EULEX-i heton për të gjetur vrasësit e policit
5 Nëntor 2011Zyrtarë të misionit EULEX, thonë se ata akoma janë duke zhvilluar hetime për të gjitha ngjarjet që ndodhën gjatë muajve të shkuar në veri të Kosovës dhe janë të bindur se të gjithë përgjegjësit që shkaktuan trazira do të përballen me drejtësinë. Misioni EULEX, tashmë ka një urdhër arrest për gjashtë persona që të gjithë pjesëtar të komunitetit serb. Ata dyshohen për vrasjen e policit kosovar Enver Zymberi, gjatë aksionit të policisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare me Serbinë me 26 korrik të këtij viti.
Zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi, thotë për DW, se këto urdhër arreste tashmë janë lëshuar edhe nga Interpoli. “Me kërkesë të prokurorëve të EULEX-it dhe atyre vendorë, nga qarku i Mitrovicës, Interpoli ka lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për gjashtë të dyshuar në rastin e vrasjes së një zyrtari të Policisë së Kosovës më 26 korrik. Të dyshuar janë: Ratomir Bozovic, Dushan Jovanoviq, Radomir Kasaloviç, Radovan Radiç, Milovan Vlaskoviq dhe Sllobodan Vuçiniç”, thotë zëdhënësi Blerim Krasniqi. Sipas tij, ky urdhër-arrestet ndërkombëtare janë miratuar nga gjyqtarët e EULEX-it, sepse besohet se të dyshuarit janë jashtë vendit.
Edhe ministria e punëve të brendshme e Kosovës krahas misionit EULEX, zhvillon hetimet e për ngjarjet në veri të Kosovës, mirëpo nuk është në gjendje të ndërmarrë ndonjë aksion të njëanshëm pasi serbët e veriut vazhdojnë të mbajnë të barrikaduara rrugët për pjesëtarët e misionit EULEX dhe ata të policisë së Kosovës.
Ministri i punëve të brendshme Bajram Rexhepi, thotë për Deutsche Wellen se mbetet i përkushtuar që në veri të zbatohet rendi dhe ligji dhe njerëzit që kanë bërë vepra kriminale, për të cilat ka aktakuza dhe fletarrestime, të vihen para drejtësisë. Mirëpo, sipas tij tash për tash, ministria e brendshme e Kosovës nuk do të ndërmarrë veprime të njëanshme në veri pa u koordinuar me KFOR-in dhe misionin EULEX. “Ministria tash për tash nuk ka ndonjë plan të veçantë, çdo gjë është e koordinuar me KFOR-in dhe misionin EULEX dhe pavarësisht që na obligon Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, ne nuk ndërmarrim veprime të njëanshme për arsye se duhet të jemi korrekt edhe ndaj miqve ndërkombëtarë”, thotë ministri Bajram Rexhepi.
Sipas ministrit Rexhepi, të dyshuarit për vrasjen e policit Enver Zymberi, dyshohet se janë strehuar në Serbi dhe Mal të Zi dhe sipas tij, është obligim i këtyre dy vendeve që t'i arrestojnë ata dhe t'i dorëzojnë te organet kosovare të drejtësisë.
Ndërkohë, njëri nga të dyshuarit serb që kërkohet nga interpoli, Ratomir Bozhoviq, këtë javë dha një intervistë për të përditshmen serbe Vecernje Novosti, duke mohuar të ketë pasur gisht në vrasjen e policit kosovar Enver Zymberi. "Nuk kam asnjë lidhje me vdekjen e policit Enver Zymberi, por më duhet të strehohem për faktin se unë dhe familja ime jemi në shënjestër”, tha për Vecernje Novistin, Ratomir Bozhoviq.
Ndërkohë, Ramadan Qehaja, ekspert i çështjeve të sigurisë, thotë për Deutsche Wellen se pa një aksion policor që do të rezultonte me shpërbërjen e strukturave paralele serbe, në veri të Kosovës nuk mund të vendoset rendi dhe ligji. “Në fund të fundit nëse lejohet që autoritetet e Prishtinës të veprojnë ashtu siç bënë deri tash, ndërsa strukturat paralele të vazhdojnë veprimtarinë e tyre, atëherë nuk është bërë asgjë. Së pari duhet vepruar me shpërbërjen e strukturave paralele në mënyrë ligjore dhe në këtë mënyrë ata nuk do të mund të bënin presion mbi popullatën lokale serbe në veri e cila në shumicë është për një bashkëjetesë”, thotë Ramadan Qehaja.
Në veri të Mitrovicës dhe në tri komunat e tjera të veriut të Kosovës të banuara me shumicë serbe, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok, Kosova nuk ka mundur ta shtrijë autoritetin e vet kushtetues, prej më shumë se tri vjetësh që kur u shpall pavarësia e Kosovës. Në këtë pjesë banorët serbë përfaqësohen nga persona që janë zgjedhur nga zgjedhjet lokale të organizuara nga Serbia dhe nuk njohin autoritetin e Prishtinës. Këto zgjedhje dhe këta të zgjedhur serb cilësohen të paligjshëm nga Prishtina zyrtare dhe nga prania ndërkombëtare në Kosovë, megjithëse për zhbllokimin e rrugëve në veri, KFOR-i dhe misioni EULEX, vazhdimisht zhvillon biseda me ta.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Aida Cama