Katër ushtar të KFOR-it plagosen në Jarinje
27 Shtator 2011Zyrtarë të forcave paqeruajtëse njoftojnë se të paktën katër ushtarë të KFOR-it dhe një serb janë lënduar gjatë një përleshjeje që ndodhi sot në mesditë, ndërmjet një grupi serbësh dhe ushtarëve të KFOR-it në pikën kufitare me Serbinë në Jarinje.
Zëdhënësi i KFOR-it, Kai Gudenobe, tha për DW: “Gjysmë orë më parë edhi deri te një përleshje ndërmjet KFOR-it dhe masës protestuese dhe si rezultat i kësaj, katër ushtarë të KFOR-it, janë plagosur nga një shperthim. Sipas informatave që kam deri tash, ka edhe një serb të plagosur.”
Mediat lokale serbe, raportojnë për disa serbë të plagosur gjatë përleshjes me forcat paqeruajtëse, mirëpo, këto njoftime nuk konfirmohen nga zyrtarët e KFOR-it.
Përplasja ndërmjet forcave paqeruajtëse dhe protestuese serbë, erdhi pasiqë trupat e KFOR-it, në mëngjes filluan me heqjen e barrikadave të vëna nga serbët afër pikës kufitare në Jarinje. Trupat e KFOR-it përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën të cilët kundrshtonin heqjen e barrikadave dhe me këtë rast arrestuan pesë persona. Më vonë këta persona u liruan pasi u morën në pyetje nga policia e misionit EULEX. Situate e sigurisë në pikën kufitare në Jarinje sipas zyrtarëve të KFOR-it, vazhdon të jetë e tensionuar.
Përpjekja e forcave paqeruajtëse për të hequr barrikadat e serbëve, ndodhi në ditën kur në Bruksel delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit, takohen në kuadër të dialogut teknik.
Autor: Bekim Shehu
Redaktor: P. Pani