1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KFOR: Rivendosja e barrikadës në Mitrovicë e motivuar politikisht

Bekim Shehu19 Qershor 2014

Forcat paqeruajtëse në Kosovë, thonë se vendimi për të mbajtur urën mbi Lumin Ibër ende të mbyllur për automjete është shumë simbolike dhe politikisht e motivuar.

https://p.dw.com/p/1CLzt
Fotografi: Reuters

Autoritetet në Prishtinë, ato vendore dhe ndërkombëtare, rivendosjen e barrikadës në urën e Lumit Ibër në Mitrovicë, e kanë cilësuar të motivuar politikisht. Grupe qytetarësh serb nga veriu i Mitrovicës, të mërkurën në mëngjes larguan barrikadën e cila qëndronte aty tash e tre vjet, ndërsa, vetëm disa orë më vonë, grupe serbësh sërish vendosen një barrikadë tjetër. Ata sjellën, vazo betoni dhe mbollën pisha. Rivendosja e barrikadës se re që u quajt “parku i paqes”, dhe u bë me një vendim të kryetarit të Komunës së Mitrovicës veriore, Goran Rakiq.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës në detyrë Hashim Thaçi, pas rivendosjes së barrikadës mbi lumin Ibër nga serbët lokalë, shprehu zhgënjimin me veprimin e serbëve të cilin e quajti veprimin të turpshëm.

“Si kryeministër i vendit, dje paradite, mirëprita largimin e barrikadës në mënyrë vullnetare nga qytetarët e komunitetit serb, duke shpresuar se ajo ishte një shenjë e pjekurisë qytetare. Fatkeqësisht, u deshën vetëm pak orë që unë dhe qytetarët e Kosovës të zhgënjehemi përsëri me aktin e turpshëm të rivendosjes së barrikadës mbi urën e lumit Ibër”.

“Kjo lojë e turpshme dhe e rrezikshme, por mbi të gjitha antiligjore është e papranueshme për vlerat e shoqërisë dhe shtetit tonë demokratik. Ata që janë përgjegjës për këto veprime antiligjore, do të përballën me ligjin herët apo vonë”, tha kryeministri në detyrë Hashim Thaçi. Sipas tij, liria e lëvizjes është e drejtë fondamentale dhe ajo nuk mund të cenohet nga askush.

Edhe forcat paqeruajtëse të cilët vëzhguan paraditen e së mërkurës heqjen e barrikadës dhe më vonë rivendosjen e saj nga serbët, thanë se “KFOR-i mirëpret vendimin e heqjes së barrikadës fizike në urën mbi Lumin Ibër. Por krijimi i një kopshti e pengon lirinë e lëvizjes me automjete. Kuptimi dhe dëshira për të mbajtur urën ende të mbyllur për automjete me anë të një kopshti është shumë simbolike dhe politikisht e motivuar”, thuhet në reagimin e forcave paqeruajtëse.

Barrikada mbi Lumin Ibër ishte vendosur nga banorët lokalë serbë të veriut në korrik të vitit 2011, të cilët kundërshtonin vendosjen e autoritetit të Prishtinës zyrtare në veri të vendit. Në këtë kohë u vra një pjesëtar i policisë së Kosovës dhe veriu u përfshi në trazira duke kundërshtuar funksionalizimin e institucioneve të Kosovës në veri. Prishtina dhe Beogradi, me 19 prill të vitit të shkuar nënshkruan një marrëveshje për përmirësimin e raporteve dhe u zotuan për zbatimin e të gjitha pikave të saj. Një ndër pikat e marrëveshjes është edhe qarkullimi i lirë në veri të Kosovës.