Egjipt: Mursi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme
28 Janar 2013Pas trazirave të përgjakshme në fundjavë me shumë të vdekur, presidenti egjiptian Mohammed Mursi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në tri qytete përgjatë Kanalit të Suezit. Masat e jashtëzakonshme lidhen me një ndalimqarkullimi mes orës 21:00 të mbrëmjes deri në në orën 6:00 në mëngjes, sqaroi kreu i shtetit në një fjalim televiziv. Mursi e justifikoi veprimin e tij me dhunën e ditëve të fundit. "Për t'i dhënë fund gjakderdhjes, për të mbrojtur sigurinë publike nga vandalët dhe shkelësit e ligjit dhe për të mbrojtur qytetarët, unë kam vendosur që në provincat e Port Said, Suezit dhe Ismailias të shpall gjendjen e jashtëzakonshme për një periudhë prej 30 ditësh", tha Mursi.
Në trazirat që nga e premtja jetën e kanë humbur të paktën 51 vetë
Shkaktar i valës së dhunës ishte dënimi me vdekje kundër 21 ithtarëve të klubit të futbollit Al-Masri nga Port Said. Ata janë akuzuar se më 1 Shkurt 2012 pas një ndeshje të zhvilluar kundër ekipit të Kajrors Al-Alhi kanë sulmuar me forcë brutale tifozët e ekipit kundërshtarë. Si pasojë jetën patën humbur 74 njerëz.
Megjithatë presidenti nuk ka folur për shkaqet e valës së dhunës në vend por ka paralajmëruar masa të rrepta kundër atyre që rrezikojnë rendin dhe qetësinë: "Unë i kam dhënë udhëzime të qarta ministrisë së Brendshme, që të veprojë me vëndosmëri kundër atyre që kërcënojnë sigurinë e qytetarëve dhe të pronës publike. Kushdo që kërcënon popullin dhe përdorë armët, kushdo që bllokon rrugët dhe rrezikon rendin dhe sigurinë, kundër tyre ne do të veprojmë me masa të ashpra."
Rruga e vetme për dalje nga kriza është dialogu
Nga ana tjetër presidenti Mursi nënvizoi se e vetmja rrugë përpara është dialogu, për të cilin nuk ka alternativë tjetër. "Prandaj, duke pasur parasysh situatën e tanishme të mjerueshme unë ftoj të gjitha forcat politike në vend për bisedime, për të sqaruar kushtet për dialog."
Presidenti nuk përmendi detaje të këtij dialogu. Një zëdhënës i Frontit për Shpëtimin Kombëtar përshëndeti shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Kjo është një masë e përshtatshme për të luftuar huliganizmin dhe aktet kriminale, tha Khaled Dawoud. Por presidenti është duke injoruar çështjen kryesore, pra politikën e tij.
Fronti i Shpëtimit Kombëtar është një aleancë e grupeve laike opozitare. Përfaqësuesit e Aleancës deklaruan më parë se dialogu mund të ndodhë atëherë kur të jenë përmbushur kërkesat e tyre. Ato përfshijnë ndryshimet në Kushtetutë dhe formimin e një qeverie neutrale.
Autor: Jürgen Stryjak/ Esat Ahmeti
Redaktoi: Auron Dodi