1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dy ditë bisedimesh intensive në Luksemburg

16 Tetor 2006

Më tepër ndihma tregtare për vendet e varfra, ndryshimi i qëndrimit të Ankarasë në lidhje me njohjen e Qipros dhe konflikti në lidhje me programet atomike të Iranit dhe të Koresë së Veriut - në fokus të bisedimeve të BE-së në Luksemburg

https://p.dw.com/p/Aqai
Komisioneri i BE-së për tregtinë Peter Mandelson (majtas) dhe komisioneri i BE-së përzhvillimin Louis Michel gjatë takimit ministerial në Luksemburg
Komisioneri i BE-së për tregtinë Peter Mandelson (majtas) dhe komisioneri i BE-së përzhvillimin Louis Michel gjatë takimit ministerial në LuksemburgFotografi: AP

Me diskutime për më tepër ndihma tregtare për vendet e varfra filluan sot në Luksemburg konsultimet e përbashkëta të ministrave të ndihmës për zhvillimin dhe të MPJ të vendeve të BE-së. Në qendër të këtij takimi dyditor do të jenë kriza në lidhje me bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në BE për shkak të problemit të Qipros, konflikti në lidhje me programet atomike të Iranit dhe të Koresë së Veriut. Po ashtu ministrat do të trajtojnë edhe gjendjen në Ballkan.

Ministrat e ndihmës për zhvillimin do të përforcojnë gatishmërinë e tyre për rritjen e aftësive eksportuese të vendeve të botës së tretë. Duke filluar nga viti 2010 do të vihen çdo vit në dispozicion dy miliardë euro për t'u mundësuar vendeve të varfra ekportimin e prodhimeve të tyre në tregun botëror.

Së bashku me MPJ do të diskutohet për gjetjen e rrugëve për të rritur efektivitetin e ndihmave të BE-së për vendet në zhvillim. Nga viti 2008-2013 BE-ja do të japë për vendet në zhvillim 22,7 miliardë euro. BE-ja ofron 55% të ndihmës për zhvillim në të gjithë botën, duke qenë donatori më i madh në botë. Në vitin 2010 dy të tretat e ndihmës globale për zhvillimin do të dalin prej arkave të BE-së.

Sot pasdite MPJ të BE-së do t'i kërkojnë me forcë kolegut të tyre turk Abdullah Gyl që Ankaraja të ndryshojë qëndrim në lidhje me njohjen e Qipros. Qiproja ka kërcënuar se do të përdorë të drejtën e vetos kundër vazhdimit të bisedimeve me Turqinë në rast se kjo nuk i hap së shpejti portet dhe aeroportet e saj edhe për anijet qipriote. Ankaraja nga ana e saj thekson se është e gatshme për një hap të tillë vetëm në rast se hiqet embargoja tregtare ndaj veriut të Qipros që kontrollohet prej Turqisë. Sot nuk pritet ndonjë vendim në lidhje me vazhdimin apo ndërprerjen e bisedimeve me Turqinë.