1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Ndryshime në kabinet dhe rihapje e bankave

PP (dpa, afp, reuters)18 Korrik 2015

Kryeministri grek largon nga kabineti kritikuesit e masave të kursimit. Të hënën rihapen bankat.

https://p.dw.com/p/1G10n
Fotografi: Reuters/A. Konstantinidis

Kryeministri grek Alexis Tsipras bëri disa ndryshime në kabinetin qeveritar, duke larguar kritikuesit e marrëveshjes së Greqisë me eurogrupin. Ministri i deritanishëm i Energjetikës Panagiotis Lafazanis u zëvendësua nga minstri i Punës dhe ish-zëdhënësi i partisë Panos Skourletis, një i besuar i kryeministrit.

Panajotis Lafazanis konsiderohet si udhëheqësi i opozitës brenda partisë Syriza. Kohët e fundit ai injoroi në parlament vijën zyrtare të partisë dhe votoi kundër propozimeve të Tsipras për masat e kursimit. Edhe ish-zëvendësministri i Çështjeve Sociale, Dimitris Stratoulis, figura e dytë më e rëndësishme për krahun e majtë të partisë, u lirua nga detyra - ashtu sikurse zëvendësministri i Mbrojtjes Kostas Isichos. Ministër i ri i Punës do të jetë George Katrougalos. Zëvendësministër i Financave emërohet Tryfon Alexiadis në vend të Nadia Valavanit, që dha dorëheqjen.

Riorganizimi si simbol

Analisti politik Stratos Ballis tha për kanali televiziv "Skai" se " çdo gjë që lidhet me krahun e fuqishëm të majtë të partisë është fshirë. Ky riorganizim shënon ndarjen zyrtare të kreut të qeverisë nga opozita brenda partisë së tij." Në vend të politikanëve të majtë u shpërblyen me poste të tjera ministrore, populistët e djathtë që janë pjesë e koalicionit në pushtet dhe që pavarësisht rrëshqitjeve verbale janë besnikë ndaj qeverisë, vë në dukje Ballis.

Griechenland Bankautomaten Kunden Athen
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Baltagiannis

Rihapja e bankave

Ndërkohë Ministria e Financave njofton se të hënën do të rihapen bankat greke, të cilat qëndruan të mbyllura për rreth tri javë. Por megjithë lehtësimin e kufizimeve kontrollet e kapitalit do të vazhdojnë. Për të shmangur radhët e gjata përpara bankomatëve qytetarët mund të tërheqin deri në 420 € në javë, tha zëvendësministri i Financave Dimitris Mardas. Deri tani nuk lejoheshin më shumë se 60 euro në ditë

Transfertat e parave jashtë vendit do të vazhdojë të jenë të mundura vetëm pas miratimit nga Banka Qendrore dhe Ministria e Financave, ndërsa sipas dekretit të Ministrisë së Financave transfertat brenda Greqisë nga e hëna lejohen.