KFOR-i tërhiqet dhe paralajmëron
30 Korrik 2011Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar në mbledhjen e qeverisë se autoritetet kosovare nuk do të negociojnë me Serbinë dhe askënd tjetër për integritetin dhe sigurinë e vendit. Ai tha se në të ardhmen do të ndërmerren masa ndaj zyrtarëve të Serbisë që duan të futen në Kosovë. Serbët kanë vazhduar bllokadën e disa rrugëve edhe gjatë natës së kaluar. Komandanti i KFOR-it Erhard Bühler theksoi se forcat paqëruajtëse do të mbeten në veri të Kosovës. Ai bëri të ditur se tërheqja e mbrëmshme para barrikadave të serbëve në Rudare, ishte vetëm shenjë e vullnetit të mirë për qetësimin e situatës. Por në të ardhmen nuk do të tolerohet asnjë bllokadë.
Tërheqja e KFOR-it
Serbët që kanë bllokuar rrugët thonë se në këtë mënyrë duan të mbrojnë qytetarët e tyre në veri të vendit. Bühler tha në një konferencë për media në Mitrovicë se ruajtja e jetës së qytetarëve dhe ruajtja e paqes ishin dy arsyet kryesore pse KFOR-i vendosi që kësaj radhë të mos largojë barrikadat me dhunë:
„Është një keqkuptim i madh, sepse ne nuk jemi tërhequr nga pikëkalimet kufitare 1 dhe 31. Akoma qendrojmë atje, në pozicione dhe me numër të madh ushtarësh. Kishim probleme me barrikada në rrugë, veçanërisht në fshatin Rudarë. Për të mbrojtur qytetarët të cilët kanë protestuar qetë hoqa dorë nga hapja e rrugës me forcë. Por ua bëra të gjithëve të qartë, se kjo është hera e fundit dhe nuk do të ketë herë të dytë“, paralajmeroi gjenerali gjerman Bühler.
Ai bëri të ditur se për shkaqe humanitare do të lejohet në të ardhmen vetëm kalimi i njerëzve me automjete të vogla, ndërsa kamionët do të ndalohen. Barrikadat e serbëve në rrugë vijnë si reagim ndaj forcave te NATO-s të cilat të enjten morën kontrollin mbi pikat kufitare në brezin kufitar Kosovë-Serbi.
Sot seanca e parlamentit të Serbisë
Pas një kontrolli prej gjysëm ore në kufi, mbrëmë në mesnatë, nga Kosova janë larguar udhëheqësi i delegacionit serb në dialogun me Prishtinën Borislav Stefanoviq dhe ministri serb për Kosovën Goran Bogdanoviq. Ata do të marrin pjesë në seancën e sotme të parlamentit të Serbisë kushtuar gjendjes në Kosovë. Presidenti serb Boris Tadiq ka bërë thirrje në një intervistë për televionin B92 që kjo seancë t'i shërbejë qetësimit të gjendjes dhe të mos shfrytëzohet prej partive politike apo individëve për qëllime politike.
Autor: Ajete Beqiraj/Bahri Cani
Redaktoi: E. Xhani