I dërguari i OKB-së Gambari takohet me udhëheqësen e opozitës birmaneze Aung San Suu Kyi
30 Shtator 2007I dërguari i OKB-së, Ibrahim Gambari zhvilloi në Birmani takime me disa prej përfaqësuesve të juntës ushtarake si dhe arriti të takohet dhe të bisedojë edhe me udhëheqësen e opozitës birmaneze Aung San Suu Kyi. Pas takimit me përfaqësuesit e juntës ushtarake në selinë e tyre në Najpjitau, i dërguari i OKB-së, Ibrahim Gambari, u takua në Rangun edhe me udhëheqësen e opozitës birmaneze Aung San Suu Kyi. Sipas njoftimeve të qarqeve diplomatike diplomati nigerian u takua me Aung San Suu Kyi në një nga shtëpitë e pritjes të qeverisë birmaneze. Takimi me të vazhdoi rreth një orë. Sipas të dhënave të OKB-së në Najpjitau Gambari ishte takuar me kryeministrin, zëvendësministrin e punëve të jashtme si dhe me ministrin e informacionit dhe të kulturës.
Në lidhje me vizitën e Ibrahim Gambarit në Birmani MPJ britanik David Miliband, tha gjatë një interviste me BBC-në:'E gjithë pesha e bashkësisë ndërkombëtare bashkohet me vizitën e ambasadorit Gambari. Ne duhet të jemi të sigurt se regjimi i ka të qarta pasojat e shpërfilljes ndaj bashkësisë ndërkombëtare."
Kurse MPJ kinez Jang Jie Qi deklaroi: 'Ne shpresojmë që të gjitha palët do të tregohen të përmbajtura, se situata do të qetësohet së shpejti, se gjakderdhja do të shmanget dhe se populli do t'i rikthehet jetës normale - ky është qëllimi ynë."
Sipas të dhënave të diplomatëve të huaj gjatë fundjavës nëpër rrugë vihej re një prani mjaft e madhe forcash ushtarake. Po sipas diplomatëve nuk kanë munguar edhe rastet e rrahjeve të qytetarëve prej forcave të rendit.Në të kundërt me këto njoftime në televizionin shtetëror të Birmanisë transmetoheshin lajme për organizimin nëpër qytete dhe fshatra të disa manifestimeve pro qeverisë:Sipas këtyre lajmeve në to morën pjesë duke dëshmuar unitetin 98.100 vetë.
Numri i të arrestuarve në demonstratat e ditëve të fundit ka arritur në 1.000 vetë. Për shkak se burgu qëndror i Rangunit është tejmbushur, të arrestuarit po i mbajnë edhe në godinën e universitetit dhe të disa institucioneve të tjera shkollore.