Gjermania kredi milionëshe për mbrojtjen e klimës në Turqi
17 Tetor 2021"Gjermania do të mbështesë në nivel bilateral", tha kancelarja Angela Merkel pas takimit me presidentin turk Rexhep Tayip Erdogan në Stamboll. Lidhur me këtë po zhvillohen ende bisedime. Sikurse njofton agjencia e lajmeve Reuters, Turqia pas ratifikimit të Marrëveshjes së Parisit për mbrojtjen e Klimës ka marrë një premtim kredie në vlerën mbi 3,1 miliardë euro.
Kjo shumë, sipas marrëveshjes, do të lëvrohet nga Banka Botërore, Franca dhe Gjermania. Gjermania duhet të lëvrojë mbi 200 milionë euro, bëhet e ditur. Merkel e përshëndeti ratifikimin nga Turqia të Marrëveshjes së Parisit për mbrojtjen e Klimës. Tani të gjitha shtetet e G20 e kanë nëshkruar këtë marrëveshje.
Takimi mes Merkelit dhe Erdoganit u zhvillua në pjesën historike të qytetit Tarabya buzë ngushticës së Bosforit. Tema të tjera të vizitës së lamtumirës të kancelares në Stamboll ishin edhe Afganistani dhe bisedimet që po zhvillohen me talibnët, situata aktuale në Libi e në Siri si dhe politika e BE-së për migracionin. Merkeli deklaroi, se në samitin e BE-së javën e ardhshme do të angazhohet, që Turqia të marrë ndihma të mëtejshme nga BE për kujdesin ndaj refugjatëve sirianë.
Turqia ndodhet në njërën prej itinerareve kryesore të tranzitit për refugjatët që synojnë të mbërrijnë në Europë. Në marrëveshjen e vitit 2016 Ankaraja premtoi ndër të tjera se do të veprojë kundër bandave të kontrabandës me njerëz, që kalojnë refugjatët në Greqi. BE e ka mbështetur në kompensim Turqinë gjatë viteve të kaluara me shuma miliardëshe. Merkeli tha, se është evidentuar, që për disa tema ne jemi të një mendimi: "Ne e kuptojmë që në aspektin gjeostrategjik jemi shumë të varur nga njri-tjetri", deklaroi kancelarja duke iu referuar Afganistanit, migracionit ilegal, si edhe zhvillimeve në Afrikë.
uh/djo (rtr, dpa, afp)