1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa funksionon - Ujdi para samitit të Brukselit

Bernd Riegert / Lindita Arapi19 Dhjetor 2013

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së nisin të enjten pasdite samitin dyditor në Bruksel. Para samitit, ministrat e Financave ranë në ujdi për unionin bankar, një model i komplikuar por mbrojtës për taksapaguesit.

https://p.dw.com/p/1AcQL
Fotografi: picture-alliance/dpa

Samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive europiane nis sot (19.12) në Bruksel me një lajm të mirë. Pak para samitit ministrat e Financave të Bashkimit Europian ranë dakord në një maratonë takimesh për unionin bankar dhe kuadrin rregullator të tij. Unioni bankar është pasojë e krizës financiare në Europë, që synon sigurinë e kursimeve të taksapaguesve dhe mbrojtjen e tyre nga spekulimet e rrezikshme financiare. Presidenca lituaneze në ditët e fundit të saj, deklaroi se ujdia kurorëzon përpjekjet e muajve të fundit "për një Europë më të besueshme". Ujdia parasheh jo vetëm mekanizmin rregullues likuidues për bankat, por edhe një fond europian bankar që do të ngrihet në dhjetë vitet e ardhshme. Ujdisë së ministrave të Financave pritet t'i japë bekimin e tij vetëm Parlamenti Europian.

"Kemi ecur shumë mirë përpara"

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble në humor të mirë u shpreh para takimit të 28 ministrave të Financave të BE-së, se "mesazhi i krishtlindjeve këtë herë është i qartë: Europa funksionon". Detajet rregulluese juridike të ujdisë do të përfundojnë deri në pranverën e vitet 2014. Komisioneri i BE-së për valutën, Olli Rehn bëri fjalë për një "sukses të rëndësishëm" të arritur nga ministrat e Financave të eurozonës. Edhe ministri gjerman i Financave deklaroi se takimet në mesnatë nuk janë humbje kohe. "Duhet ta themi qartë, kemi ecur shumë mirë përpara."

Në foto, Wolfgang Schäuble
Në foto, Wolfgang SchäubleFotografi: DW/B. Riegert

Nga viti 2014, 130 bankat më të rëndësishme në Europë do t'i nënshtrohen mbikqyrjes së drejtpërdrejtë të Bankës Qendrore Europiane. Në rast se autoriteti i mbikqyrjes bankare merr vendimin se një bankë ka dështuar dhe duhet ristrukturuar, atëherë futet në lojë i ashtuquajturi "Mekanizmi likuidues i njësuar" (SRM). Ky autoritet i ri, zhvillon planin e ristrukturimit, që duhet të financohet nga pronarët e bankës fillimisht, kreditorët, një fond bankar. Fjalën e fundit do ta kenë në raste problematike ministrat e Financave të BE-së, dhe jo Komisioni Europian. Mënyra e procedimit të autoritetit likuidues duket një model mjaft i komplikuar, i kritikuar në Parlamentin Europian edhe nga Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, i cili do të drejtojë autoritetin e mbikqyrjes bankare.

Pas dhjetë vitesh aktiv: Fondi bankar

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble u mbrojt indirekt nga kritika të tilla. "E di që është e komplikuar. Por po qe se keni një ide më të mirë, se si mundet që nga 28 shtete të pavarura, një krijohet një union politik dhe ekonomik, dhe nga 18 shtete një valutë e përbashkët, - ju lutem ma thoni."

Grindje pati mes shteteve më të pasura dhe atyre më të varfra të eurozonës lidhur me financimin e fondit bankar europian. Ky fond do të duhet të krijohet brenda një periudhe kohore prej dhjetë vitesh dhe në fund në arkë duhet të ndodhen 55 miliardë euro. Në këtë fazë të ndërmjetme, sipas vullnetit gejrman duhet të paguajnë vetë shtete të veçanta në rast se një bankë falimenton, në rast se ato nuk munden, atëherë mund të tërheqin para nga fondi europian i shpëtimit, ESM në Luksemburg, por me kushte shumë të rrepta. Këtë praktikë e ka përdorur Spanja për të ristrukturuar bankat e saj.

Në foto, Jose Manuel Barroso
Në foto, Jose Manuel BarrosoFotografi: Janek Skarzynski/AFP/Getty Images

Vendet e tjera në krizë si Spanja, Italia, Irlanda duan të arrijnë që bankat të financohen direkt nga ESM-ja, sepse këto para nuk llogariten si borxhe të reja për shtete të ndryshme.

Barrë më e madhe për pronarët e bankave

Unioni bankar është sipas mendimit të Presidentit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, projekti më i rëndësishëm i Bashkimit Europian. Ai do të pengojë që në rast shpërthimi të një krize të re të paguajnë taksapaguesit. Tani bëhet e qartë për pronarët e bankave dhe investorët e tyre se rreziqet e veprimeve financiare rriten, sepse ata do të jenë në fund ata që do të paguajnë. Sipas minisitrit Schäuble, unioni bankar do ta bëjë më të fuqishme euron. "Unioni bankar është një hap i rëndësishëm në stabilizimin e suksesshëm të valutës së përbashkët, dhe bind tregjet financiare, se valuta europiane funksionon, megjithë strukturat e komplikuara europiane.