Itali: Agjencitë ulin vlerësimin e bankave
17 Korrik 2012Lajm i ri i keq për Italinë. Pas uljes së vlerësimit të shtetit italian nga Agjencia e vlerësimit Moody's, tani janë ulur vlerësimet edhe për një numër bankash italiane. Sipas një deklaratë të publikuar të hënën në mbrëmje, Moody's ka ulur notat për 13 institute financiare italiane, mes të cilave më të mëdhatë në vend si Unicredit dhe Intesa SanPaolo. Shtatë bankave u është ulur nota me dy pikë, gjashtë të tjerave me nga një pikë. Përveç kësaj perspektivat janë parë si "negative". Që do të thotë se pritet të bëhen zhvlerësime të tjera.Agjencia e vlerësimit e argumentoi vendimin me uljen e notës për shtetin italian, të bërë nga po ajo vetë javën e kaluar. Ulja e besueshmërisë për dhënien e kredive ka çuar në përgjithësi në rritjen e normave të interesit për marrjen e kredive të reja.
Në fillim shteti, pastaj bankat
Moody's uli ditën e premte vlerësimin për Italinë nga "A3" në "Baa2" duke dhënë vlerësime "negative" për perspektivën. Duke pasur parasysh zhvillimet e këqija ekonomike të Italisë, të karakterizuara nga ulja e rendimentit ekonomik dhe rritja e papunësisë, rritet rreziku që objektivat e kursimeve të mos realizohen, thanë ekspertët amerikanë.
Kjo nga ana e saj ndikon negativisht në besimin e tregjeve dhe ka efekte mbi mundësitë e marrjes së parave të freskëta. Moody's e kërcënoi madje Italinë me uljen e mëtejshme të vlerësimit, nëse keqësohet koniuktura ose bllokohen reformat.
(afp, dpa, dapd, rtr)