Eksportet gjermane të armëve
14 Mars 2014Të gjelbrit në parlamentin gjerman janë kundër eksportimit të armëve në Arabinë Saudite, sepse sipas tyre në direktivat e ligjit për eksportin e armëve të qeverisë gjermane, thuhet mjaft e qartë se nuk duhen miratuar eksporte armësh për vende ku ka shkelje masive të të drejtave të njeriut dhe ndër këto vende bën pjesë edhe Arabia Saudite.
Kabineti qeveritar miratoi në nëntor 2013 raportin vjetor të Ministrisë së Ekonomisë për eksportet e armëve. Krahasuar me vitin e kaluar eksportet e armëve të zjarrit dhe të tankeve në vitin 2012 kanë rënë krahasuar me vitin 2011, nga 1,3 miliardë në 946 milionë. Megjithatë 59 për qind e këtyre mallrave nuk janë eskportuar në shtete anëtare të NATO-s ose të BE-së, apo shtete që kanë status të barabartë me vendet anëtare të NATO-s, por në vende të tilla si Emiratet e Bashkuara Arabe, Algjeri dhe Arabia Saudite. Kjo e fundit ishte në këtë periudhë edhe blerësja më e rëndësishme e armatimeve gjermane. Qeveria federale miratoi për vitin 2012 një licencë eksporti për pajisje dhe armë luftarake në vlerë 1.2 miliard euro.
Eksporti i armëve jashtë BE-së
Christian Mëlling, ekspert për armatimet në fondacionin SWP thotë se ka një sërë vendesh "të gjelbra" në të cilat armatimet mund të eksportohet pa probleme. Në to bëjnë pjesë vendet e BE-së dhe të NATO-s. Për vendet e tjera qeveria duhet ta argumentojë se përse miratohen eksporte të tilla, thotë Mëlling.
Në lidhje me eksportet e armëve nga Gjermania vendimet nuk merren në parlament, por në Këshillin Federal të Sigurimit, që kryesohet nga kancelarja dhe në të cilin marrin pjesë edhe ministri i Financave, ministri i Punëve të jashtme, ai i Punëve të Brendshme, i Mbrojtjes, i Drejtësisë, ministri i Ndihmës për Zhvillim dhe Bashkëpunim, si dhe shefi i zyres së kancelares. Punimet e këtij këshilli janë sekret. Qeveria federale e informon parlamentin në lidhje me marrëveshjet e përfunduara për eksportin e armëve vetëm në raportin vjetor për eksportin e armëve. Bundestagu vetë nuk ka asnjë ndikim në procesin për miratimin ose jo të eksporteve të armëve. Por shumë deputetë mendojnë se Bundestagu duhet të informohet menjëherë, sapo Këshilli Federal i Sigurimit të ketë miratuar një marrëveshje eksporti armësh.
Të drejtat e njeriut dhe politika e jashtme
Bundestagu nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë për lejet për ekportin e armëve. Christian Mëlling, ekspert për armatimet në fondacionin SWP nuk pret që koalicioni i madh të ndërmarrë ndonjë ndryshim në lidhje me eksportet e armëve, sepse ky do të ishte një ndryshim themelor i politikës. Qeveritë e deritanishme gjermane e kanë furnizuar në mënyrë relativisht konstante me armë dhe pajisje ushtarake Arabinë Saudite. Sipas Christian Mëlling edhe pse eksportet e tankeve në këtë vend janë të diskutueshme, qeveria gjermane i mbështet ato, sepse kriteret për eksportin e armëve lidhen me çështje të tilla nëse Gjermania ka një interes të politikës së jashtme për të ekportuar në një vend të caktuar, ose se mendon se duhet ta mbështesë një vend që e ka mbështetur Gjermaninë."
Po ashtu sipërmarrjet që eksportojnë armatime jashtë vendit ia shesin me një çmim më të arsyeshëm armatimet ushtrisë gjermane Bundeswehr. Çështja pra nëse Gjermania e lejon eksportin e armëve duhet të përfshijë edhe një aspekt: ose Gjermania duhet të pranojë që sipërmarrjet gjermane që prodhojnë armë t'i fitojnë një pjesë të parave të tyre jashtë vendit për të nxjerrë fitimin e duhur - ose që ushtria gjermane Bundeswehr të paguajë në mënyrë të konsiderueshme më shumë për armatimet që ble.