1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KFOR-i nuk ka afat për heqjen e barrikadave në veri

7 Tetor 2011

Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, preferon zgjidhje politike dhe paqësore që do të rezultonte me heqjen e barrikadave të vëna nga serbët lokalë në veri të Kosovës.

https://p.dw.com/p/12nyu
Konferencë shtypi në Prishtinë me gjeneralin Erhard Drews. 07.10.2011
Konferencë shtypi në Prishtinë me gjeneralin Erhard Drews. 07.10.2011Fotografi: DW

Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman, Erhard Drews, tha se trupat e NATO-s, nuk kanë ndonjë plan të shpejtë për largimin e barrikadave të vëna nga serbët lokalë në veri të Kosovës. Ai tha se forca paqeruajtëse, preferojnë që të gjendet një zgjidhje politike si rruga më e mirë për të zhbllokuar rrugët në veri. Por, gjenerali Drews, tha se kjo nuk do të thotë se KFOR-i nuk do të veprojë. Këto deklarata komandanti i KFOR-it i bëri në një konferencë për media, të parën që nga marrja e detyrës si komandant i KFOR-it.

Serbët lokalë bllokojnë pikën kufitare Jarinje. korrik 2011
Drews: barrikadat po bllokojnë jetën e banorëve të zonës.Fotografi: dapd

Nuk ka një afat kohor për heqjen e barrikadave

“Nuk ka ndonjë limit kohor. Se kur do të largohen barrikadat nga rruga, kjo varet nga banorët lokalë dhe prej zhvillimeve atje. Por, unë dua t'i siguroj të gjithë, se forcat paqeruajtëse janë në gjendje në çdo kohë që të largojnë barrikadat nga rrugët dhe KFOR-i i rezervon vetes të drejtën, për të vepruar në çdo kohë, atëherë kur siguria është në rrezik, apo kur pengohet liria e lëvizjës”, tha gjenerali Drews.

Serbët e veriut po bllokojnë vetveten

Komandanti i KFOR-it, tha se serbët e veriut të Kosovës me barrikadat e vëna në rrugë po bllokojnë veten e tyre.

“Më lejoni të them se njerëzit në veri të Mitrovicës janë duke bllokuar më shumë vetveten sesa forcat paqeruajtëse. Ata po e privojnë vetën nga liria e lëvizjes. Bllokimi i rrugëve nuk është një demonstrim paqësor, por veprim i paligjshëm. Unë do të prefereroja që heqja e barrikadave nga rrugët të jetë rezultat i një zgjidhje politike sesa ato të largohen me forcë. Sepse gjatë ndonjë aksioni gjithmonë ekziston rreziku që të lëndohen njerëz ndoshta të pafajshëm. Pra gjithmonë është me rrezik që barrikadat të largohen me forcë”, tha komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman, Erhard Drews, në konferencën për shtyp.
Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman, Erhard Drews, në konferencën për shtyp.Fotografi: DW

“Unë nuk po provoj që të gjej një zgjidhje paqësore. Kjo është çështje dhe obligim i të tjerëve, i prezencës civile ndërkombëtare, i ndërmjetësve dhe aktorëve tjerë në rajon. Por, unë do të preferoja një zgjidhje paqësore. Megjithatë, njerëzit që kanë vënë barrikadat, ata që po shkatojnë trazira, grupet kriminale, apo çfarëdo qofshin ata, nuk duhet ta sfidojnë durimin e KFOR-it, sepse kjo nuk do të zgjatë shumë”, tha gjenerali Erhard Drews.

Incidenti në Jarinje është nxitur nga grupet kriminale serbe

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews lidhur me incidentin e fundit në pikën kufitare në Jarinje, ku disa ushtarë të KFOR-it dhe disa civilë serb mbeten të plagosur, deklaroi:

”Ishin grupet kriminale serbe ato që nxitën incidentin dhe forcat paqeruajtëse u përgjigjen në mënyrë proporcionale. Pra i hedh poshtë të gjitha pohimet e bëra ditëve të fundit në Serbi, se KFOR-i ka sulmuar njerëzit e paarmatosur dhe të pafajshëm.”

Autor: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani