1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakicat e panjohura të Evropës

30 Janar 2010

Çfarë i bashkon arbëreshët e Italisë, sefardët e Bosnjës, dageshët e Sllovakisë, koçevarët e Sllovenisë, arumunët e Maqedonisë? Janë pakica, që në Evropën e kombeve pothuajse nuk i njeh askush

https://p.dw.com/p/LdyN
Terra Incognita
Fotografi: AP Graphics/DW
Civita, një fshat arberesh në Itali. Në fotografitë e Kurt Kaindlit duket, sikur koha aty ecën më ngadalë se gjetkë. Burrat të ngeshëm, që luajnë letra, ose janë ulur tek bordura e një lulishteje dhe shikojnë drejt objektivit pa u shtrënguar të bëjnë ndonjë pozë, një grua e moshuar me të zeza para portës, një djalë që këmbëngul të fotografohet para bustit të Skënderbeut. Kaindl çuditet: "Tek pakicat, që kam vizituar unë deri tani të rinjtë nuk duan të dinë shumë për të kaluarën, por tek arbëreshët ishte ndryshe: aty ishin të gjithë krenarë. Në çdo fshat ishte busti i Skënderbeut".
Pamje nga Civita
Pamje nga CivitaFotografi: Kurt Kraindl

Në kërkim të të panjohurve

Kurt Kaindl ka parë shumë pakica. Së bashku me publicistin Karl-Markus Gauß ka vizituar shumë "Evropianë të panjohur", siç i quajnë ata nëpër librat e tyre. Ata janë për shembull sefardët e Bosnjës, - hebrenj të dëbuar nga Spanja në kohën inkuizicionit, vllehët e Ballkanit, ose sorbët, një pakicë sllave, që jeton në Gjermani. Disa syresh madje tashmë mund të quhen evropianë të zhdukur: Si për shembull koçevarët (në gjerm: Gottscheer), një pakicë gjermane që ka jetuar në Slloveni. "Tani mund të gjesh më së shumti dhjetë vetë që e flasin goçebërishten", thotë Kaindl. Njëra prej tyre është Maritza Gril, e cila ka ngritur një muze të vogël të ngulimeve të vjetra. Në vend të njerëzve, Kaindli ka fotografuar dëshmitarët e heshtur: një pyll me një palë shkallë të rrënuara, ose varrezat.

Bust i Skënderbeut afër Lungros
Bust i Skënderbeut afër LungrosFotografi: Kurt Kaindl

Bardhë e Zi

Fotografitë e Kaindl-it, të cilat janë bërë gjatë një udhëtimi në vitet 1999-2003, deri tani janë ekspozuar në shumë metropole të Evropës. Ndërkohë ato po kthehen sërish aty në njërin prej vendeve, ku e kanë zanafillën: në Brandenburg të Gjermanisë, ku jetojnë sorbët, një pakicë sllave.

Kaindl vetë nuk është fotoreporter, por e ka zgjedhur enkas, zhanrin klasik të fotoreporterit, bardhë e zi: "Kështu mund të punoj në mënyrë më abstrakte dhe të fokusohem tek ato elemente, që janë më të rëndësishme", thotë ai.

Kaindl: "Në se në këtë fotografi do të kishte një fëmijë me një top të kuq, atëherë e gjithë vëmendja do të përqendrohej tek topi." Pamje nga Sarajeva
Kaindl: "Në se në këtë fotografi do të kishte një fëmijë me një top të kuq, atëherë e gjithë vëmendja do të përqendrohej tek topi." Pamje nga SarajevaFotografi: Kurt Kaindl

Fotografitë e Kaindlit janë plastike dhe të ngjallin shumë asociacione: Tek shikon arbëreshen para portës, duket se ndjen edhe erën e pastës së porsagatuar, që del nga shtëpia e saj, ose të ftohtin e hidhur, që duhet të ndjejnë brenda barakës së tyre romët (degeshi)e Svinjës në Sllovaki, edhe pse fytyrat e qeshura në fotografinë tjetër duket sikur tregojnë të kundërtën.

Mbijetesë me çdo kusht

Kaindl dhe Gauss donin të dinin se si kanë mundur të mbijetojnë këto pakica të vogla në Evropën e kombeve dhe cili ishte çmimi i kësaj mbijetese? "Ajo që mësuam ne nga këto udhëtime ishte se nga njëra anë është diçka me vlerë dhe pasuruese, kur bën qëndresë për të ruajtur kulturën tënde, por nga ana tjetër ne përjetuam se këto pakica këmbëngulnin me njëfarë kokëfortësie të tepruar në disa tipare tepër të vogla, që i dallonin nga të tjerët dhe që këtë ndryshim e quanin shumë të rëndësishëm, madje më të rëndësishëm se gjithë jetën e tyre."

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica