1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundi i globalizimit

Andreas Becker/Angjelina Verbica 4 Tetor 2013

Politika monetare e SHBA u krijon probleme vendeve në prag të industrializimit. Mosmarrëveshja në Kongres i vështirëson problemet. Në Simpoziumin Ekonomik Global në Kiel, disa mendojnë se ky është fundi i globalizimit.

https://p.dw.com/p/19tPF
Fotografi: picture-alliance / dpa / DW Montage

Që nga kriza financiare Banka Qendrore Amerikane (Fed) i përmbyt tregjet me para me shpresën që të stimulojë ekonominë. Kur shefi i Fed-it Ben Bernanke sugjeroi për herë të parë para pak kohësh se politikës së parasë së lirë mund t'i vijë fundi së shpejti, tregjet financiare reaguan me frikë. Në mes të shtatorit Bernanke e tërhoqi dhe e shtyu për më vonë ndryshimin e kursit, që kishte paralajmëruar.

"Fed-i është i rrituri i fundit në një dhomë plot fëmijë", thotë Barry Eichengreen, profesor ekonomie në Universitin e Kalifornisë në Berkeley. "Dhe kur të gjithë fëmijët kërkojnë ëmbëlsira, sepse për momentin nuk ushqim tjetër për to, Fed-i nuk mund të thotë: jo fëmijë, tani nuk ka më bonbone."

S'ka bonbone për fëmijët

Politika monetare e paqartë ka pasoja të pakëndshme për vendet në zhvillim dhe ato në prag të industrializmit. "Para disa vitesh na është dashur të përpiqemi shumë, që të mos përmbyteshim nga masat e parave, që rrezikonin të vinin në Turqi", thotë ministri turk i Financave, Mehmet Simsek. "Ndërsa sot ekziston rreziku që të mos marrim më kapital". Meqenëse investitorët tani frikësohen nga fundi i parasë së lirë, kanë filluar t'i tërheqin paratë nga Turqia, Brazili dhe tregjet e tjera të vendeve në zhvillim.

Mehmet Simsek, ministër i Financave të Turqisë
Mehmet Simsek, ministër i Financave të TurqisëFotografi: Ozan Kose/AFP/Getty Images

"Vendet në zhvillim i thonë me të drejtë Fed-it: 'Nuk jeni përgjegjës vetëm për ekonominë amerikane, duhet të merrni parasysh edhe interesat tona", thotë Yu Yongding, ekonomist në Akademinë Kineze të Shkencave Shoqërore dhe këshilltar i dikurshëm i Bankës Qendrore në Pekin.

Megjithatë ankesat e Yu dhe të Simsek bien në veshë të shurdhër. Por vendet në ekspansion kanë një mjet të fortë presioni. "Ne jemi ato, që u huazojmë para shteteve të industrializuara", thotë Andrew Sheng nga Fung Global, një institut për studime ekonomike në Hong Kong. "Ne duhet të vendosim tani, se çfarë të bëjmë."

Por çfarë do të ishte kjo? Më pak të holla për borxhet shtetërore, ndoshta kontrolle mbi qarkullimin e kapitalit? "Ky do të ishte fillimi i fundit të globalizimit", thotë Sheng. "Sepse nëse globalizim do të thotë, që vetëm disa të pakët përfitojnë nga fitimet globale, ndërsa pjesa tjetër vuan në nivel lokal, atëherë ai do të ndeshë në refuzim."

Andrew Sheng, Fung Global Institute
Andrew Sheng, Fung Global InstituteFotografi: picture-alliance/dpa

Flluska tjetër financiare

Sheng konstaton mungesën e të dhënave të qarta lidhur me kursin e politikës monetare të Fed-it, sipas të cilave mund të orientoheshin tregjet financiare dhe vendet e tjera. Edhe William Rhodes, deri në vitin 2010 zëvendëspresident i Citigroup dhe sot këshilltar i bankës, thekson rreziqet e një kursi të paqartë. "Nëse largimi nga paraja e lirë nuk do të bëhet me korrektësi, atëherë ne ndodhemi para diçkaje, që ndoshta është më e keqe se kriza, që sapo kemi kaluar."

Lojë me letra në Titanic

Sidoqoftë në një të ardhme të afërt nuk do të ketë shumë qartësi për politikën monetare të Fed-it, përkundrazi. Nëse kongresi amerikan nuk do të arrijë së shpejti një marrëveshje, SHBA me 17 tetor humbet aftësinë paguese. Këtë ditë SHBA prek tavanin e borxhit. Për të ngritur limitin e borxhit duhet të japin aprovimin republikanët, ata republikanë, të cilët me grindjen për buxhetin shkaktuan "government shutdown", ndërprerjen e shumicës së veprimeve të qeverisë.

Jacob A. Frenkel JPMorgan Europe
Jacob A. Frenkel nga JPMorgan EuropeFotografi: picture-alliance/dpa

"Me 17 tetor mund të përmbytej bota. Dhe ne rrimë këtu dhe luajmë me letra në Titanic", thotë Jacob Frenkel, president i JPMorgan Europa dhe guvernator i dikurshëm i Bankës Federale të Izraelit. "Duhet të vijë pastaj Bernanke dhe të thotë: Nuk kam për ta lejuar?"

Nëse Fed hedh më shumë para në tregje për të shmangur krizën, kjo do të ishte receta për flluskën tjetër të madhe financiare, thotë Frenkel. Për më tepër fjala krizë nuk është e përshtatshme më. "Nëse diçka ndodh në mënyrë të përsëritur, atëherë përkufizimi për të është normalitet".