Karaxhiq, 'poeti' që bëri masakra
20 Korrik 2013Radovan Karaxhiq iu fsheh drejtësisë ndërkombëtare për 12 vite. Që prej korrikut të vitit 1996 Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve në Hagë kishte lëshuar një urdhër arresti. Ai akuzohej për krime lufte, genocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë mes viteve 1992-1995, kur ai ishte lideri politik i serbëve të Bosnjës. Mbi të gjitha ai duhet mbajë përgjegjësi për masakrën e Srebrenicës që u krye në korrik të vitit 1995. 8 mijë burra dhe të rinj myslimanë u vranë nga ushtarët serbo-boshnjakë. Mes vitit 1992 dhe 1995 në luftën e Bosnjës u vranë më shumë se 100 mijë vetë. Më shumë se 2 milion banorë u larguan nga shtëpitë e tyre dhe një numër i madh fshatrash dhe qytetesh u dogjën dhe shkatërruan.
Nacionalist ekstremist
Që në fillim të viteteve '80 kur promovohej shteti multikombëtar jugosllav, Karaxhiq e kishte paraqitur veten si një nacionalist ekstremtist. Ai do të ishte kryetari i parë i partisë së sapoformuar Partia Demokrate Serbe në Bosnjë Hercegovinë. Më pas në vitin 1992 ai ishte presidenti i parë i Republikës Serbe në Bosnjë Hercegovinë. Në këtë moment ai shfaqi retorikën e tij agresive. Gjatë një kongresi të partisë së tij u tha serbëve se atja janë “rracë luftëtarësh” dhe më pas ai kërcënoi myslimanët e Bosnjës se do t'i ‘zhdukte'.
Me mbështetjen e Beogradit e drejtuesit të tij nga Beogradi, ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, Karaxhiq filloi luftën në Bosnjë, të cilën e kishte paralajmëruar. Nën udhëheqjen e tij politike u kryen vrasje dhe përdhunime në zonat e kontrolluara nga serbët. Për jo-serbët u ngritën kampe përqëndrimi dhe pas një gjysëm viti u bombardua Sarajeva.
Ngritja dhe rënia e Karaxhiqit
Bosnja nuk ishte vendi i lindjes së Radovan Karaxhiqit. Ai lindi në Mal të Zi pak pasi kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore. Në moshën 15 vjeçare ai zhvendoset në Sarajevë së bashku me familjen e tij. Atje ai studoi mjekësi. Më vonë ai fitoi një bursë një vjeçare studimi në Universitetin e Kolumbias në New York dhe më pas filloi punë si psikiatër në një klinikë në Sarajevë. Për një kohë ai madje ka punuar si psikolog pranë ekipit të futbollit të Barcelonës. Gjatë kësaj kohë ai ushtronte edhe pasionin e tij të të shkruajturit: deri para fillimit të luftës ai kishte botuar katër libra.
Pak pasi ai nënshkroi marrveshjen e paqes me Bosnjë e Hercegovinën në vitin 1995 Karaxhiq hoqi dorë nga posti i presidentit për shkak të presionit ndërkombëtar dhe pak muaj më vonë kur Gjykata e Hagës lëshoi një urdhër-arresti u fsheh. Për vite të tëra më pas ai ishte në kërkim. Për një kohë ai mendohej se fshihej në manastiret e Kishës Ortodokse Serbe dhe më pas në malet e larta në trekëndëshin mes Bosnjës, Serbisë dhe Malit të Zi.
Gjatë gjithë kohës qeveria serbe deklaronte se nuk kishte asnjë informacion se ku mund të gjendej Karaxhiq. Më 21 Korrik 2008 ndodhi surpriza. Policia serbe e arrestoi atë në Beograd, ku jetonte nën një emër të rremë, Dragan David Dabiq. Gjatë kësaj kohe ai kishte ushtruar profesionin e tij të mjekut, kishte dalë në publik dhe nën emrin e ri shkruante artikuj për një revistë. Menjëherë pas arrestimit ai u ekstradua për në gjykatën e Hagës.
Asnjë pendesë në proces
Gjatë procesit ku 68 vjeçari mbron veten, nuk ka treguar asnjë shenjë pendese apo pranim faji. Sa i përket masakrës së Srebrenicës, ai nuk pranon asnjë përgjegjësi dhe ka deklaruar se kishtë dhënë urdhër ‘të mbroheshin civilët dhe ushtarët e kapur rob duhet të shkëmbehehsin'. Për rrjedhojë fajtori i vetëm për këtë masakër mbetet shoku i tij, Gjenerali Ratko Mladiq. Sidoqoftë Radovan Karaxhiq e ka quajtur luftën në Bosnjë si ‘Luftë kundër formimit të një shteti mysliman në Europë'. Ai mendon se është ‘viktimë e drejtësisë' dhe e prezanton veten si ‘psikiatër, poet dhe njeri të paqes', prandaj ai nuk duhet të dënohet.
Por 5 vjet pas arrestimit të tij dhe 18 vjet pas masakrës së Srebrenicës, akuzat kundër tij janë shtuar. Ish lideri i serbëve të Bosnjës tani akuzohet jo vetëm për masakrën, por edhe për genocidin në kampet e të burgosurve në Luftën e Bosnjës gajtë viteve 1992 - 1995.