Gjermani-Francë: LDK të tërheqë mocionin e mosbesimit
25 Mars 2020Gjermania dhe Franca i kanë kërkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, partnere në qerinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, që ta rishqyrtojë vendimin për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë dhe ta ndihmojë qeverinë e Kosovës të përballet me krizën. Thirrjen e bëri publike, ambasadori gjerman në Prishtinë Christian Heldt, ku së bashku me zyrtarët francez, shkuan "i nisën një demarsh zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti që vjen nga LDK, që të kërkojë nga lideri i partisë së tij, të qëndrojë në qeveri”.
"Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës i kanë nisur një demarsh të përbashkët zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti që të njoftojë kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa mbi shqetësimet e dy shteteve tona, që të qëndrojë në krah me popullin e Kosovës në këtë krizë. E ftojmë LDK-në të rishqyrtojë vendimin për mocionin e mosbesimit dhe të mbajë një qeveri të besueshme dhe të qëndrueshme për t'u përballur me sfidat”, shkroi ambasadori gjerman, Christian Heldt në Twitter.
Osmani: Nuk përkrah mocionin për rrëzimin e qeverisë
Por megjithë thirrjen e Gjermanisë dhe Francës, kryesia e Kuvendit të Kosovës u mbodh të martën pasdite dhe vendosi që seanca për mocionin e mosbesimit për qeverinë Kurti të mbahet të merkurën datë (25.03). Vetë kryetarja e Kuvendit të Kosovës që vjen nga LDK-së, Vjosa Osmani është shprehur kundër mocionit për rrëzimin e qeverisë Kurti. "Absolutisht nuk e përkrahi këtë mocion dhe natyrisht i bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta përkrahin këtë mocion, sepse as nuk është në kohën e duhur, por mbi të gjitha nuk do t'i prodhojë Kosovës një qeveri tjetër që ka legjitimitet ose që mund të merret me sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova", tha ajo.
Më herët gjatë ditës ambasadorët e vendeve më të industrializuara QUINT, dhe Bashkimi Evropian u bënë thirrje partive politike dhe liderëve të tyre që t'i lënë anash mosmarrëveshjet dhe të bëhen bashkë për të luftuar kërcënimin aktual në mbarë botën, virusin COVID-19. "Në momentin e vështirë si ky, u bëjmë thirrje të gjithë liderëve institucionalë dhe politikë që të përqendrohen në COVID-19 duke respektuar dispozitat kushtetuese dhe autoritetin që u është besuar atyre përmes Kushtetutës. Në këtë moment kritik, i nxisim ata të ruajnë dhe sigurojnë integritetin dhe funksionalitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe t'i japin përparësi luftës kundër COVID-19 në Kosovë e jo politikës, duke ju kujtuar se vendet tona kanë marrë të gjitha masat e jashtëzakonshme në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave të vendeve të QUINT.
Edhe Bashkimi Evropian bëri thirrje që të gjitha institucionet të punojnë së bashku në harmoni me Kushtetutën. "BE-ja qëndron bashkë me Kosovën në luftën kundër COVID-19. Në këtë kohë të vështirë dhe sfiduese, populli i Kosovës ka nevojë për udhëzime të qarta dhe siguri, se do të ndërmerren të gjitha masat e mundshme për t'i zbutur efektet e pandemisë. I bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve të institucioneve që të punojnë së bashku, (në respektim të plotë të Kushtetutës së Kosovës) dhe ta drejtojnë tërë energjinë dhe mundin e tyre drejt luftimit të pandemisë dhe ofrimit të sigurisë për popullin e Kosovës. Nuk është koha për antagonizma politikë ose institucionalë, por për unitet politik", thuhet në deklaratën e BE-së.
Përpasja politike ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, filloi me shkarkimin që i bëri kryeministri Kurti, ministrit të Brendshëm Agim Veliu që vjen nga LDK dhe që kishte pasur përplasje me kryeministrin rreth shpalljes ose jo së gjendjes së jashtëzakonshme që e kërkonte edhe Presidenti i Kosovës për shkak të koronavirusit. Ky i fundit të martën ju drejtua Gjykatës Kushtetuese për vendimin e fundit të qeverisë së Kosovës që vendosi masa ndalimi të qytetarëve në dy intervale kohore brenda ditës në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit. Presidenti Thaçi vendimin e qeverisë e quajti antikushtetues, për faktin që sipas tij, që të bëhet ndalimi i lëvizjes së njërëzve, fillimisht duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme, të cilën e kundërshton kryeministri Albin Kurti.