Gjermani: Prapambetje në infrastrukturën me fibra optike
4 Shtator 2021Virusi i koronës mund ta kishte goditur shumë më keq ekonominë gjermane, nëse do ishte shfaqur disa vite më parë. Por në vitin 2020 në shumë ndërmarrje, megjithëse nuk shkohej në zyrë për të shmangur kontaktet, puna ishte në gjendje të vazhdonte. Kjo falë infrastrukturës digjitale. Megjithatë gjërat mund të kishin shkuar edhe më mirë. Në shumë shtëpi rrjeti ishte i dobët dhe sapo fëmijët futeshin online për të ndjekur mësimet online në një kohë kur prindërit merrnin pjesë në video-konferenca linjat bllokoheshin.
Pjesa më e madhe e territorit në Gjermani ka internet të shpejtë (të paktën 30 megabit për sekondë Mbit/s). Kjo mjafton për downloads në sektorin privat, për shembull për të shkarkuar filma. Por që sot shumë firmave u duhen linja me kapacitet më të madh se një gigabit për sekondë, të cilat mund të ofrohen me kabllo fibrash optikë. Kjo nevojë do të rritet edhe më shumë në të ardhmen. Pesë vitet e ardhshme kërkesa për rritjen e kapacitetit të kabllove do të rritet pesë deri gjashtë herë, thotë një analizë tregu e BREKO, Shoqatës federale gjermane për komunikimin me kapacitet të madh.
Në shumë sektorë që ndodhen në rajone rurale linjat e pamjaftueshme digjitale përbëjnë problem të madh për të përballuar konkurrencën, thuhet duke paralajmëruar në raportin për sistemimin territorial të institutit federal për studimet ndërtimore, urbane dhe territoriale. Komisioni gjerman i elektronikës (DKE) paralajmëron se: "Digjitalizimi i shoqërisë, ekonomisë dhe industrisë 4.0 do të bëhet kështu pa pasur mbështetjen e duhur nga rrjeti me kapacitet të madh që bazohet tek fibrat optike."
Pa lidhjet voluminoze nuk ka të ardhme digjitale
Lidhjet me kapacitet të madh transmetimi në Gjermani janë kryesisht kabllo bakri ose kabllo televizive. Për një kohë të gjatë kabllot me fibra optike nuk u panë me perspektivë. Vetëm në qytetet e mëdha të Gjermanisë perëndimore, 20 përqind e ekonomive shtëpiake janë lidhur me fibra optike. „Sa më në periferi ndodhet një komunë, aq më i pafavorshëm është niveli i pajisjes me linjat me kapacitet të madh, thuhet në raportin e rregullimit të territoreve për vitin 2021.
Në krahasim me vendet e tjera të Organizatës për bashkëpunimin ekonomik, Gjermania ndodhet në vendin e 35-të. Vetëm pak më shumë se 5 përqind e linjave të telefonave fiks me kapacitet të madh transmetimi në Gjermani janë me kabllo me fibra optike, shumë më pak se sa mesatarja e vendeve të OECD-së.
Ndërkohë që qeveria gjermane ka marrë që më 1981 vendimin për të zëvendësuar 30 vitet në vijim kabllot e vjetra të bakrit me kabllo me fibra optike. Nën Helmut Kohlin, u kthye pllaka dhe në vend të kabllove me fibra optike u vunë në përdorim kabllot televizive, që u futën nën tokë paralelisht me kabllot e bakrit. Ato ishin më të lira dhe krijonin mundësinë e transmetimit deri në një gigabit për sekondë. Kjo arrihet vetëm në raste shkarkimi, sepse në ngarkim arrin vetëm rreth 50 megabit për sekondë. Sapo rrjeti fillon të përdoret nga disa përdorues njëkohësisht, kapaciteti ulet.
Shumë gjermanë nuk kërkojnë fare kabllo me fibra optike
Përfitimi që pati Gjermania u kthye njëkohësisht në problem: „Ne kishim një rrjet të mirë bakri, i cili krijoi mundësinë e ofrimit me çmim të lirë të linjave digjitale DSL, VDSL, dhe vectorin, thotë Cara Schwarz-Schilling, drejtoreshë e Institutit shkencor të infrastrukturës dhe shërbimeve të komunikacionit (WIK).
Kështu për shembull Telekomi Gjerman vuri në përdorim dhjetë vjet më parë të ashtuquajturin teknologjinë Vectoring, me të cilin u pajisën rrjetet ekzistuese të kabllove të bakrit. „Por ky ishte një hap i ndërmjetëm, që bëri që krijimi i rrjeteve me fibra optike të shtyhej për më vonë. Sepse kostoja e ngritjes së rrjeteve me fibra optike ulet me rritjen e numrin të ofruesve të shërbimit, të cilët kontribuojnë për bashkëfinancimin.
Por shumë klientëve privatë gjermanë u mjafton shërbimi Vectoring. Kështu për shembull as sot nuk përdoren linjat ekzistuese të kabllove me fibra optike. Ata thonë pse të paguajnë për një gigabit kur kanë mundësinë të zgjedhin mes 50, 100 ose 250 megabit për sekondë dhe në rast nevoje mund të marrin edhe më shumë. Në zonat ku thuhet të merret ose një linjë me kapacitet të ulët ose kabllo me fibra optike, gatishmëria për të paguar është më e lartë.
"Për shembull në Skandinavi ka vite që është bërë shumë e rëndësishme për njerëzit që të kenë linjë me kapacitet të lartë. Ekonomitë shtëpiake paguajnë në këto vende deri në 4 mijë euro për të marrë linjë me fibra optike, thotë Schwarz-Schilling. "Kjo do ishte në Gjermani e paimagjinueshme."
Investitorët për ndërtimin e linjave me fibra optike janë gati
Megjithatë ngritja e linjave me fibra optike është e panevojshme nga pikëpamja e ekonomisë popullore. Kështu qeveria gjermane pati premtuar në paktin e koalicionit qeverisës në vitin 2017 se deri në vitin 2025 do të krijonte një rrjet furnizimi me kapacitet disa gigësh „duke investuar dhjetë deri dymbëdhjetë miliardë euro për rrjetin me fibra optike, që do ofronin para derës së shtëpisë shërbimin në gjithë territorin e vendit.
Që prej vitit 2019 edhe Telekomi kërkon që të nxisë ngritjen e rrjetit me fibra optike. Sot, 2,3 milionë ndërmarrje ose ekonomi shtëpiake janë të lidhura me linjën me fibra optike. Deri në vitin 2030, Telekom bashkë me konkurrentët e tjerë kërkon që të mundësojë lëtë linjë për mbi 41 milionë ekonomi shtëpiake. WIK ka llogaritur në një studim të fundit se kostot për ngritjen e rrjetit janë të paktën 60 miliardë euro.
BREKO thotë se ndërtimi i rrjetit nuk do të dështojë për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Shumë investitorë si fonde pensionesh, sigurimesh dhe investitorësh financiarë janë të gatshëm të investojnë dhe presin, që në kohërat kur përqindjet e interest janë shumë të ulëta deri në zero, të kenë përfitime të mira për investicione afatgjata në infrastrukturën digjitale. Vetëm ndërmarrjet e telekomunikacionit që janë të organizuar në BREKO do të investojnë vitet e ardhshme më shumë se 20 miliardë euro.
Vështirësi për ndërtimin e rrjetit dhe proceset e marrjes së lejes
Plani i qeverisë federale që deri në vitin 2025 të ndërtojë një rrjet fibrash optike për të gjithë territorin, nuk është i realizueshëm, mendon Cara Schwarz-Schilling. "Një nga arsyet është se kapacitetet për ndërtimin janë të pamjaftueshme për shkak të boomit në fushën e ndërtimit në përgjithësi. Ndërtimi i rrjetit vështirësohet po ashtu nga proceset e gjata të marrjes së lejes. Pjesë e problemit: Në Gjermani kabllot me fibra optike vendosen 60 centimetra nën tokë, gjë që kushton më shumë se sa vendosja mbi tokë e linjave, si në vendet e tjera. Deri 80 përqind e kostove të investimeve shkojnë për inxhinierinë civile.
Edhe për këtë çështje ka zgjidhje. Kështu për shembull është më e lehtë që kabllot me fibra optike të vendosen pranë shinave ekzistuese të trenave, sepse në këtë rast proceset e marrjes së lejeve nuk janë të nevojshme. Pikërisht këtë gjë ka planifikuar firma startup One Fiber.
Diçka është duke u bërë pra në Gjermani drejt krijimit të autostradës së fibrave optike. „Niveli i përdorimit të fibrave optike në Gjermani është shumë më i lartë se mesatarja europiane. Këtu ne ndodhemi ndërkohë në vend të tretë, thotë i kënaqur presidenti i BREKO-s, Norbert Westfal. "Ne duam që të rrisim ritmin edhe më shumë, dhe do ta bëjmë këtë.