Paqja e akullt e Bosnjës
24 Nëntor 2018Jo përditë, por për çdo vit në Bosnjë del marmota dhe dëgjojmë se vendi nuk mban më dhe mund të plasë lufta sërish. Nuk ka vit që kreu i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, të mos kërcënojë me diçka. Ose me ndonjë referendum për shkëputjen e serbëve, ose me tërheqjen e përfaqësuesve dhe nëpunësve serbë nga qeveria qendrore. Dhe tani ai po kërcënon se nuk do t'i respektojë më vendimet që treshja presidenciale i merr me shumicë votash.
U bënë mbi 20 vjet që Dodiku kërcënon. Por asgjë nuk ka ndryshuar, as për keq, por edhe – dhe ky është sekreti i provokimeve të vazhdueshme – as për mirë. Secili komb i shtetit katërmilionësh boshnjak: myslimanët, serbët dhe kroatët, kanë frikë nga dominanca e tjetrit. Rezultati është një bllokadë e gjerë e institucioneve që hapet vetëm rrallëherë dhe me shumë presion. Dhe është garancia më e mirë për pushtetin e një marmote, siç është Milorad Dodik.
Mosbesim i pakufi
Në Bosnjë ekziston një mosbesim i madh – dhe jo pa shkak. Në luftën e zhvilluar prej vitit 1992-1995 luftuan në fillim serbët kundër aleatëve boshnjakë dhe kroatë, pastaj u bashkuan serbët dhe kroatët kundër boshnjakëve. Ndërkohë është ngritur një komb i tërë, shumë më i ndarë sipas kombësisë se brezat paraardhës. Por sot as frika - para së gjithash e serbëve, por edhe e kroatëve - nga predominimi i të tjerëve nuk është joracionale.
Jo vetëm në Bosnjë, por në të gjithë botën dhe te fuqitë e mëdha mbikëqyrëse në Europë, serbët janë humbësit moralë. Edhe pse janë shumë të rij për të qenë fajtorë në luftë, ata kanë frikë nga trajtimi i pabarabartë dhe keqtrajtimi. Vetëm lufta mund të përjashtohet me siguri, sepse vendi është në depresion. Boshnjakët, serbët dhe kroatët më përpara mbledhin plaçkat dhe shkojnë të rrinë paqësisht pranë njërit-tjetrit në autobus për Stuttgart, Köln ose Vjenë, sesa të mobilizohen për luftë.
Të frustruar nga bllokadat dhe ngadalësia e përparimeve jo vetëm në Bosnjë, disa politikanë dhe diplomatë europiano-perëndimorë kanë dalë me receta të vjetra – ushqim për marmotat. A nuk do të ishte më mirë sikur t'i ndanim etnitë, sepse është shumë e qartë që ato nuk bëhen dot me njëra tjetrën? Kështu edhe propozimi i presidentit të Serbisë dhe Kosovës, për të shkëmbyer territore, është dëgjuar me interesim dashamirës në shumë vende evropianoperëndimorë. A nuk është gjithçka më mirë, kur serbët dhe shqiptarët janë veç e veç, sesa të rrinë bashkë duke përgjuar papushim njëri-tjetrin? Hesape të ndara, miq të mirë: Kjo moto ka nisur të ketë gjithnjë e më shumë simpatizantë, sidomos në Bosnjë.
As hesape të ndara, as miq të mirë
Aty etnitë prej shumë kohësh janë të ndara faktikisht. Gjërat e përbashkëta, për të cilat duhet të bien dakord se si t'i administrojnë, janë shumë më të pakta se sa për shembull ato gjëra që ndajnë vendet e BE-së. Edhe Bosnja-Hercegovina është një shembull që e dëshmon më së miri se hesapet e ndara nuk garantojnë asnjëherë "miqësi të mirë".
Me monoetnicitetin e arritur gjatë luftës, pjesa serbe nuk është bërë aspak më demokratike. Përkundrazi: përsa kohë që këtu institucionet e ndryshme duhet të merren vesh me njëri-tjetrin, janë të nevojshme institucione dhe procedura demokratike. Tani, meqë serbët janë "më vete", prandaj edhe lejojnë t'i qeverisë Milorad Dodik në stilin e një babai patriarkal: pa u kundërshtuar, pa opozitë serioze. Jo më kot ai i ndërron postet e kushtetutës: herë bëhet kryetar qeverie i republikës së tij, herë president, herë anëtar i presidiumit të shtetit. Dhe pak të ngrihen në këmbë fëmijët e vendit, mjafton një provokim ndëretnik dhe të gjithë së bashku struke nën mbrojtjen e babait të madh të kombit.
Ndarjet etnike, siç na e tregon edhe shembulli i Bosnjës, nuk sjellin asgjë. Përkundrazi. Edhe në vendet fqinje Serbi dhe Kroaci shndërrimi në shtet kombëtar nuk ka sjellë as lulëzimin e demokracisë dhe as fqinjësinë e mirë. Me Aleksandar Vuçiçin qeveris në Beograd sërish një burrë i fuqishëm, i cili arrin t'i japë vetes vazhdimisht pushtetin që i nevojitet me ngacmime të dozuara mirë ndaj Kosovës. Në Kroacinë tashmë thuajse tërësisht monoetnike, nacionalizmi dhe urrejtja ndaj pakicës serbe janë ndoshta edhe më të mëdha se në kohën e luftës.
Perspektiva evropiane
Bashkimi Evropian për çdo afrim të mëtejshëm u vë boshnjakëve si parakusht që së pari të sqarohen me njëri-tjetrin. Të krijojnë institucione të forta dhe të konsolidohen si shtet. Përpjekjet për të disiplinuar Dodikun autoritar nuk kanë munguar nga ana e fuqive mbikëqyrëse evropiane, por të gjitha kanë dështuar para mekanizmave të frikës. Shpresat se brezi i ri mund ta ndryshojë këtë gjendje janë zhgënjyer.
Kjo vërtet që kërkon një zgjidhje tjetër. Por në vend që të mbështesë ndarje të mëtejshme etnike, Evropa duhet të ketë besim te zgjedhja e vet: që t'i vërë konfliktet lokale në kontekste më të mëdha në mënyrë që atyre t'u bjerë vlera, të mundësojë diversitet, të forcojë të drejtat individuale. Në një kontekst më të madh, siç ishte ish-Jugosllavia, boshnjakët e të gjitha kombeve kanë jetuar pa probleme. Një Evropë e bashkuar mund të përbënte një kornizë të re. Parakusht është që ajo të ketë besim te vetja.
Norbert Mappes-Niediek jeton në Graz të Austrisë dhe është korrespondent i Evropës Juglindore për një numër gazetash në gjuhën gjermane.