Ekzodi tunizian drejt Italisë nuk ka të ndalur
14 Shkurt 2011"Anija po mbytet, po mbytet. Në bord nuk shihen njerëz", dëgjohet nga radio-operatori i një avioni kontrollues te policisë financiare italiane. Kjo ndodhi të shtunën pasdite vonë (12.2.) në ujërat e Lampeduzes. Një anije e shpejtë e rojes bregdetare mundi të shpëtojë në minutën e fundit të njëqind njerëzit, që ndodheshin në varkë. Ato u dërguan në Lampeduza në orët e hershme të së dielës (13.2.). Të tjerë, që ndodheshin në një tjetër anije, që u mbyt të shtunën në brigjet tuniziane, patën më pak fat, ndoshta dy vetë janë mbytur.
Një mësymje të tillë Lampeduza nuk ka parë kurrë
Në Lampeduza ka të ngjarë të qëndrojnë aktualisht rreth 700 refugjatë të ardhur me varka. Rreth 800 u dërguan të shtunën me avion dhe traget në Brindisi, Foxhia, Bari dhe Crotone. Atje gjenden tashmë 1.200 vetë. Drejtori i kampit të refugjatëve Mimmo Zurlo: "Qendra jonë e pritjes për kërkuesit e azilit zë rregullisht 944 vetë, për raste urgjente janë në dispozicion maksimumi 1400 shtretër."
Po kaq e tensionuar është situata në të gjitha kampet e tjera, shumica janë të mbushura deri në vendin e fundit. Prandaj Kryqi i Kuq italian do të ndërtojë të dielën në Sirakuza të Sicilisë, një qytet tendë për rreth 500 persona.
Numri i refugjatëve të ardhur me varka vazhdon të rritet, në katër ditet e fundit përmes detit kane ardhur 5000 vete. Kryetari i bashkisë së Lampeduzës foli për një eksod të përmasave biblike. Edhe pse kjo është e ekzagjeruar, një sulm të tillë ishulli më jugor i Evropës nuk e ka parë deri më tani.
Ekzodi mund të vazhdojë
Pothuajse të gjithë refugjatët vijnë nga Tunizia, shumica janë djem të rinj. Ata tregojnö se udhetimi me anije u ka kushtuar 1000 € dhe se në portet tuniziane nuk ka më kurrfarë kontrolli. Prandaj ka gjasa që ardhja e refugjatöve të vazhdojë - deri në dhjetë anije të tjera janë venë re natën e së shtunës larg nga Lampedusa. Antonio Morana, komandant i rojes bregdetare thotë: "Ne nuk e dimë saktësisht, por nëse shikoni se çfarë ndodh këtu, ndoshta të gjitha anijet janë të mbushura me emigrantë."
Kritika ndaj autoriteteve italiane
Lajmet kryesore të televizionit shtetëror italian RAI i kanë fshehur përmasat e gjendjes. Shifra të sakta nuk janë dhënë. Përveç kësaj, situatat u paraqitën të zbukuruara dhe të tjetërsuara. Gazetari Marco Bariletti: "Pasi kanë zbarkuar, emigrantët shpërndahen në disa qendra pritjeje si kjo. Janë me qindra vetë."
Por kjo nuk është krejtësisht e vërtetë. Janë me mijëra dhe qendra pritjeje nuk ka. Qendra e pajisur mirë e pritjes në Lampedusa, ku mund të strehohen mirë deri në 2.000 njerëz, edhe pse është gati, mbahet akoma e mbyllur me urdhër të Ministrit të Brendshëm Maroni - për arsye politike. Refugjatët shpërndahen më shumë në qendra komunale, në famullitë e ishullit dhe aeroport, ose duhet ta kalojnë natën në skelë. Shumë organizata humanitare kanë kërkuar ndërkohë hapjen e menjëhershme të kampit. Riccardo Clerici, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët thotë: "Situata është kritike - për shkak të numrit të madh dhe frekuencës së ardhjeve të anijeve. Si organizatö e Kombeve të Bashkuara, ne kërkojmë që të plotësohen kushtet minimale për marrjen e refugjatëve, edhe në fazën e transferimit në vende të tjera."
Italia ka në plan që të dërgojë të hënën (14.7.) vullnetarë të mbrojtjes civile në Lampeduza, shefi i policisë së Palermos u emërua komisar special. Edhe fluturimit e posaçme, që do t'i dërgojnë refugjatët nga ishulli në brendësi të Italisë, rinisën të dielën.
Autor: Stefan Troendle/Angjelina Verbica
Redaktoi: Esat Ahmeti