1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ende nuk është votuar demarkacioni me Malin e Zi në Kosovë

Bekim Shehu
20 Mars 2018

Gazi e ndërpreu seancën për demarkacionin në Kuvendin e Kosovës të mërkurën. Për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, nevojiten 80 vota nga 120 deputetë, sa ka Parlamenti i Kosovës.

https://p.dw.com/p/2uT6S
Kosovo Pristina - Tränengas im Parlament
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Gazi e ndërpreu seancën për demarkacionin në Kuvendin e Kosovës të mërkurën. Sipas mediave deputetët e Vetëvendosjes kanë hedhur gazin lotsjellës, por nuk dihen emrat e tyre. "Sot është ditë e rëndësishme, tha ambasadori i SHBA në Kosovë, Delaui. Ai u bëri thirrje deputetëve të votojnë marrëveshjen që qytetarët e Kosovës të mos mbeten të izoluar.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur më parë se ai pret që deputetët e kuvendit të Kosovës të reflektojnë dhe ta mbështesin ligjin e demarkacionit, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të dalin nga izolimi dhe të lëvizin lirshëm në zonën Shengen. Por numri i mjaftueshëm i votave (80) ende nuk është i sigurtë. Shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi është kusht i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. "Edhe për mua nuk ka qenë një proces i lehtë dhe vazhdon të mos jetë një proces i lehtë, por nuk po mund ta shoh popullin tim të izoluar, duke pasur parasysh se megjithatë kemi arritur ta ruajmë tërësinë territoriale dhe mundësinë e korrigjimit të marrëveshjes në drejtimin e Çakorrit dhe Kullës”, tha Haradinaj.

Kosovo Pristina - Tränengas im Parlament
Fotografi: picture-alliance/AA/E. Keci

Vetëm gjatë këtij viti, parlamenti i Kosovës tentoi tri herë që ta ratifikojë këtë marrëveshje, por nuk arriti ta kalojë, sepse kishte mungesë të votave.

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar në vitin 2015 është plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe të Malit të Zi Filip Vujanoviq. Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.

Ramush Haradinaj im DW-Interview
Ramush HaradinajFotografi: DW

A do të arrihen 80 vota?

Për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit nevojiten 80 vota, nga 120 deputetë që ka parlamenti i Kosovës. Por tash për tash akoma është e paqartë nëse koalicioni qeverisës që mbështetet edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i ka 80 votat e nevojshme. 79 vota koalicioni qeverisës dhe LDK  thuhet t'i kenë siguruar, pasi një deputete e lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi,  iu bashkua AAK-së së kryeministrit Haradinaj. Por, mbetet të shihet deri të martën nëse është arritur të sigurohet edhe një votë për ta arritur numrin e nevojshëm prej 80 votave që të kalojë demarkacioni. Lëvizja Vetëvendosja dhe lista Srpska, deri tash janë deklaruar kundër marrëveshjes.

Ausschreitungen im Kosovo Podujevo
Fotografi: AP

Lëvizja Vetëvendosja pretendon se Kosova me këtë marrëveshje aktuale humb territor. Vetëvendosja kërkon që "fillimisht të korrigjohen gabimet e bëra në shënjimin e kufirit me Malin e Zi e pastaj të ratifikohet marrëveshja”. Ndërsa për listën Srpska, "me e rëndësishme është që të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, sesa ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi”.

"Për Listën Serbe prioritet është formimi i Asociacionit të Komunave serbe (AKS) në Kosovë, e jo çështja e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi. Demarkacioni është me rëndësi për shqiptarët e Kosovës, por për serbët në Kosovë shumë më i rëndësishëm është formimi i AKS-së dhe avancimi i pozitës së serbëve në Kosovë”, thotë Igor Simiq nga grupi parlamentar  Srpska.

Zyra e BE-së në Prishtinë, ndërkaq, e ka mirëpritur marrëveshjen e dy presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi, që mundësoi  që demarkacioni të procedohet në kuvendin e Kosovës.

"Po presim që suksesshëm dhe shpejt të ratifikohet marrëveshja e diskutuar gjatë në demarkimin me Malin e Zi që do t'i sjellë qytetarëve të Kosovës të gëzojnë mundësinë për lëvizje të lirë”, është shprehur  shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.