Kush lufton kundër kujt në Jemen?
2 Prill 2015Shpjegimi i zakonshëm është: Arabia Saudite dhe vendet e tjera mbështesin presidentin e njohur ndërkombëtarisht Abd-Rabbu Mansour Hadi në sulme ajrore kundër milicive huthi. Por në fakt lufta civile përcaktohet nga shumë linja të tërthorta konflikti. Kështu ushtria dhe administrata e pushtetit qendror janë të përçara. Një pjesë e madhe nuk mbështesin Hadin, e arratisur në Arabinë Saudite, por vazhdojnë të jenë ende besnikë të diktatorit shumëvjeçar Ali Abdullah Saleh, të rrëzuar në vitin 2012, që ka kaluar në anën e Huthi.
E përçarë është edhe shoqëria në vendin e krijuar në 1990 nga veriu dhe jugu i Jemenit. Në jugun dikur socialist shumë qytetarë ndjehen më pak të favorizuar se sa veriu dhe mbështesin lëvizjen secesioniste. Këtu ka struktura të forta edhe "Al-Kaida në Gadishullin Arabik" (AQAP). Vitet e luftës së Shteteve të Bashkuara me avionë të telekomanduar nuk kanë qenë në gjendje të ndryshojnë shumëçka. Konflikti merr një komponent fetar nga fakti se në veri jetojnë kryesisht saiditët shiitë, tek të cilët bëjnë pjesë edhe Huthi, ndërsa në jug jetojnë shafeitët sunitë. Fiset rivale mbështesin për motive shumë të ndryshme herë njërën herë tjetrënm anë. Me ndërhyrjen e shteteve sunite arabe në Jemen luhet tani edhe një konflikt politik rajonal. Jemeni tradicionalisht i njohur si "oborri i pasëm" i Arabisë Sauditeme forcimin e huti mund të kalojë nën ndikimin iranian. Në luftimet aktuale janë në njërën anë lëvizja huti dhe pjesë të mëdha të forcave të sigurisë, ndërsa në anën tjetër luftojnë kryesisht Komiteti i Popullit, fise dhe Al-Kaida, të mbështetur nga sulmet ajrore të fuqive intervenuese. "Komitetet e Popullit janë shumë të fragmentuara: disa mbështesin Hadi-n, të tjerë luftojnë për pavarësinë e jugut", thotë Mareike Transfeld nga fondacioni Shkenca dhe Politika në Berlin.
Kush janë Huthi?
Milicët huthi, që veten e quajnë "Ansar Allah", përbëhen nga saiditët shiitë dhe rrjedhin nga zona malore kufitare me Arabinë Saudite. Deri në revolucionin e vitit 1962 një imamat i saiditëve kishte sunduar më shumë se 1000 vjet në Jemenin verior, më vonë ata u ndjenë gjithnjë e më shumë të margjinalizuar. Kundër përpjekjes nga ana e qeverisë qendrore, për t'ia afruar praktikën fetare të saiditëve asaj të sunitëve, lindi rezistenca, e cila në vitin 2004 kaloi në konflikt të armatosur, ku deri në 2010 u vranë mijëra njerëz. Kur protestat masive rrëzuan në vitin 2011 diktatorin Saleh, huthi-t ishin përfshirë në një pjesë të madhe në protesta. Megjithatë si rezultat u krijua një qeveri e bashkimit kombëtar rreth zëvendëspresidentit të atëhershëm Hadi pa pjesëmarrjen e huthi. Irani i mbështet dukshëm huthi. Ndihma vjen në vend me anije dhe avionë, thotë politologu jemenit Vlid al-Saqaf, studjues në universitetin e Stockholmit.
Çfarë duan huti?
“Zoti është i madh, vdekje Amerikës, vdekje Izraelit, dënim hebrejve, fitore islamit", thuhet në logon e huthi nën drejtimin e Abdulmalik al-Huthi. Në deklaratat e tyre ata denoncojnë korrupsionin e elitës së dëbuar dhe “ekstremizmin sunit". Pasi huthi pushtuan kryeqytetin në shtator, detyruan në fillim të vitit presidentin Hadi dhe qeverinë e tij të japë dorëheqjen dhe formuan qeverinë e vet të tranzicionit. Shkas ishte një projekt-kushtetutë, e cila parashikonte një ndarje të vendit në gjashtë rajone federale dhe i linte atyre një zonë të izoluar pa qasje në det. Me sa duket lëvizja ka tani si qëllim të sundojë të gjithë Jemenin. Marrja e lehtë e kryeqytetit Sanaa ka bërë që udhëheqësit ta mbivlerësojnë veten, mendon Mareike Transfeld e Fondacionit Shkenca dhe Politika. "Me depërtimin e huthi në jug konflikti ka marrë një dimension të ri", thotë Transfeld. "Huthi besojnë se ata mund të kontrollojnë të gjithë Jemen, por sapo kanë filluar ta ndjejnë se nuk e kanë të lehtë në jug dhe hasin në rezistencën e al-Kaidës, Komitetit të Popullit dhe fiseve të ndryshme." Përveç kësaj Jemeni, ku gjysma e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, është aq i varur nga ndihmat e huaja, saqë çdo qeveri ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare.