1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialog për të shkuarën dhe të sotmen

Ani Ruci'
1 Nëntor 2022

Ekspozita “Remains of paranoia” e personalitetit poliedrik gjerman, Alfred Diebold, ka ngjallur interesin e vizitorëve të Tiranës. Udhëtimi përmes fotosh në të shkuarën komuniste, në vende sekrete të Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/4Iuax
Albanien Austellung "Paranoia Reste" in Tirana
Fotografi: Ani Ruci/DW

Avionë luftarakë gjuajtës, të fshehur në tunele brenda maleve, nëndetëse dhe anije të ndryshkuara luftarake në bazat ushtarake detare të Pasha Limanit apo Porto Palermos, tanke kineze të ndryshkura, të braktisuara në vende sekrete, të mbyllura deri më tani për publikun, dhe disa qindra mijëra bunkerë të shpërndarë në të gjithë vendin.

Alfred Diebold, i nxjerr në dritë të gjitha këto përmes dhjetra fotografish, që të lënë pa fjalë me dëshmitë që sjellin tani, 32 vjet pas rënies së regjimit komunist, në ekspozitën e tij "Remains of paranoia” të hapur në Qëndrën për Hapje dhe Dialog, në hollin e kryeministrisë, në bashkëpunim me Ambasadën gjermane në Tiranë.

Albanien Austellung "Paranoia Reste" in Tirana
Fotografi: Ani Ruci/DW

"Objektivi im është të dokumentoj, të tregoj sesi është situata sot, si duket, çfarë ka mbetur nga ato kohë, çfarë mund të mësohet,” thotë Alfred Diebold për DW.

Ideja për të fotografuar dhe dëshmuar për vendet ushtarake sekrete në Shqipëri i shkrepi pas vizitës së tij në bazën ushtarake ajrore të Gjadrit.

"E vizitova atë në vitin 2017, më pas bazën ushtarake ajrore në Kuçovë, baza ushtarake detare dhe vende të tjera ushtarake sekrete. Jam impresionuar kur kam parë tunele plot me avionë luftarake MIG dhe kaq shumë armë: qindra avionë luftarakë, tanke dhe pajisje të tjera të mjaftueshme për të luftuar një armik të madh, një vend të vogël si Shqipëria, që donte të mbrohej. Ndoshta nga frika prej fqinjve ose NATO-s. Jo më kot baza ajrore e Kuçovës ka një pistë, që në mënyrë të pabesueshme është e gjatë, 3-4 km, ku mund të ulet çdo lloj mjeti gjigand ajror në botë. Doja të dokumentoja gjithë sa kam parë për publikun, sepse publiku nuk mund të shkojë atje," thotë ai.

Albanien Austellung "Paranoia Reste" in Tirana
Mitat GjinajFotografi: Ani Ruci/DW

Ne përgatiteshim për luftë

Por ish-pilotët në bazat ushtarake ajrore shkonin ꞔdo ditë atje, në vendet sekrete dhe sot dimë gjithçka, madje edhe më shumë nga sa thonë fotografitë mbresëlënëse të Alfred Diebold.

"Ne përgatiteshim për luftë. Bënim fluturime natën edhe në kushte të vështira metereologjike. Nuk kishim misione zbulimi, bënim thjesht stërvitje për mbrojtje dhe asnjëherë për sulm. Detyra jonë ishte prishja e formacionit të çdo armiku të mundshën, çorientimi i tij në ajër. E dinim që nuk kishim fuqi të bënim luftë ajrore," thotë për DW, Mitat Gjinaj, ish pilot ushtarak.

Ai e përshkruan bazën ushtarake ajrore të Gjadrit si "më të mirën, më të mbrojturën, ku gjithçka bëhej brenda tunelit”.

"Ishte shpuar mali dhe tuneli ishte hapur në formë harku. Modeli ishte marrë nga Suedia. Brenda tij strehoheshin avionë MIG 21 të armatosur me raketa, mitralozë, të ardhur nga Kina, që për kohën ishin shumë të përparuar, me shpejtësi mbi shpejtësinë e zërit, rreth 2000 km në orë. Ata dilnin direkt nga gryka e tunelit në pistën kryesore të aeroportit ushtarak të Gjadrit. Kishte edhe aeroporte rezervë për situata luftarake në Shkodër, Vlorë, Cërrik, Korçë dhe Gjirokastër. Kishte edhe bazë raketash në zonën e Shkodrës dhe në malin e Çajupit,” tregon për DW, ish-piloti ushtarak Mitat Gjinaj.

Lufta në Ukrainë

Albanien Austellung "Paranoia Reste" in Tirana
Fotografi: Ani Ruci/DW

Breza të tërë shqiptarësh vuajtën pasojat e paranojës nga armiq imagjinarë dhe super militarizimin e vendit: represion, ksenofobi, varfëri dhe traumë kolektive. Armiqtë kryesorë ishin ish-Bashkimi Sovjetik dhe SHBA, që nuk i shpallën kurrë luftë Shqipërisë komuniste të armatosur deri në dhëmbë për t'u mbrojtur prej tyre. Lufta në Ukrainë, agresioni rus po e kthen vëmendjen ndaj përgatitjes për t'u mbrojtur nga armiku.

„Ndoshta tani, për shkak të luftës në Ukrainë, ekspozita fotografike,"Remains of Paranoia" është më kuptimplotë. Jam i ndërgjegjshën për efektin dhe rëndësinë e sotme. Dhe kjo na çon të kemi më shumë dialog, më shumë diskutime të tilla si: Cilët jemi ne? Si dëshirojmë t‘i zhvillojmë jetët tona? Çfarë do të thotë të mbrosh vendin tënd dhe të jesh gjithashtu i hapur ndaj paranojës prej armikut? Sa e rrezikshme është kjo?", thotë për DW, Alfred Diebold.

Dialogu për të shkuarën e afërt komuniste dhe të sotmen demokratike, në kontekstin e luftës në Ukrainë, bëhet kur Shqipëria prej 13 vitesh është vend anëtar i NATO-s dhe sivjet hapi negociatat për hyrje në BE. Sot forcat ajrore të Shqipërisë kanë vetëm një flotë të vogël helikopterësh dhe hapësira e saj ajrore mbrohet nga NATO. Baza ajrore ushtarake, që po ngrihet në Kuçovë, do të jetë baza e parë e NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që po modernizohet me një fond prej 45.8 milion euro.

Vlera të ekspozitës

Albanien Austellung "Paranoia Reste" in Tirana
Roland TashoFotografi: Ani Ruci/DW

Roland Tasho, fotografi i njohur në Shqipëri, fitues i disa çmimeve kombëtare, rajonale dhe europiane vlerëson ekspozitën për këndvështrimin e autorit.

„Alfred Diebold ka një këndvështrim interesant dokumentimi. Ai ka dokumentuar kohën para rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri. Është futur në zona sekrete, të ndaluara. Kjo e bën ekspozitën shumë interesante, krejt të veçantë dhe një dokument historik me shumë vlerë, një embleme të asaj periudhe", thotë për DW, Roland Tasho.

"Kjo ekspozite është një aventurë e madhe. Shpresoj të jetë fillimi i një aventure edhe më të madhe: mendoj të njoh dhe të takoj njerëz që mund të flasin për këto vende sekrete, që jetuan në këto baza ushtarake. Do të ishte shumë mirë të shihej nëse ka të njëjta përvoja në vende të tjera për të mësuar çfarë po ndodh tani, si ka qënë në të kaluarën dhe hapur dialogun".

Alfred Diebold është ekonomist gjerman, autor, fotograf dhe kineast.