Gjermanët mirëpresin dënimet e Italisë, për krimet mafioze në Duisburg
13 Korrik 2011Një gjykatë në qytetin e Lokrit në Itali, dha vendimin me burgim të përjetshëm për grupin e gangsterëve të klanit mafioz kalabrez me emrin “'Ndrangheta”. Mes personave të dënuar, ishte edhe 32 vjeçari Giovanni Strangio, që u shpall fajtor si organizatori i 6 vrasjeve të menjëhershme jashtë restorantit në Gjermaninë Perëndimore.
Sulmi në qendrën e qytetit të Duisburgut ndodhi shumë pranë stacionit kryesor të trenave"Jam mjaft i lumtur që puna e shkëlqyer e hetuesve në Duisburg, bëri të mundur këtë vendim” tha ministri i Brendshëm i landit të Nord Rhine-Westfalia, Ralf Jäger. "Ky sukses është gjithashtu, edhe falë bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve italiane dhe policisë së Rinit Verior - Westfalisë. Kjo tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, po funksionon” tha Jäger.
Organizatori i krimeve, Strangio u arrestua në Holandë, në qytetin e Amsterdamit në 2009, dhe hetuesit dolën në konkluzionin se 6 vrasjet në Duisburg, ishin një hakmarrje për një sulm të mëparshëm në 2006. Në atentatin e asaj kohe për Krishtlindje, u vra kushërira e të ndaluarit, Maria Strangio.
Këto vrasje, janë pjesë e sagës së tmerrshme të vrasjeve midis dy klaneve, të cilat mendohet se kanë nisur në vitin 1991, kur të rinj të klanit Nirta-Strangio nisën të zihen me anëtarët e familjes Pelle-Voltari. Që prej asaj kohe, janë vrarë 14 persona në atentate të ndryshme, por “masakra e Duisburgut” ishte më e rënda prej krimeve.
Klani 'Ndrangheta”, që ka bazën e tij në Kalabri, nuk është aq e njohur sa klanet Cosa Nostra në Siçili, apo Camorra napoletane, por autoritetet kanë nënvizuar rrezikun e madh, për shkak të aktiviteteve të ndryshme kriminale si trafik droge apo armësh.
Autor: Aurel Boriç (dapd, dpa)
Redaktoi: E.Xhani