Ndryshimet në eurozonë duan kohë
23 Qershor 2012Gjërat po ndodhin prapa skenave të BE-së. Kjo ndjehej dhe shihej në Romë. Ngadalë katër liderët e eurozonës lëvizin në drejtim të njëri-tjetrit. Konturet e një vizioni, që kancelarja ka dëshirë ta përshkruajë si "Më shumë Evropë", bëhen të dukshme të paktën nga ana skematike. Megjithatë pozicionet nuk janë ende të njëjta. Angela Merkel flet shumë për kontroll dhe përgjegjësi. Presidenti francez Hollande preferon të flasë për solidaritet midis evropianëve dhe jo për kursime aq të rrepta. Por me vështirësi apo sforcim këto shkëmbinj të mëdhenj lëvizin tani drejt njëri tjetrit.
Paralajmërimi i mikpritësit italian Mario Monti me sa duket ka bërë efekt. Profesori i zgjuar i ekonomisë tha në aludime të zymta, se zona e euros ka edhe dhjetë ditë kohë, për të menduar një plan të besueshëm për të ardhmen e tij. Më pas tregjet financiare do t'u bien burive të sulmit. Në samitin e BE-së javën e ardhshme duhet të bëhet hapi i madh. Duhet paraqitur një plan me etapa për arritjen e një unioni të vërtetë fiskal, një bashkimi të vërtetë politik, duke përfshirë përgjegjshmërinë e përbashkët dhe kontrollin.
Lëvizje të ngadalta
Presidenti francez ka pranuar që vendi i tij duhet të heqë dorë më në fund nga të drejtat e sovranitetit mbi çështjet buxhetore dhe të bjerë dakord për më shumë integrim. Kancelarja gjermane nuk kundërshtoi më futjen e një unioni bankar dhe eurobondet. Ajo vetë nuk i ka zënë këto fjalë në gojë, por ka bërë të qartë, se e pranon përgjegjësinë e përbashkët për borxhet, në qoftë se ato kontrollohen bashkarisht.
Në qoftë se e gjitha kjo do të realizohet, do të ishte një revolucion i vërtetë nga lart. Do të nevojiteshin marrëveshje të reja në Evropë dhe një kushtetutë e re në Gjermani. A ka kohë për të gjitha këto? Pyetja është, nëse popullata do ta ndjekë konceptin e "Më shumë Evropë". A nuk ka prodhuar kriza e euros shumë lodhje dhe bezdi ndaj Evropës?
Kriza nuk përmendet
Ah po, kriza! Ajo në takimin në Romë nuk u tematizua, të paktën zyrtarisht. Se si do të ulen kostot shumë të larta për obligacionet spanjolle dhe italiane, nuk u tha asnjë fjalë. Mario Monti kishte paralajmëruar masa afatshkurtra, siç janë blerja e letrave me vlerë të borxheve nga Fondi i Shpëtimit, apo nga Banka Qendrore Evropiane. Për këtë kancelarja, së paku publikisht, nuk tha asnjë fjalë. Kjo nuk ka për të lënë përshtypje pozitive në tregjet financiare. As Greqia nuk u përmend as edhe një herë. Dukej sikur katërshja e Romës, e zbehu në një farë mënyre krizën akute, për t'iu përkushtuar vizioneve evropiane. Kjo për fat të keq nuk mjafton si përgjigje.
Kancelarja gjithashtu heshti në lidhje me përpjekjen e dështuar, për të aprovuar në afat në Gjermani Fondin e përhershëm të Shpëtimit, ESM . Një rezultat jo fort bindës për tregjet financiare, me sa duket shumë nervoze. Në Romë pra nuk u thanë aq shumë gjëra, sepse lëvizja prapa skenave të BE është ende shumë e ngadaltë. Askush nuk guxon të dalë në skenë hapur.
.