1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata Europiane: "Safe Harbor" e pavlefshme

vfb/ar/nm (dpa, rtr, epd)6 Tetor 2015

Gjykata Europiane e rrëzoi marrëveshjen "Safe Harbor"- për rregullimin e qarkullimit të të dhënave mes SHBA-së dhe vendeve të BE-së. Koncernet e SHBA-së si Facebook dhe Google nga ky vendim mund të kenë pasoja të rënda.

https://p.dw.com/p/1GjYu
Der Europäische Gerichtshof in Luxemburg
Gjykata Evropiane në LuksemburgFotografi: Imago/R. Fishman

Vendimi i Gjykatës Europiane prek në SHBA gjithsej 4400 sipërmarrje dhe qindra milionë konsumatorë në Europë.

Gjykata Europiane arriti në konkluzionin, se të dhënat personale të përdoruesve europianë të internetit nuk mbrohen mjaftueshëm në SHBA prej aksesit të autoritetve ndaj tyre. Kësisoj gjyqtarët e shpallën të pavlefshme marrëveshjen për transferimin e të dhënave në SHBA, të ashtuquajturën "Safe Harbor".

Sipërmarrjet si Facebook e deri tek Mastercard këtej e tutje mund të kenë probleme të mëdha. Ndoshta atyre do t'u duhet ta riorganizojnë tërësishst shkëmbmimin si dhe sigurinë e të dhënave me Europën.

"Çekiçi i gjyqtarit nuk e prek Facebook-un"

Padinë pranë Gjykatës Europiane e kish ngritur juristi dhe aktivisti austriak i mbrojtjes së të dhënave Maximilian Schrems. Ai megjithatë qysh përpara këtij vendimi ishte shprehur skeptik përsa i përket pasojave të mundshme: "Çekiçi i gjyqtarit nuk do ta prekë Facebook-un. Ata do të gjejnë rrugëdalje", i tha Schrems për revistën "Der Spiegel".

Pasoja nga ky gjykim mund të kenë megjithatë firmat europiane. "Atyre do t'u duhet të pyesin veten, nëse të dhënat e klientëve të tyre lejohet të depozitohen në shërbimet amerikane Cloud si Microsoft apo Google", thotë Schrems.

"Gurthemeli për të drejtat e përdoruesve"

Ministri gjerman i Drejtësisë Heiko Maas e cilësoi vendimin e gjyqtarëve si një sinjal për mbrojtjen e së drejtës themelore në Europë". Ai shprehu bindjen, se në të ardhmen shumë sipërmarrje të SHBA-së do t'i përmbahen së drejtës europiane për mbrojtjen e të dhënave. "Kush ofron në BE mallra apo shërbime duhet të respektojë edhe të drejtën e BE-së për mbrojtjen e të dhënave", tha Maas.

E ngarkuara e qeverisë gjermane për mbrojtjen e të dhënave e vlerësoi gjykimin e Gjykatës Europiane si një gurthemeli. Vendimi do të thotë "një forcim i ndjeshëm i kompetencave të autoriteteve europiane të mbrojtjes së të dhënave", tha të martën (06.10)Andrea Voßhoff.

Në përgjithësi reagimet nga politka gjermane ndaj vendimit kanë qenë pozitive: politikania e partisë ekologjiste Të Gjerlbërit, Renate Künast, e konsidron vendimin "një gurthemeli për të drejtat e përdoruesve të internetit". Ish-ministrja liberale e Drejtësisë Leutheusser-Schnarrenberger Gjykatën Europiane e cilësoi si të vetmen mbrojtëse të të drejtave themelore në Europë. "BE-ja më në fund duhet të ushtrojë presion ndaj SHBA-së, në mënyrë që të paktën në Europë t'i jepet fund mbikqyrjes dhe përgjimit të pakufi nga SHBA-ja."

SHBA paralajmërojnë nga dëmi

Me vendimin e saj Gjykata Europiane u bazua në një ekspertizë të prokurorit pranë Gjykatës Evropiane Yves Bot, që ka kritikuar në radhë të parë mbikqyrjen e shërbimeve sekrete të SHBA-së. Prokurori i përgjithshëm Bot në kërkesën e tij deklaronte, se klasifikimi i SHBA si "port i sigurtë" nga Komisioni në vitin 2000 është i pavlefshëm. E drejta dhe praktika e SHBA-së lejojnë që të dhënat e transferuara nga qytetarët e BE-së të mblidhen në masë të gjerë, pa poseduar mbrojtje efektive ligjore.

Në prag të vendimit qeveria e SHBA-së, sipas gazetës "Frankfurter Allgemeine Zeitung" ishte pozicionuar duke paralajmëruar për dëmin ndaj mbrojtjes së të drejtave të individit, në rast se gjykata i jep të drejtë kërkesës së prokurorit pranë Gjykatës Evropiane. Sepse në një rast të tillë asnjë shtet, asnjë sipërmarrje dhe asnjë qytetar nuk mund të kenë më besim tek një marrëveshje e Komisionit Evropian.