Gjermani: Detyrat e vështira para Christine Lambrecht
14 Dhjetor 2021Mund të ketë qenë ditë drithëruese për Lambrecht ajo e emërimit të saj, gjatë një të mërkure të ftohtë në Berlin. Nuk kishte tufa lulesh për ta pritur dhe paraardhësja e saj, kristian-demokratja Annegret Kramp-Karrenbauer as nuk u shfaq në zyrë.
Kjo situatë "e akullt” mes tyre mund të ketë ardhur si pasojë e sjelljes së Lambrecht, më herët ministrja gjermane e Drejtësisë, e cila ndërmori vendime personale para se të betohej. Shumë anëtarë të kabinetit, duke përfshirë edhe një sekretar të lartë shtetëror, u njoftuan "që të pastronin zyrat” deri të enjten. Në rolin e zëdhënësit u riemërua gazetari Christian Tiels, post i cili gjatë viteve të fundit ishte mbajtur nga një kolonel. "Ajo gëzon reputacionin e një njeriu të aftë”, i tha DW Sebastian Schulte, kryeredaktor i gazetës Griephan e cila shkruan për çështjet e sigurisë dhe është një vëzhgues i afërt i ushtrisë gjermane dhe nevojave të saj.
Për disa, zgjedhje e çuditshme
Lambrecht ishte padyshim një zgjedhje surprizë për ministrinë, edhe pse ajo ka mundur të ndërtojë një reputacion si njeri kompetent: në majin e këtij viti, ish-Kancelarja gjermane Angela Merkel i besoi asaj ministrinë e Drejtësisë, të cilin Lambrecht e drejtoi në muajt e fundit të qeverisjes së Merkel. Emërimi muaj më parë erdhi pas skandalit për plagjiaturë që përfshiu ish-ministren Franziska Giffey.
"Lambrecht nuk ka ndonjë eksperiencë të mëparshme ose nuk ka qenë në kontakt me sektorin e mbrojtjes dhe ushtrinë” - thotë Ulrike Franke, eksperte e çështjeve të mbrojtjes në departamentin e Marrëdhënieve me Jashtë në Këshillin e Europës. "Kjo mund të mos jetë zgjedhja ideale por nuk është aspak e pazakontë, pasi një post i tillë është mbajtur nga Annegret Kramp-Karrenbauer dhe Ursula von der Leyen. Nuk është e thënë që të kesh medoemos eksperiencë të tillë që të mund të bëhesh ministër i mirë”.
Ndoshta ky emërim ishte edhe më befasues, sepse në fund të vitit të kaluar, Lambrecht dukej se ishte e lodhur nga politika: ajo nuk kandidoi në zgjedhjet e shtatorit për t'u rizgjedhur në Bundestag, duke i dhënë fund një mandati 23-vjeçar në parlamentin gjerman. Asokohe ajo foli për rikthimin tek profesioni i mëparshëm si juriste. "Unë jam në një moshë kur mund t'ia rifilloj," tha 55-vjeçarja për Der Spiegel, në nëntor 2020.
Cilat janë prioritetet e saj?
Gjatë fjalimit të marrjes së detyrës së re, Lambrecht e bëri të qartë se çfarë do të bënte së pari: të vizitonte ushtarët. "Për mua janë shumë të rëndësishme bisedimet gjatë vizitës së trupave ushtarake në ditët e ardhshme. Dua të kuptoj se si është situata, veçanërisht në perspektivën e misioneve të jashtme, dhe çfarë ka rëndësi për ushtarët”.
Misionet e jashtme të Bundeswehr-it janë temë shumë delikate e momentit, që pason tërheqjen e NATO-s nga Afganistani gjatë kësaj vere, lëvizje të cilën shumë e panë si katastrofike. Nxitimi për t'u larguar prej andej bllokoi në Afganistan një pjesë të madhe të stafit vendas të Bundeswehr-it që u ndje i tradhtuar, duke i lënë ata në mëshirën e talibanëve.
Sfida të tjera fshihen gjithashtu nën sipërfaqe. Forcat e armatosura të Gjermanisë kanë ende probleme reputacioni, pas një sërë skandalesh që përfshinë ushtarët simpatizantë të ekstremit të djathtë, veçanërisht në Njësinë Komando Elitë të Gjermanisë (KSK). Paraardhësja e Lambrecht-it kishte nisur një reformë të KSK-së dhe shpërbëu komandën e dytë të KSK-së, një anëtar i së cilës u zbulua se kishte grumbulluar armë dhe kishte mbledhur sende me motive naziste, teksa eprorët e kishin neglizhuar diçka të tillë. Me siguri që Lambrecht do të jetë e ashpër për çështje të tilla.
Ndër detyrat e para të Lambrecht pritet të jetë përgatitja e strategjive të largimit nga misionet e Bundeswehr-it në Irak dhe Mali, nëse aleancat ndërkombëtare vendosin përsëri të tërhiqen papritur.
Por problemet më të mëdha mund të jenë në shtëpi. Disa vëzhgues ushtarakë mendojnë se, pavarësisht se kush është ministër i Mbrojtjes, shumë vendime do të varen nga prioritetet e qeverisë së re. Schulte thotë se burokracia e Bundeswehr-it – nga procedurat e saj të prokurimit, deri te çështjet e rekrutimit – karakterizohet nga një joefikasitet i rrënjosur thellë, për të cilin do të duhen vite për ta ndrequr dhe që ka të ngjarë të nevojitet më shumë kohe se një ministër i një periudhe legjislative katërvjeçare.
Pra, shtrohet pyetja: Çfarë pritet nga Lambrecht? "A është ajo në gjendje dhe e gatshme të përveshë mëngët dhe të ndreqë problemet themelore?" pyet Schulte. "Apo detyra e saj është t'i mbajë sa më shumë të fshehta këto telashe, në mënyrë që të mos shqetësojë koalicionin? Në të vërtetë ne nuk e dimë se cila është detyra e saj."