo paqe me vendlindjen!” - shton më pas. Ka kohë që po e bluan idenë për t'u kthyer me një projekt aktrimi. Me diçka që ajo e përjeton në Berlin dhe që në Shqipëri pothuajse nuk ekziston. Diçka alternative? “Ndoshta!” - thotë ajo me buzëqeshje dhe kthen me fund kafenë e mëngjesit në 'Luzia'.
Autore: Anila Shuka
Redaktoi: Pandeli Pani