Kaos britanik: Theresa Mayt i ikin ministrat nga kabineti
15 Nëntor 2018Ai nuk mund ta mbështesë marrëveshjen për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Kështu bëri të ditur ministri për Brexit, Dominic Raab në një letër drejtuar kryeministres Theresa May, të cilën ai e postoi edhe në twitter.
Edhe ministrja britanike për Punën, Esther McVey dha dorëheqjen të enjten( 15.11) e lista nuk mbaron këtu. Po sot dha dorëheqjen edhe një anëtare tjetër e qeverisë. Suella Braveman ishte sekretare e shtetit në ministrinë e Brexit të Dominic Raab. Më parë dha dorëheqjen edhe sekretari i shtetit për Irlandën e Veriut, Shailesh Vara. Ai theksoi se nuk mund ta mbeshtesë ujdinë për daljen e Britanisë së Madhe nga BE, sepse kjo ujdi e lë të hapur se kur "Britania e Madhe do të bëhet një shtet sovran", argumentoi politikani konservator dorëheqjen e tij.
DUP tërheq mbështetjen për qeverinë e May
Edhe partia irlandezo-veriore, DUP del kundër marrëveshjes paraprake. Sipas deputetit të kësaj partie, Jim Shannon për BBC kjo parti do të votojë "sigurisht" kundër. Për Theresa May kjo është një goditje e fortë, sepse ajo drejton një qeveri të minorancës, e ka nevojë për mbështetjen e kësaj partie.
Por edhe në radhët e partisë së vet, Theresa May ka kundërshtarë. Tani duket qartë se sa i fortë është fronti kundër saj. Të paktën 48 deputetë konservatorë kanë për të votuar kundër Theresa Mayt pro mocionit të mosbesimit përgjatë ditës së enjte, raporton, televizioni ITV. Sipas rregulloreve të parlamentit britanik një mocionbesimi bëhet i nevojshëm, kur atë e kërkojnë më shumë se 15% e deputetëve ose 48 parlamentarë.
Me këto dorëheqje zhvillimet në Britaninë e Madhe marrin një kthesë të re. Megjithatë kreu i Këshillit të BE, Donald Tusk ka vendosur 25 nëntorin si datë për samitin e jashtëzakonshëm të BE duke reaguar pas zhvillimeve të mërkurën për arritjen e një ujdie paraprake, BE-Britani e Madhe.
la/(dpa, rtr)