1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

FMN-ja dhe Banka Botërore me shifra të ndryshme nga ato zyrtare mbi prirjet e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë

Ani Ruci / Tiranë19 Gusht 2008

Financierë, ekonomistë dhe njerëz të thjeshtë mbeten të çoroditur kur njihen me shifra krejt të ndryshme të publikuara nga burime zyrtare qe konsiderohen prestigjioze dhe të besueshme.

https://p.dw.com/p/F11v
Më shumë se 200 mijë familje pensionistësh në Shqipëri jetojnë në varfëri të thellë me gjysëm euro në ditë
Më shumë se 200 mijë familje pensionistësh në Shqipëri jetojnë në varfëri të thellë me gjysëm euro në ditëFotografi: DW

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore publikojnë shifra që ndryshojnë nga ato zyrtare lidhur me prirjet e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Për të dyja këto institucione të pranishme në Shqipëri viti 2007 nuk ka shënuar rritje ekonomike.

Sa janë të ardhurat për frymë në Shqipëri? Financierë, ekonomistë dhe njerëz të thjeshtë mbeten të çoroditur kur njihen me shifra krejt të ndryshme të publikuara nga burime zyrtare qe konsiderohen prestigjioze dhe të besueshme.

Për Institutin e Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) i konsideruar si burimi zyrtar i të dhënave por edhe si pranë qeverisë, shifra për vitin 2007, është 3.465 $ USA. Kjo do të thotë se për çdo shqiptar, qoftë edhe fëmijë, plak apo i paaftë për të punuar, gjatë vitit të kaluar u prodhua një vlerë e re, që llogaritet me shifrën e sapopërmendur. Kjo shifër, e krahasuar me 2.904 $ USA, që i përket të ardhurave për frymë të popullsisë për vitin vitin 2006, tregon rritje ekonomike

Për FMN-në dhe Bankën Botërore ekonomia ka pësuar përkundrazi rënie. Sipas FMN-së, të ardhurat për frymë të popullsisë jane 3.354 dollarë dhe Shqipëria renditet në vendin e 96-të në botë per nivelin e tyre. Banka Botërore i llogarit edhe më të ulta, 3.323 $USD duke e renditur Shqiperinë të 87- ën.

Te dhenat e dy institucioneve financiare ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri, FMN dhe BB, janë në një linjë me opozitën e majtë, e cila e akuzon qeverinë Berisha se ka manipuluar shifrat dhe se gjatë vitit 2007 nuk është shënuar rritje ekonomike por ulje.

Shifrat që publikojnë ekonomistët dhe financierët e opozites për produktin e përgjithshëm bruto, GDP, janë alarmante. Sipas tyre më shumë se 200 mijë familje pensionistësh jetojnë në varfëri të thellë me gjysëm euro në ditë. Shtrenjtimi i çmimeve të mallrave ushqimore e ka çuar gjendjen e tyre financiare ne kufijtë e mbijetesës. Por situata nuk paraqitet më e mirë edhe për të punësuarit. Një pjesë e pagës së tyre shkon për të përballuar pakësimin që iu bë pagës reale nga zbatimi i taksës së sheshtë në gusht 2007.