1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KFOR-i në nivel të lartë gatishmërie

Bekim Shehu16 Janar 2007

Në Kosovë qëndroi sot komandanti suprem i NATO-os, gjenerali Craddoc i shoqëruar edhe nga komandanti i krahut jugor të Aleancës admirali, Henri Ulrih

https://p.dw.com/p/ArZc
Ushtarë të KFOR-it
Ushtarë të KFOR-itFotografi: AP

Komandanti i përgjithshëm i aleancës veriatlantike, gjeneral Craddock ka përcjellë mesazhin në Prishtinë, se trupat e NATO-s janë të gatshme të përballen më çfarëdo situate që mund të paraqitet në Kosovë. Forcat paqerujatëse sipas krerëve ushatarak të NATO-s, pas riorganizimit kanë rritur efikasitetin dhe aftësinë e
ndërhyrjes së shpejtë dhe janë të gatshme për t’u ndeshur me sfidat eventuale të sigurisë, me rastin e kulmimit të procesit të zgjidhjes së statusit.

“KFOR-i gjithmonë mban nivel të lartë gatishmërinë për të qenë në gjendje të intervenojë anembanë Kosovës brenda një kohe të shkurtër”, tha nje zëdhënës i KFOR-it. Sipas tij kjo nuk do të thotë se forca paqeruajtëse, ka ndërmarrë masa të posaçme përpos shkallës së lartë të gatishmërisë dhe të gjendjes së gatishmërisë në monitorimin e procesit të zgjidhjes së statusit. Ai nuk dha detaje, të përgatitjeve që ka bërë ose po bën forca paqeruajtëse për t’u përballur me sfidat e sigurisë gjatë përcaktimit të statusit final të Kosovës. Në ngritjen e shkallës së gatishmërisë janë vënë edhe policia e UNMIK-ut, dhe SHPK-së. Sipas këtyre të fundit policia kosovare, ka disa faza të sigurisë së rreptë.

Ata thonë se, aktualisht janë në fazën e tretë të planit operativ “Siguria e rreptë” që është faza e parafundit para zgjidhjes së statusit të Kosovës, ndërsa, pasi të përcaktohet statusi, do të ketë edhe fazën e katërt të “Sigurisë së rreptë”. Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë ka më shumë se 16 mijë trupa. Kjo forcë së bashku e policinë e UNMIK-ut dhe SHPK, janë mekanizmat kryesore përgjegjëse për sigurinë në Kosovë. Ato bartin mbi vete barrën kryesore për tu përballur me sfidat eventuale të sigurisë gjatë përcaktimit të statusit. Krerët e forcave të rendit, kërkojnë bashkëpunimin e popullatës në mënyrë që siguria si një aspekt i rëndësishëm të jetë në nivelin e duhur, sidomos gjatë përmbylljes së procesit për definimin e statusit të Kosovës.