1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Rënie befasuese e çmimeve të prodhimit

21 Nëntor 2022

Prodhuesit gjermanë ulën krejt papritur çmimet e tyre në tetor për herë të parë në dy vjet e gjysmë. A janë këto shenjat e para të një ndryshimi tendence edhe për çmimet e konsumit?

https://p.dw.com/p/4JqEV
Deutschland Salzgitter | Produktion von Batteriezellen für Elektroautos im VW-Werk
Fotografi: Julian Stratenschulte/dpa/picture alliance

Në Gjermani, rritja e çmimeve të prodhimit ra ndjeshëm. Në tetor, çmimet e prodhimit u rritën me 34.5 për qind në krahasim me një vit më parë, njoftoi sot Zyra Federale e Statistikave. Por një muaj më parë, shtrenjtimi ishte dukshëm më i lartë, 45.8 për qind.

Megjithatë, në bazë mujore, çmimet e prodhimit ranë me 4.2 për qind. Kjo ishte rënia e parë që nga maji 2020, në një kohë që ekspertët prisnin rritje të mëtejshme. Edhe në tregtinë gjermane me shumicë rritja e mprehtë e çmimeve është zbutur ndjeshëm kohët e fundit.

Lehtësimi që konstatohet aktualisht si tendencë mund të ndikojë përfundimisht tek konsumatorët, pasi çmimet e prodhimit konsiderohen si pararendëse të ndryshimeve në koston e jetesës.

"Rënie dramatike e çmimeve”

"Rënie dramatike e çmimeve pas gjithë këtyre muajve të rritjeve të konsiderueshme," tha ekonomisti i LBBW, Jens-Oliver Niklasch. "Ndoshta sinjali i parë i një lehtësimi të caktuar të presionit mbi çmimet, për shkak të situatës ekonomike”. Ralph Solveen, ekonomist në Commerzbank, mendon ngjashëm. Sipas këtij specialisti, shifrat e sotme ngjallin shpresa se kulmi i inflacionit të çmimeve të konsumit nuk është shumë larg.

Fabrike baterish ne Tyringen
Fotografi: Martin Schutt/dpa/picture alliance

Megjithatë, sipas Solveen-it, problemi i inflacionit është larg zgjidhjes. "Për shkak se me rritjen më të madhe të pagave, kompanitë përballen me një shtim të ri të kostove, të cilat të paktën pjesërisht do t'ua kalojnë klientëve të tyre”.

Kostot e energjisë mbeten nxitësi i çmimeve

Arsyeja kryesore për rritjen ende të ndjeshme të çmimeve të prodhimit, pavarësisht një rënieje, mbetet kostoja e energjisë, e cila është rritur që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Në këtë drejtim, çmimet e prodhimit ishin 85,6% më të larta se në tetor 2021. Vajguri i lehtë për ngrohje kushtonte 76,2% më shumë se një vit më parë, karburantet për motorët 30,8% më shumë.

Krahasuar me shtatorin e kaluar, megjithatë, çmimet e energjisë ranë mesatarisht me 10.4 për qind, "kryesisht për shkak të uljes së çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit natyror në shpërndarje”, nënvizuan statisticienët.

Në nivel prodhues, produktet ushqimore ishin 25.1 për qind më të shtrenjta se në të njëjtin muaj të një viti më parë. Rritje veçanërisht të ndjeshme pësuan çmimet e gjalpit (+66,3 për qind), mishit të derrit (+47,0), djathit dhe kuarkut (+38,3) si dhe qumështit (+36,1). Kafeja ishte 29.1 për qind më e shtrenjtë se në tetor 2021.

Kostot ende nuk janë përcjellë plotësisht

Një sondazh i fundit i institutit ifo tregon gjithashtu se rreziqet e inflacionit nuk janë përjashtuar. Deri tani, sipërmarrjet gjermane po i përcjellin ngadalë çmimet e tyre në rritje të blerjes dhe gjithashtu jo plotësisht te klientët e tyre. Në muajt e fundit, sipërmarrjet i kanë përcjellë çmimet e tyre të blerjes vetëm në masën 34 për qind, siç tregoi instituti ifo në sondazhin e tij me 6.500 kompani.

Kërkesa e dobët, presioni i fortë konkurrues dhe kontratat afatgjata i kanë penguar kompanitë të rrisin çmimet, sipas indikacioneve të tyre. Megjithatë, deri në prill 2023, planifikohet që përcjellja e kostove të arrijë në 50 përqind. "Kjo ndoshta do të çojë në presion të mëtejshëm inflacionist mbi çmimet e konsumit në muajt e ardhshëm," parashikon studiuesi i Ifo, Manuel Menkhoff.

Megjithatë, sipas institutit, ka dallime të konsiderueshme midis sektorëve. Është  më shumë industria që planifikon të kalojë çmimet e blerjes më të larta të energjisë, lëndëve të para dhe materialeve, me 68%, e ndjekur nga ndërtimi me 66%. Në tregti, ky raport është 53%, ndërsa tek ofruesit e shërbimeve është vetëm 36%.

aud (dpa, tgsch)