KFOR-i i shpall dy pikat kufitare në veri të Kosovës zona të kufizuara ushtarake
29 Korrik 2011KFOR-i i ka shpallur dy pikat kufitare në veri të Kosoves Zona të Kufizuara. Kjo ka bërë të qartë se çdo përpjekje e re për vandalizma në brezin kufitar Kosovë-Serbi do të zbrapset nga forcat e KFOR-it. Në rast nevoje, forcat tona do t´i përgjigjen dhunës edhe me forcën vdekjeprurëse, ka paralajmëruar Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buehler, të ejten në Mitrovicë:
„Ushtarët mund të përdorin forcë vdekjeprurëse. Mund t´i përdorin armët e tyre për t´u vetëmbrojtur, për të mbrojtur popullatën, pronën, Zonën e Kufizuar Ushtarake. Asnjeri i paautorizuar të punojë në porta apo të kalojë portat, nuk guxon të jetë pranë tyre. Në zona të kufizuara rregullat janë shumë të qarta. Shenjë e mirë është se të gjithë jemi të mendimit se dorasit e aktit kriminal të vrasjes së policit të Kosovës dhe zjarrvënësit e pikës kufitare në Jarinjë, duhet të gjehen dhe të sillen para drejtësisë“, ka thënë gjenerali Erhard Byhler, i cili ka theksuar se KFOR-i do të qëndrojë në pikat doganore 1 dhe 31 deri në krijimin e rrethanave të reja.
Një vendim i tillë vjen pasi iu vu zjarri njërës nga të dy pikat kufitare në veri të Kosovës nga protestuesit serbë. Kësaj i parapriu vrasja e një polici të Njësisë Speciale të Kosovës dhe plagosja e dhjetëra të tjerëve.
Autor: Ajete Beqiraj
Redaktoi: Elert Ajazaj