1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendje mjaft kritike në burgjet e Maqedonisë

8 Dhjetor 2010

Mbipopullimi, korrupsioni, kushtet e vështira dhe mungesa e shërbimeve profesionale janë karakteristikat më të shpeshta që hasen në burgjet e Maqedonisë

https://p.dw.com/p/QTCs
Pamje nga një burg në ShkupFotografi: DW

Komisioni Evropian, Komiteti i Helsinkit në Maqedoni, organizatat joqeveritare dhe institucioni i Avokatit të Popullit, kanë shprehur një sërë kritikash për gjendjen aktuale në burgjet e Maqedonisë. Sipas raporteve të tyre, në këto burgje ka mbipopullim të njerëzve të burgosur, është prezent korrupsioni, vërehet mungesa e kuadrit cilësor dhe në shumë raste cënohen të drejtat e njeriut. Duke i patur parasysh këto vërejtje, Ministria e Drejtësisë do të investojë për infrastrukturën e burgjeve një shumë prej 52 milionë euro, mjete këto të siguruara nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës.

“Ky investim është në funksion të implementimit të standarteve evropiane për burgjet, që nënkupton ofrimin e kushteve më të mira për të burgosurit”, thotë ministri i Drejtësisë, Mihajllo Manevski.

Gefängnis Skopje
Pamje nga një dhomë burgu në MaqedoniFotografi: DW

Investimet e pamjaftueshme, mungon trajtimi human i të burgosurve

Hristo Ivanovski nga Komiteti i Helsinkit mendon se investimi në infrastrukturën e burgjeve nuk ështe hap i mjaftueshëm, sepse një pjesë e madhe e tyre sa i përket trajtimit human të të burgosurve lë për të dëshiruar.

Disa pjesë të burgut më të madh në Maqedoni “Idrizovë” janë duke u renovuar, por pjesët më të mëdha nuk ofrojnë standartet minimale për qëndrimin e të burgosurve”, thotë Hristo Ivanovski.

Sipas Avokatit të Popullit, Ixhet Memeti, sistemi i burgjeve në Maqedoni ka dobësi të shumta dhe serioze. Ky sistem nuk mund të funksionojë në mënyrë efikase që të arrijë realizimin e funksionit të tij.

Nuk mjafton që të keshë vetëm ndërtesa të mira dhe të bukura por duhet të keshë edhe kuadro specialistë për sektorë të ndyshëm të cilët funksionojnë nëpër burgje duke u nisur që nga menaxhimi me ta, rojet e burgjeve, nga sektori për riedukim e kështu me rradhë”, thotë avokati i popullit Ixhet Memeti.

Mbizotërojnë kushte jonormale për vuajtjen e dënimit

Gefängnis Skopje
Burgu Idrzovo në MaqedoniFotografi: DW

Me kërkesë të tij, një pjesë e burgut më të madh në Maqedoni “Idrizovë” është mbyllur për pranimin e personave të dënuar, për shkak se në ato ambiente mbizotëronin kushte jonormale për vuajtjen e dënimit.

Profesori i të drejtës penale në universitetin FON, Afrim Osmani thotë se në burgjet e Maqedonisë shumë pak punohet në risocializimin, në riintegrimin, riedukimin dhe në riadaptimin social të personave që vuajnë denimin

Qëllimi i dënimit mund të arrihet vetëm përmes një përkujdesjeje të mirëfilltë ndaj personave të dënuar. Gjatë kësaj procedure duhet të aplikohen masa, mjete, metoda që do tua përshtatnin vetive dhe cilësive fizike, psiqike, sociale dhe kulturore të personave të dënuar“, shprehet profesor Afrim Osmani.

Mungesa e punës profesionale me të burgosurit rezulton me faktin se në burgjet e Maqedonisë, dënimin e vuajnë persona që disa herë ndeshen me ligjin për vepra të njëjta penale. Reformat në sferën e përkujdesjes së të burgosurve do ta përmirësonte dukshëm situatën në sistemin e burgjeve, thotë Afrim Osmani.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi