Për filmin e Jolie-së
17 Shkurt 2012Një histori vërtet të ndërlikuar zgjodhi aktorja e Hollivudit për të bëri debutimin e saj si regjizore: vërtet që bëhet fjalë për një histori dashurie, por ajo zhvillohet në luftën e Bosnjës. Në një luftë, në të cilën njerëzit, që deri dje qenë fqinj me njëri-tjetrin i kthyen armët njëri-tjetrit. Është historia e dashurisë së myslimanes boshnjake Ajla me serbin që qëndron në anën kundërshtare Danijel, e cila nis para luftës, por që e arrin thellësinë e saj në luftë.
Kjo histori dashurie megjithatë në jetën reale solli probleme. Jolie-në e kritikuan ndër të tjera për skenat brutale të luftës.
"Lufta në fakt është shumë më brutale dhe në fakt nuk ekziston ndonjë rrugë për ta pasqyruar në film horrorin e vërtetë, si ndihet ai dhe si është të ndodhesh në luftë. Prandaj unë mendoj se ne duhet të shkonim të paktën deri në këtë pikë, për t'i bërë njerëzit ta ndiejnë luftën", thotë regjizorja 36 vjeçare Jolie.
Nga ana tjetër, ky film mori kritika të ashpra që para premierës, para së gjithash nga Republika Srpska, nga ajo pjesë e Bosnjë-Hercegovinës ku jetojnë kryesisht serbë. Angelina Jolie dëshiron ta zhdukë Republikën Srpska, ajo tregon të pavërteta në film dhe i paraqet serbët si pjesëmarrës në gjenocid dhe përdhunues, thuhet në raporte të medieve nga kjo pjesë e vendit.
Filmi tregon se çfarë ka ndodhur me të vërtetë me gratë, thonë nga ana tjetër të afërm të organizatave të viktimave nga pjesa tjetër e vendit, nga Federata e Bosnjë-Hercegovinës. Ky është mendimi që përfaqëson edhe kryetarja e shoqatës së të burgosurve të Kantonit të Sarajevës, Enisa Salcinovic:
"Po ta shikosh sot këtë nga pikëpamja jonë, e viktimave, atëherë duhet të thuash se 99 përqind e ngjarjeve të filmit përputhen me ngjarjet e vërteta në fillim dhe gjatë katër viteve të agresionit."
Megjithatë, jo të gjitha shoqatat e viktimave janë të këtij mendimi. Bakira Haseçiç nga shoqata "Gratë - Viktima të luftës" thotë se filmi "Në vendin e Gjakut dhe të Mjaltit" përmban edhe skena, të cilat i plagosin rëndë viktimat.
"Të gjitha ato që na kanë ndodhur, sigurisht që nuk mund t'i nxirrje në ekran, por dashuri midis një krimineli lufte dhe një viktime nuk ka ndodhur dhe as mund të ndodhte gjatë agresionit kundër Bosnjë-Hercegovinës."
Këto reagime të ndryshme, si në shoqatat e viktimave, ashtu edhe në Republikën Srpska, ashtu edhe në Serbi tregojnë megjithatë se filmi është shumë realist, thotë kryetarja e "Shoqatës për Popujt e Kërcënuar" në Bosnjë-Hercegovinë, Fadila Memisevic:
"Bosnjë-Hercegovina si dhe Serbia fqinje nuk kanë përjetuar katarsis dhe këto vende nuk e kanë rivlerësuar të kaluarën e tyre. Prandaj edhe reagimet janë kaq ambivalente."
Që filmi do të shkaktonte reagime të tilla, këtë Angelina Jolie e di. Ajo e dinte edhe se kjo është një temë delikate dhe se nuk janë shëruar të gjitha plagët 16 vjet pas luftës. Megjithatë ajo e xhiroi filmin, sepse donte që të jepte një shembull me të. Për të gjitha konfliktet aktuale tani, si në Siri, si tha ajo, dhe për të treguar me gisht te Bashkësia Ndërkombëtare. Sepse ajo është fajtorja, thotë Jolie.
"Unë doja të tregoja si ka qenë ky vend para luftës dhe doja të kisha në film karaktere, me të cilat mund të identifikohesh. Ky film është simbolik për rajonin (Ballkanin Perëndimor) dhe për përçarjen gjatë luftës."
Kjo përçarje gjatë luftës, sipas të dhënave të Tribunalit Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë dhe të OKB u kushtoi jetën rreth 100.000 vetëve, rreth 50.000 gra u përdhunuan dhe një numër i madh familjesh u dëbuan.
Autor: Marina Martinovic/ Auron Dodi
Redaktoi: Angjelina Verbica