Koment: Asnjë sistem nuk është i përjetshëm
2 Tetor 2020Imagjinojeni, sikur nga njëra ditë në tjetrën jeta juaj të ndryshojë komplet. Ti humbet vendin e punës. Kualifikimet që ke nuk të hyjnë më në punë. Vlerat shoqërore nuk janë më ato të tuat, por të tjera. Shokët ikin, sepse aty ku jetojnë nuk ka më punë. Rrjeti yt social shpërbëhet.
Unë shpesh pyes veten çfarë do të kishte bërë një ndryshim i tillë me mua? Im atë ishte 37 vjeç kur më 3 tetor 1990, iu vu vula ribashkimit gjerman. Ai ishte fizikant në një uzinë çeliku. Pas ndryshimit të sistemeve ai nuk gjeti më kurrë një vend të përshtatshëm pune.
Histori të tilla ka çdo familje në ish-Gjermaninë Lindore
Unë jam e mendimit se ne sot duhet të fillojmë të kuptojmë sa i madh ka qenë ndryshimi për njerëzit në Lindje. Çdo familje ka histori të tilla: për burra dhe gra që humbasin punën, për kurse pa fund për të fituar kualifikime të reja. Për familje që shkojnë në Gjermaninë Perëndimore për të punuar. Për familje që qëndrojnë aty ku kanë qenë. Për alkoolin që përdoret për të përmbushur boshllëkun. Dhe për ne, fëmijët që u rritëm në një sistem për të cilin prindërit nuk na jepnin dot asnjë lloj ndihme, e për të cilin nuk ekzistonte asnjë lloj rrjeti social.
Një shifër që mua më shokon gjithnjë është ajo e nivelit të lindjeve në Gjermaninë Lindore, e cila ra pas ndryshimit të sistemit me 50 përqind! Një rënie që është më e madhe se ajo e pas Luftës së Dytë Botërore.
E megjithatë për një kohë të gjatë politika bënte sikur kjo të ishte çështje kohe, dhe ndryshimet midis Lindjes dhe Perëndimit do të zhdukeshin. Por ato nuk janë zhdukur, megjithë 1,6 bilionë euro ndihmë nga shteti që kanë shkuar për Lindjen.
Edhe sot ndryshimet midis Lindjes dhe Perëndimit mund t'i shohësh tek shifrat: mesatarja e pagave në Lindje është ende 17 përqind më e ulët, se sa në Perëndim. Ime ëmë ka punuar 43 vjet si mësuese. Megjithatë pensioni i saj është më i ulët se i një mësuesi në Perëndim. Unë mendoj se kjo nuk është e drejtë. Për më tepër që kjo ndikon edhe tek brezi im, që për këtë arsye merr më pak ndihmë financiare nga prindërit.
Pothuajse asnjë gjermano-lindor në pozicione drejtuese
Dekurajuese është edhe shifra që tregon se sa përqind gjermanolindorë kanë zënë pozicione drejtuese. Gjermano-lindorët nuk përfaqësohen pothuajse fare në pozicionet drejtuese. Vetëm 1,7 përqind e top-jobs janë zënë nga gjermano-lindorët. Gjyqtarësit, rektorët e universiteteve, sekretarët e shtetit, kudo aty ku merren vendimet, nuk ka gjermano-lindorë. Madje edhe në vetë Gjermaninë Lindore pozicionet drejtuese janë zënë kryesisht nga gjermano-perëndimorët edhe sot, 30 vjet pas ndryshimit të sistemeve.
Ajo çka ishte menduar të zgjaste për një fare kohe, për të zëvendësuar kuadrin e Gjermanisë Lindore, u kthye në të çështje të përhershme: një shtresë e lartë gjermano-perëndimore dominon Lindjen. Këtë e ndjejnë njerëzit në Lindje, por kjo gjë mund të konfirmohet edhe nga shifrat.
Po ashtu përvojat e ndryshme positive nga Gjermania Lindore vlerësohen pak, ose nuk bëhen fare të njohura. Për shembull: nëna ime ka punuar gjatë gjithë kohës, siç kanë punuar të gjitha gratë që njoh unë. Për mua ka qenë dhe është e vetëkuptueshme që të kesh fëmijë dhe të shkosh në punë, duke realizuar vetveten. Shoqet e mia nga Gjermania Perëndimore nuk kanë idhuj të tillë. Megjithatë, kur në fillim të këtij viti u festua "100 vjetori i të drejtës së votës për gratë”, gratë e emancipuara të Gjermanisë Lindore u përmendën shumë pak.
Përvojat lindore duhen parë me kujdes më të madh
Edhe 30 vjet pas ribashkimit rezultatet e zgjedhjeve na detyrojnë që të shohim me më shumë kujdes përvojat e njerëzve në Gjermaninë Lindore. Sepse gjermano-lindorët votojnë ndryshe nga gjermano-perëndimorët. Në Lindje, partia populiste e djathtë, Alternativa për Gjermaninë, merr dyfishin e votave që merr në Perëndim. Unë nuk dua të merrem me justifikime, sepse racizmi dhe diskriminimi nuk justifikohen. Por ndjenja e të mos qenit pjesë e shoqërisë, nuk mund të largohet me një lëvizje gishti. Dhe nëse duam që të zhvillojmë rajone të tëra, duhet të veprojmë duke nxitur rajonet me dobësi strukturore, duke barazuar rrogat. Duke vendosur kuota detyruese nëpër firma për të nxitur gjermano-lindorët dhe duhet të bëjmë gjithçka që të ruajmë kohezionin social.
Por më shumë se sa lëshime politike, ajo që dua unë është interesimi i vërtetë i Perëndimit për Lindjen, për përvojat e tij, dështimet, për historitë e pas ndryshimit të sistemit dhe për ndjeshmëritë e sotme.
Për brezin tim? Lindur në vitin 1982, unë bëj pjesë në brezin e tretë të Gjermanisë Lindore, ne jemi fëmijët e rritur në kohën e ndryshimit të sistemit. Nëse kemi mësuar diçka, atëherë ajo që kemi mësuar ne është, se asnjë sistem nuk është i përhershëm, se njeriu duhet të jetë gjithnjë në ndryshim, dhe se gjatë ndryshimeve duhet të mos lerë asgjë që të anashkalojë. Le ta quajmë këtë kompetencë transformimi, diçka që nuk është e parëndësishme në epokën e ndryshimeve digjitale. Ne jemi sot në moshën ideale për të marrë përgjegjësi. Kur do të fillojmë t'i marrim ato?