G8-a si OKB elitare rezervë
4 Qershor 2007Të mërkurën fillon në vendin e kurimit buzë Detit të Veriut, Heiligendamm, samiti i G8-ës, në të cilin shtatë vendet më të rëndësishme të industrializuara dhe Rusia do të debatojnë për tema të mëdha të politikës botërore si politika e klimës apo ajo e zhvillimit të Afrikës. Samiti u paralajmërua: të shtunën gjatë një demonstrate të madhe kundër tij në Rostok pati përleshje masive me pothuajse 1.000 të plagosur. Një koment:
Në sfondin e përleshjeve të dhunshme në prag të takimit të G8-ës në Heiligendamm është fillimisht e vështirë të formulosh kritikë objektive ndaj këtij samiti. Dhuna e këtij lloji nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë, ajo nuk mund të zëvendësojë argumentat. Për këtë pajtohet shumica e njerëzve një ditë më pas - kritikë të globalizimit dhe protagonistët e tij. Individët e dhunshëm dëmtuan keq të gjithë ata që donin të shprehnin me ndershmëri dhe bindje shqetësimin e tyre në lidhje me politikën e G8-ës. Tani rrezikon që kritika të barazohet me huliganizmin.
Por kjo nuk lejohet të ndodhë, sepse kritika është shumë me vend. As ngjarjet e Rostokut nuk kanë ndryshuar gjë në këtë kuadër. Dhe kritika nuk duhet të përfundojë me tërheqjen e vëmendjes nga paratë pa fund të shpenzuara për ngritjen e gardhit të sigurisë dhe për praninë masive të policisë. Këto janë vetëm simptoma të një zhvillimi që ka dalë prej kohësh nga binarët.
Kur në vitet shtatëdhjetë udhëheqësit e kombeve të industrializuara filluan të mblidheshin rregullisht, këto ishin fillimisht takime të shpenguara. Në plan të parë qëndronin kontakti personal, shkëmbimi i lirë i mendimeve, larg kushtëzimeve diplomatiko-protokollare, larg kamerave e mikrifionëve të gjithëpranishëm. Këto ditë të 'bisedave pranë oxhakut' kanë kaluar me kohë. Prej kohësh takimet e G8-ës kanë vendosur rende dite konkrete dhe duan të zgjidhin probleme globale.
Por pikërisht këtu mund të jetë dobësia kryesore e G8-ës: Palët duan të zgjidhin këtu probleme që në të shumtën e rasteve i kanë shkaktuar vetë ose së paku kanë dhënë një pjesë të kontributit. Problemet e Afrikës janë një shembull për këtë, çështja e klimës është një tjetër shembull. Listën mund ta vazhdosh pa vështirësi. Ish-fuqi koloniale dhe fuqi që edhe pa të kaluar koloniale e shfrytëzojnë Afrikën vetëm si livrues lëndësh të para, duan të miratojnë si në samitin e fundit të G8-ës programe ndihme për Afrikën. Ndotësit më të mëdhenj të mjedisit shqetësohen për mbrojtjen e klimës. Sigurisht të dyja janë të mira, por kur sheh se sa pak ndiqen fjalët nga vepra, atëherë kjo lë një shije bajate.
Ata që farkëtojnë atje plane të mëdha duket se kanë shtyrë në harresë mëkatet e tyre dhe sillen si grup elite që ka për t'i thënë diçka botës. Megjithëse kjo botë ka ndryshuar që prej takimit të parë të G8-ës: Në listën e fuqive të rëndësishme ekonomike janë prej kohësh Kina dhe India, por këto janë vetëm të ftuara. Një gjë që vlejti njëherë, duhet të vlejë gjithmonë - si në përbërjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Një shembull tipik për ruajtje pushteti dhe sjellje elitare. Megjithëse nuk e ka qëllimin aty, gardhi i përbindshëm i sigurisë në Heiligendamm e përfocon këtë përshtypje.
Tani mund të argumentosh se 'G8-a' po shndërrohet megjithatë në njëfarë 'OKB-je rezervë', nëse ia përshtat gjithnjë realiteteve të ndryshuara. Atëherë hapi i radhës mund të jetë vetëm ky: trajtimi i temave të takimeve të G8-ës në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Tema globale që i prekin të gjithë dhe që duhen trajtuar bashkarisht. Dhe gjatë të cilave nuk ulen ca pranë oxhakut, ndërsa të tjerët në paradhomë.