Italia mund Australinë dhe Ukraina Zvicrën me penallti
27 Qershor 2006Francesco Totti i siguroi Italisë fitoren në sekondat e fundit të ndeshjes kundër Australisë. Ai shënoi me njëmbëdhjetëmetërsh në një kohë që italianët me dhjetë lojtarë nuk kishin rrezikuar seriozisht në pjesën e dytë. Njëmbëdhjetëmetërshi u morr në një aksion të përkryer nga mbrojtësi i krahut të majtë Fabio Grosso, ndaj të cilit ndërhyri në mënyrë të parregullt Lucas Neill.
Mbrojtësi italian Marco Materazzi u nxorr në të 47-ën me karton të kuq nga loja për shkak të një foulli ndaj australianit Marco Bresciano. Vendimi i gjyqtarit ishte mjaft i diskutueshëm. Që nga ky çast ishte Australia, e cila krijoi më shumë trysni dhe italianët u përqendruan në mbrojtje. Trajnerit italian Lippi nuk i mbeti gjë tjetër veçse të zëvendësonte sulmuesin Luca Toni me mbrojtësin Andrea Barzagli.
Pjesa e parë ishte dominuar nga italianët. Toni kishte rastet më të shumta për shënim. Ja se si u shpreh pas kualifikimit trajneri italian Marcello Lippi:
"Pjesa e parë u dominua prej nesh. E kishim bllokuar hapësirën. Nuk lejuam asnjë gjuajtje, as nga larg. Në pjesën e dytë dhjetë lojtarë me njëmbëdhjetë natyrisht që kishim vështirësi, por edhe atëherë nuk u lamë hapësirë, lejuam shumë pak raste. Derisa erdhi mundësia jonë e madhe, njëmbëdhjetëmetërshi në fund. Jam tejet i gëzuar për fitoren."
Nga fundi i kohës së rregullt, derisa të gjithë prisnin kalimin në kohën shtesë ishte Totti që realizoi penalltinë dhe loja mbaroi këtu. Totti kishte ardhur në lojë vetëm në minutën e 75-të duke zëvendësuar Alessandro del Pieron.
Ndeshja e dytë e ditës së djeshme Zvicër / Ukrainë u takonte atyre më pak interesante. Me përjashtim të dy shtyllave, njëra nga Shevçenko me kokë dhe një e Freyt me goditje të lirë rastet për shënim ishin të rralla. Ekipet neutralizuan njëra-tjetrën. Edhe koha shtesë nuk rezervoi ndonjë të veçantë. Si pasojë për të parën herë në këtë kampionat vendosën njëmbëdhjetëmetërshat. Këtu vazhdoi paaftësia e lojtarëve për të mposhtur portierët. Dy njëmbëdhjetëmetërshat e parë u pritën nga portierët. Ukraina kaloi më pas në avantazh dhe e ruajti atë deri në fund. Zvicra nuk shënoi asnjë herë të vetme në tri goditje. Si rezultat në çerekfinale Ukraina do të takohet me Italinë.
Gjermania po përgatitet për ndeshjen e vet kundër Argjentinës. Në takimin e fundit me Suedinë sulmuesi i ri Lucas Podolski ishte autori i të dy golave. Ja se u shpreh ai në konferencën e përditshme për shtyp për përballjen e kundërshtarin e radhës:
"Argjentinasit luajnë futboll të mirë. Skuadra të tilla më përshtaten. Parapëlqej të luaj kundër të fortëve. Të dobëtit vetëm mbrohen."