Kurz-i dëshiron të afrojë pozicionet me Merkelin
18 Dhjetor 2017"Me Gjermaninë ne na lidhin shumë gjëra - nga ana njerëzore, ekonomike, politike dhe kulturore", i tha Kancelari i ri i Austrisë gazetës gjermane "Bild"-Zeitung (numri i së hënës). "Gëzohem për vazhdimin e bashkëpunimit me qeverinë gjermane, veçanërisht me kancelaren Angela Merkel - para së gjithash për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona të shkëlqyera edhe brenda BE", u shpreh më tej Sebastian Kurz.
Gjatë kohës kur ka qenë ministër i Jashtëmi Austrisë (prej vitit 2013), Kurz-i ka shqiptuar kritika të shumta ndaj kursit të kancelares gjermane, para së gjithash për politikën ndaj refugjatëve. Ai qe shprehur qartë edhe kundër marrëveshjes për refugjatët midis BE dhe Turqisë të negociuar në masën më të madhe nga Merkeli.
Kancelar në moshën 31 vjeçare
Kurz bëri betimin të hënën (18.12.2017) para presidentit Federal i Austrisë, Alexander Van der Bellen. Ai në këtë mënyrë u zgjodh kryeministri më i ri në moshë i Evropës. Kurz kryeson një kabinet me tetë ministra nga radhët e ÖVP konservatore dhe gjashtë ministra nga radhët e partisë së djathtë FPÖ. Për herë të parë në këtë kuadër bëhet ministër i Brendshëm një politikan i FPÖ-së: Herbert Kickl do të jetë kështu shef i mbi 30.000 punonjësve të policisë.
Ceremonia në Hofburg - në rezidencën e Presidentit të Austrisë - u shoqërua nga demonstrata. Van der Bellen i bëri thirrje në një fjalim disa minutësh koalicionit që të ndjekë një politikë të përgjegjshme, veçanërisht përballë minoriteteve. Kreu i shtetit, dikur kryetar i Të Gjelbërve bëri të qartë në hartimin e programit qeveritar se për të ka rëndësi para së gjithash vazhdimësia në politikën e jashtme. Edhe në sajë të presionit të ÖVP, megjithë kritikat ndaj Brukselit, FPÖ u shpreh qartë se e pranon parimisht ekzistencën e BE. AUD