Turqi - Lamtumirë demokracisë
7 Maj 2019Disfatat nuk vijnë në diskutim për Erdoganin. Aq më tepër kur bëhet fjalë për Stambollin. Pasi në 31 mars përfunduan - në thelb - zgjedhjet komunale në Turqi, ishte e qartë se në metropolin e Bosforit do të kishte vazhdim. Edhe nëse fituesi i zgjedhjeve Ekrem Imamoglu i partisë CHP e ka marrë dokumentin e emërimit si kryetar bashkie i qytetit me 15 milionë banorë, AKP-ja dhe Presidenti i vendit, Recep Tayyip Erdogan përdorin të gjitha mjetet që të mos e humbasin Stambollin. Në fillim u kërkua të rinumërohen votat në qarqet me rezultat të ngushtë, pastaj u tha se ka pasur parregullsi me fletët e votimit. Por tani thuhet se personat që drejtonin njësitë zgjedhore në kutitë e votimit nuk kishin qenë nëpunës civilë të shtetit. E çuditshme është vetëm se të gjithë kryetarët e njësive zgjedhore qenë anëtarë të AKP-së.
Vendim përfundimtar
Edhe nëse në zgjedhjet e kaluara problemet që ndodhën qenë më shumë se vetëm parregullsi, këshilli i lartë i zgjedhjeve gjithmonë i pati hedhur poshtë të gjitha ankesat e opozitës. Por tani veprohet me një procedurë tjetër. Një fakt është megjithatë me rëndësi vendimtare - vendimi i Këshillit të Lartë të Zgjedhjeve është goditja finale kundër demokracisë në Turqi.
A lindin pyetje tani? Pse e pranon Këshilli i Lartë i Zgjedhjeve ankesën e AKP-së? Pse u shty tri herë vendimi? Si do të reagojnë bursat për përsëritjen e zgjedhjeve në Stamboll? Përgjigje për këtë nuk ka. Ka vetëm spekulime. Presionit të Erdoganit nuk i rezistoi as Këshilli i Lartë i Zgjedhjeve. Vendimi i Këshillit të Lartë të Zgjedhjeve veç kësaj është përfundimtar. Ai nuk mund të kontestohet më.
Ushqim i rëndë për Ramazanin
Taktikisht ishte vendim i zgjuar zgjedhja e ditës së sotme për shpalljen e vendimit. Ditën e parë të Ramazanit, mundësia që të dalin në rrugë masa të mëdha njerëzish për të protestuar është e vogël. Dhe që vendimi u bë i ditur pas mbylljes së bursës, tregon se shpresohet që tregjet do ta neglizhojnë atë dhe nuk do të reagojnë në mënyrë masive. Por këto janë llogari të gabuara. Ekspertët e ekonomisë spekuluan që ditët e shkuara se Lira turke do të humbasë në mënyrë masive vlerë përballë Euros dhe Dollarit, po të përsëriten zgjedhjet.
Por një gjë megjithatë është e qartë: pavarësisht si do të votohet në 23 qershor - demokracia në Turqi ka humbur që tani.