1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

GNK për situatën në veri të Kosovës

Angelina Verbica21 Tetor 2011

Konfrontimi mes bashkësisë ndërkombëtare dhe serbëve të veriut të Kosovës mund të eskalojë në çdo kohë, paralajmëron GNK. Nga Brukseli kërkon të mos përdorë strategjinë e dhunës e nga Beogradi të jetë më konkret në plane

https://p.dw.com/p/12wZj
KFOR heq barrikadat në mes Serbisë dhe Kosovës
KFOR heq barrikadat në mes Serbisë dhe KosovësFotografi: dapd

Situata në veri të Kosovës është tejet e tensionuar. Edhe pse thuhet se përveç përdorimit të gazit lotsjellës tani për tani nuk ka pasur nevojë për përdorim të forcës, në Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG), paralajmërohet se situata mund të eskalojë në çdo moment: "Ka filluar beteja e nervave dhe garës së durimit. KFOR-i mund të heqë barrikadat, ndërsa serbët lokalë të ndërtojnë të reja ... Gjëja më e rëndësishme është që kjo luftë të mbetet e qetë, të shmangen përshkallëzimet tragjike, deri tek të cilat mund të vijë shumë lehtë", thotë për Deutsche Wellen drejtori i programit për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec.

Në GNK theksojnë se do të ishte më mirë që kjo situatë të zgjidhet me marrëveshje dhe jo vetëm çështja e kufirit dhe barrikadave, por edhe çështja e qeverisjes në veri të Kosovës dhe raportet e veriut të Kosovës me Prishtinën nga njëra anë dhe raportet e Prishtinës me Beogradin në anën tjetër.

Tensionet në veri shkaktojnë tensione edhe në jug të Kosovës

Lajmi për incidentin në Pejë, ku një shqiptar pas një zënke vrau një dhe plagosi dy serbë të tjerë, në Grupin Ndërkombëtar të Krizave vlerësohet si "tragjik": "Kur tensioni rritet në mes të serbëve dhe të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa Kosova e vëren se bashkësia ndërkombëtare qëndron në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës dhe serbët e kundërshtojnë atë, atëherë rriten tensionet edhe në enklavat në jug. Ka shumë pika, në të cilat mund të vijë deri tek gjakderdhja", thotë Prelec.

Prelec shton se ata që kanë zgjedhur këtë taktikë edhe nga njëra edhe nga ana tjetër kanë përgjegjësi të madhe, që të mos vijë deri tek eskalimi i gjendjes.

Thirrje për përmbajtje nga dhuna

Bashkimi Evropian ka mbështetur veprimet e KFOR-it, të mbështetura edhe nga EULEX-i për vendosjen e lirisë së qarkullimit në veri të Kosovës dhe i bëri thirrje të gjitha palëve të qëndrojnë të qeta dhe të shmangin dhunën.

Qindra serbë protestojnë në Gracanicë
Qindra serbë protestojnë në GracanicëFotografi: picture-alliance/dpa

Ndërsa Brukseli thotë se qëllimi i operacionit të kryer nga KFOR-i me mbështetjen e EULEX-it është "përmirësimi i sundimit të ligjit", duke theksuar se "liria e lëvizjes është një nga parimet themelore të Bashkimit Evropian", në GNK për Deutsche Wellen thonë se nga Brukseli presin që për zgjidhjen e problemeve të mos përdorë strategjinë e dhunës, e cila mund të ketë pasoja të këqija.

Njëkohësisht nga Beogradi pritet që të thotë qartë se çfarë politike përfaqëson, kur është në pyetje veriu i Kosovës. Sa i përket dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës në GNK pritet që ai të vazhdojë në nëntor, me mundësisht marrëveshje të reja, të cilat sipas mendimit të Mark Prelec nuk do të kenë ndikim të madh në gjendjen në terren. Kështu Prelec propozon rifillimin e dialogut, në të cilin përveç përfaqësuesve të Beogradit dhe të Prishtinës do të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e veriut të Kosovës, dhe në kuadër të të cilit do të kërkoheshin përgjigje, të cilat do të rregullonin jetën e mëtejshme të njerëzve në atë rajon.

Autor: Marina Maksimovic / Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica