1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060410 Europäische Investitionsbank

5 Prill 2010

Ajo është një nga kreditoret më të mëdha në botë dhe njëkohësisht e panjohur sa rrallë ndonjë bankë tjetër. Por në Evropë thuajse asnjë projekt i madh publik ndërtimi nuk bën dot pa paratë e EIB.

https://p.dw.com/p/MnU6
Selia e EIB-së në Luksemburg
Selia e EIB-së në LuksemburgFotografi: PA/dpa

Vitin e kaluar Banka Evropiane e Investimeve (EIB) ka dhënë rreth 79 miliardë euro kredi. Kjo shumë është sa të ardhurat buxhetore të Belgjikës. Banka Evropiane e Investimeve është si të thuash banka vetjake e BE-së. Të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë pjesë kapitali në të. Zv/presidenti i EIB-së, Matthias Kollatz-Ahnen, shpjegon detyrat më të rëndësishme të bankës së tij: "Njëra është mbështetja për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme nga bankat e tjera pra ne kryejmë një funksion përcjellës. Së dyti ne mbështesim rajonet më të dobëta ekonomikisht në Evropë, të ashtuquajturat rajone konvergjence. Në Gjermani numri i tyre po bëhet gjithnjë e më i vogël. Dhe së treti, ne kemi mbëshetur fuqimisht gjithçka që ka të bëjë me qëndrueshmërinë e prodhimit."

"Qëndrueshmëri" në "rajonet e konvergjencës"

Pas kësaj formule qëndron një proces që në EIB kryhet prej 50 vjetësh. Kur një vend i ri anëtarësohet në BE atëherë tek ai investohet fuqishëm: në rrugë të reja, sistemin e ujësjellësit dhe hekurudha apo në industrinë shpesh në gjendje të keqe. Në këtë mënyrë në BE synohet të arrihet një ndërthurje duke ruajtuar njëkohësisht standardin ekonomik, pra synohet konvergjenca. Një shembull është ribashkimi i Gjermanisë: deri në vitin 2013 pjesë të landeve të reja gjermane janë zyrtarisht "rajone konvergjence të BE-së". "Projekti i madh i fundit i ribashkimit gjerman, në të cilin jemi bashkëfinancues është zgjerimi i aeroportit "Willy Brandt" në Berlin. Por investimet klasike janë ato në projekte të zgjerimit të rrjeteve të ujësjellësit, të kanalizimeve apo rikonstruktimi dhe modernizimi i impianteve për pastrimin e ujit, p.sh. në Brandenburg apo në Drezden."

Aerporti ndërkombëtar Willy Brandt Berlin-Brandenburg në fazën e ndërtimit. Fluturimet e para do të nisin sipas planit më 30 tetor 2011.
Aerporti ndërkombëtar Willy Brandt Berlin-Brandenburg në fazën e ndërtimit. Fluturimet e para do të nisin sipas planit më 30 tetor 2011.Fotografi: dpa


Kreditë e EIB-së stimulojnë ekonominë lokale në rajonet e konvergjencës

Megjithatë kalon shumë kohë derisa paratë e EIB-së të mbërrijnë në një impiant të pastrimit të ujit. Fillimisht EIB shqyrton për muaj me radhë nëse impianti i pastrimit të ujit i shërben vërtet konvergjencës së Evropës. Nëse është kështu, EIB-ja si një bankë e madhe dhe e besueshme merr para me normë të ulët interesi në tregun financiar ndërkombëtar. Këto para ajo ia jep një banke më të vogël biznesi në Gjermani në mënyrë që ajo të mbështesë me një kredi të butë impiantin për pastrimin e ujit në Drezden. Kusht është megjithatë që banka gjermane e biznesit të japë edhe njëherë të njëjtën shumë. "Ne nuk duam të nxjerrim jashtë loje sektorin bankar ekzistues rajonal. Kështu ne si rregull financojmë vetëm 50% dhe nganjëherë mund të jetë edhe më pak."

Kreditë e EIB-së ndihmojnë kështu stimulimin e ekonomisë lokale në rajonet e konvergjencës, aktualisht kjo bëhet në Evropën Lindore dhe Juglindore. Projekte të mëdha aktuale si ndërtimi i autostradave të reja në Poloni, nuk do të ishin të realizueshme pa EIB-në. Krahas projekteve në ndërtim dhe transport, EIB po financon gjithnjë e më shumë edhe mbrojtjen e klimës në Evropë.

Investimet e mëdha të EIB-së do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe jo vetëm në Gjermani. Në vendimmarrjen për investime EIB-ja ndjek objektivat politike të BE-së, fitimi nuk është prioritet. Kjo është edhe një nga arsyet përse EIB-ja si një nga bankat më të mëdha ndërkombëtare nuk u prek nga kriza e fundit. Gjatë vitit 2010 EIB do të investojë më shumë në Turqi, në Serbi dhe në Kroaci.

Autor: Samuel Jackisch / Eliana Xhani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora