Erdogani në Moskë: Plane të reja për Sirinë?
23 Janar 2019Presidenti turk, Erdogan takohet të mërkurën (23.01.) me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë. Siria është tema qendrore e bisedimeve, edhe këtë herë. Të dy presidentët në fund të vitit 2016 kanë bashkuar forcat dhe së bashku me Iranin thirrën procesin e "Astanasë", që duhet t'i jepte fund gjakderdhjes në Siri. Por pas njoftimit të presidentit, Donald Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, secili aktor në rajon po rishikon planet e tij. Në tavolinën e shahut qëndrojnë tre tema: krijimi i një zone të sigurisë në veri të Sirisë në lindje të lumit Eufrat, një operacion i mundshëm i trupave turke në Manbidxh dhe rritja e ndikimit të islamistëve të afërt me Al-Kaidën në Idlib.
Tek të gjitha këto tema për Turqinë ka një vijë të kuqe: organizata e krijuar nga kurdët, PYD/YPG. Partia e Unionit Demokratik, PYD dhe krahu i saj i armatosur, Njësitë Kurde të Mbrojtjes, YPG kanë lidhje të ngushta me PKK, që ndodhet në listën e terrorit në turqi, BE dhe SHBA. Turqia e sheh PYD/YPG si krahun sirian të PKK-së dhe e kategorizon si organizatë terroriste. Ndryshe nga partneri i NATO-s, SHBA që u mbështet tek YPG-ja në luftën kundër milicëve të IS-it. Që Uashingtoni i trajnoi dhe armatosi kurdët e YPG-së ka qenë një halë në sy për Turqinë. Qëllimi zyrtar i PYD/YPG-së është krijimi i një rajoni atuonom në veri të Sirisë, në jug të kufirit me Turqinë.
"Zona e sigurisë"
Turqia kërkon krijimin e një zone të sigurisë, me qëllim që të krijojë një zonë të ndërmjetme mes kufirit të saj dhe rajonit sirian ku zhvillohen luftime. Qëllimi është që luftëtarët e armatosur kurdë të YPG-së të largohen nga ky rajon dhe të hapin vend për refugjatët sirianë, që duhet të kthehen nga Turqia në vendin e tyre. Sipas Dr. Murat Yesiltas nga "Fondacioni për Studime Politike, Sociale, dhe Ekonomike" (SETA) me qendër në Ankara bëhet fjalë për rreth 300.000 kurdë që u detyruan të marrin arratinë prej YPG. Drejtori i studimeve të sigurisë në SETA kujton artikullin e botuar si i ftuar nga presidenti Erdogan në "New York Times", ku ai shprehet se Turqia në pjesët veriore të dominuara nga kurdët në veri të Sirisë do të krijojë "këshilla komunalë", dhe do t'i ftojë kurdët, që nuk kanë marrë pjesë në luftime terroriste të marrin pjesë në këtë proces.
Sipas ekspertëve, presidentët Trump dhe Erdogan duket se janë të një mendimi për krijimin e një zone të sigurisë. Sipas qarqeve diplomatike bëhet fjalë për një zonë sigurie prej 32 kilometrash. Krijimin dhe kontrollin e këtij korridori Turqia do ta marrë vetë përsipër. Nuk dihet, nëse amerikanët e mbështesin këtë pozicion turk.
Dr. Kerim Has, ekspert nga Moska është i mendimit, se ka pasur disa ujdi me presidentin Trump për fatin e kurdëve sirianë. Turqia nuk do të veprojë ushtarakisht kundër luftëtarëve të YPG-së, dhe kurdët do të tërhiqen nga zona e sigurisë për të kaluar në jug të Sirisë, sipas Kerim Has. Sipas tij ka gjasa që në fund të ngrihet një Kurdistan Sirian si në Veri të Irakut, me ndihmën dhe miratimin e Turqisë.
Por çfarë mendon Moska për një zonë të tillë të sigurisë? Kerim Has kujton qëndrimin e Rusisë, sipas të cilit, regjimi i Asadit duhet të fitojë kontrollin në të gjitha zonat e Sirisë. Edhe Moska parasheh për kurdët një lloj autonomie, por më shumë një autonomi kulturore. Eksperti i sigurisë, Murat Yesiltas është i mendimit, se regjimi i Asadit nuk do të ishte në gjendje të ruante stabilitetin dhe sigurinë në lindje të Eufratit. Prandaj Rusia është e hapur ndaj alternativave.
Manbidxh
Një tjetër vatër e nxehtë është Manbidxhi pranë Eufratit, në anën perëndimore të lumit. Erdogan kërcënon prej muajsh me një operacion ushtarak. Arsyeja: Qyteti që banohet më së shumti nga arabë, u mor nga YPG pas luftimeve kundër IS-it, dhe ndryshe nga premtimi amerikan dhënë Ankarasë qyteti nuk u lëshua nga YPG. Trupat e Asadit janë stacionuar vetëm në periferi të qytetit, pjesërisht me milicët e YPG-së. Rusia dëshiron që ky qytet të jetë nën kontrollin e Asadit. Sipas ekspertit Kerim Has, Rusia nuk ka për të dhënë dritë jeshile për një ofensivë të Turqisë në Manbidxh. Edhe nëse e bën këtë, atëherë me një kusht të qartë, që rajoni t'i dorëzohet sa më shpejt Asadit. Një "po" e Moskës do t'i mundësonte Erdoganit të paraqistë një triumf ushtarak para zgjedhjeve komunale në mars. Nga ana tjetër, Turqia do t'i mbetej borxh Rusisë.
Idlib
Sa të rëndësishme janë planet në lindje të Eufratit për Erdoganin, po kaq i rëndësishëm është për Putinin fati i Idlibit, mendon eksperti për Rusinë, Kerim Has. Rusia dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje në shtator të vitit të kaluar, ku sipas së cilës, bastioni i rebelëve, Idlib të mbetej një zonë e çmilitarizuar. Po ashtu u ra dakord që të tërhiqeshin të gjitha armët e rënda dhe "të gjithë luftëtarët radikalë". Prioritet kishte tërheqja e organizatës Hajat Tahrir Al-Sham, një degë e afërt me Al-Kaidën. Ankaraja nuk e donte një operacion ushtarak në Idlib dhe një valë të re refugjatësh në vendin e saj. Por kushtet e kësaj ujdie nuk janë përmbushur. Hajat Tahrir Al-Sham e ka zgjeruar influencën e saj pas luftimeve të ashpra kundër grupimeve rebele të mbështetura nga Turqia. Putin ka gjasa t'i kujtojë Erdoganit kushtet e marrëveshjes së vitit të kaluar sipas motos "ose ju e bëni operacionin dhe e nxirrni jashtë Hajat Tahrir Al-Sham, ose ne do ta bëjmë këtë", thotë eksperti Kerim Has.