Këshilli i Sigurimit ashpërson sanksionet kundër Koresë së Veriut
13 Qershor 2009Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka ashpërsuar masat e dënimit kundër Koresë së Veriut, si reaksion ndaj provave të fundit atomike të zhvilluara prej saj. 15 anëtarët e organizatës votuan në unanimitet të plotë në Nju Jork një projektrezolutë, e cila parashikon kontroll më të madh të mallrave që hyjnë në Korenë e Veriut dhe dalin prej saj, si dhe sanksione financiare.
Këshilli i Sigurimit i kërkoi këtij vendi të ndalë menjëherë programi atomik. Qeveria kineze kritikoi Korenë e Veriut, duke thënë se provat e fundit atomike të saj kërcënojnë paqen. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, deklaroi se ashpërsimi i sanksioneve është një sinjal i fortë që i dërgohet Pehnjanit. Ban paralajmëroi të gjitha palët e prekura, që të mos lejojnë krijimin e tensioneve të reja.
Me të njëjtën gjuhë foli edhe ambasadorja amerikanë në Kombet e Bashkuara, Rosemary DiCarlo: "Kombet e Bashkuara miratuan njëzëri përpunimin shtesë të rezolutës 1874. Kjo rezolutë siguron një përgjegjësi më të madhe ndërkombëtare ndaj provave atomike të Koresë së Veriut. Mesazhi i rezolutës është i qartë. Sjellja e Koresë së Veriut është e papranueshme për komunitetin ndërkombëtar dhe komuniteti ndërkombëtar është i detyruar të përgjigjet."
Koreja e Veriut ka reaguar ndërkohë ndaj sanksioneve të Kombeve të Bashkuara me kërcënime të reja. Ndaj çdo përpjekje për të izoluar edhe më tej këtë vend, do të reagohet ushtarakisht, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme në Phenjan. Vendi do të rifillojë programin e pasurimit të uranit dhe transformimi në mënyrën e duhur të gjithë plutonit që ka në dispozicion, për ndërtimin e armëve atomike. (sosa/dw-world)