Gjermani: Ligjet e riatdhesimit dhe shtetësisë në Bundestag
30 Nëntor 2023Ndryshimet e legjislacionit për të huajt në Gjermani kanë hyrë në një fazë të re. Parlamenti Gjerman pranoi të enjten, 30.11.2023, dy amandemnte të qeverisë gjermane: njëri për dëbime të shpejta, tjetri për lehtësime në dhënien e shtetësisë.
Dëbime më të shpejta
Ministria e Brendshme socialdemokrate, Nancy Faeser, e mori në mbrojtje projektligjin për përshpejtimine dëbimeve, duke thënë se ai prek sidomos azilkërkuesit e refuzuar që nuk bashkëpunojnë me organet zyrtare, ose që kanë kryer krime dhe që nuk pajtohen me rendin kushtetues.
Projektligji u jep më shumë akses organeve policore, për shembull, të përgjojnë telefonat e personave që do të dëbohen, të kontrollojnë edhe dhomat e tjera të një strehimoreje azilantësh, nëse mendojnë se aty është fshehur personi që do të dëbohet. Veç të tjerash, koha e burgimit të dëbimit, do të zgjatet deri në 28 ditë.
Partia e Gjelbër e pakënaqur
Për deputeten e partisë E Majta, Clara Bunger, të gjitha këto ndryshime janë shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Ajo e akuzoi qeverinë e koalicionit të majtë se po vrapon pas të djathtëve: " Edhe sa kohë do të vraponi pas të djathtëve? pyeti Bunger në një fjalim emocional në Bundestag, duke shtuar "Dëbimet nuk i zgjidhin problemet e Gjermanisë, kjo bëhet vetëm me politika sociale".
Por jo vetëm partia opozitare e majtë, edhe Të Gjelbrit, që e kanë pranuar këtë ligj në kuadër të koalicionit qeveritar, nuk janë të kënaqur me ndryshimet dhe kanë një sërë dyshimesh. Deputetja e kësaj partie, Filiz Polat, paralajmëroi se grupi parlamentar i saj po e sheh me vëmendje këtë ndryshim në ligj. "Është më mrië që njerëzit të largohen në mënyrë vullnetare, sepse kështu u hiqet barra e punës autoriteteve zyrtare", tha ajo. Polat theksoi se më mirë është që njerëzit të kthehen në mënyrë vullnetare.
Vetëm 600 dëbime më shumë
Regulllorja e re, pritet të sjellë vetëm një plus prej 600 dëbimesh në vit, siç thekson edhe vetë qeveria në projektligji. Për opoztën konservatore CDU/CSU dhe të djathtën populiste, AfD, kjo shifër është shumë e ulët, dhe sipas tyre një dëshmi që qeveria gjermane e miratoi këtë ligj vetëm për të kënaqur elektoratin e landit Hessen. Ky land në shtator pati zgjedhje parlamentare, ku ministrja aktuale e brendshme, Nancy Faeser, kandidoi për kryeministre, por pa sukses.
Opozita e djathtë dhe konservatore kritikon ligjin e shtetësisë
Por akuzat kryesore nga opozita shkuan në adresë të projektligjit për modernizimin e shtetësisë gjermane, i cili u prezantua po të enjten Bundestag. Ai lejon nënshtetësinë e shumëfishtë, shkurton vitet e pritjes nga tetë në pesë vjet, dhe madje, edhe për raste të veçanta në tre vjet, dhe lehtëson në shumë drejtime marrjen e shtetësisë.
Alexander Throm (CDU/CSU) tha se ky është një "ligj që e zhvlerëson shtetësinë". "Nuk ka asgjë moderne këtu," shtoi ai. Ai tha se "Ligje të tilla e përçajnë vendin tonë." Ai citoi një studim të OECD-së sipas të cilit shtetësia nuk është kriter për fuqinë punëtore të kualifikuar. Ministrja Faeser më parë e kishte argumentuar modernizimin e ligjit të shtetësisë me nevojën për ta bërë vendin më tërheqës për fuqinë punëtore të kualifikuar. Mungesa e saj sa vjen e bëhet më e dukshme në Gjermani.
A janë të prekur edhe shqiptarët nga ligjet?
Në Gjermani jetojnë afro 300.000 persona pa letra të rregulluara, ose me Duldung, pra, azilkërkues ose refugjatë, të cilët nuk kanë të drejtë azili në Gjermani, por që për arsye të ndryshme nuk mund të kthehen, ndër to edhe mbi 6 000 shtetas me shtetësi shqiptare, mbi 10 mijë nga Serbia, dhe mbi 7 mijë nga Maqedonia e Veriut.
Numri i dëbimeve megjithatë sa vjen e rritet, ndërsa vitin e kaluar ka qenë 12.000, vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, autoritet kanë kthyer me detyrim, mbi 7 mijë azilkërkues, ndër ta edhe mbi 500 shtetas nga Shqipëria. Por se a do të ketë përshpejtime të dëbimeve për shqiptarët, kjo ka pak gjasa, duke u nisur nga numri i vogël i dëbimeve shtesë që pritet të sjellë ligji.
Nga shtetësia e dyfishtë pritet të përfitojnë shumë më tepër shqiptarë. Në Gjermani jetojnë aktualisht mbi 116.000 shtetas nga Shqipëria dhe afro 300 000 shteas nga Kosova. Këtyre u shtohet edhe numri mërgimtarëve me pasaportë gjermane, që pas miratimit të ligjit do të kenë të drejtë të rifitojnë shtetësinë e prejardhjes.